Gjimshiti, një “kockë” e vërtetë, rikuperim rekord, rikthehet në Champions
Asgjë serioze për Berat Gjimshitin. Kapiteni kuqezi trembi jo pak ambientin në Bergamo këtë fundjave teksa doli nga fusha i dëmtuar në sfidën kundër Parmës. Shqetësuese ishte fakti pasi Gjimshiti sapo ishte rikthyer nga një tjetër dëmtim, por testet mjekësore vërtetuan se nuk bëhej fjalë për diçka serioze, thjesht një tërheqje e lehtë në muskujt e këmbës.
Gjithçka ka kaluar dhe sipas mediave italiane, qendërmbrojtësi kuqezi do të jetë rregullisht në fushë për takimin kundër belgëve të Royal Union në Champions, të mërkurën. Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për Atalantën, pasi një fitore në transfertë, e kombinuar me disa rezultate të tjera, mund t’i dhurojë Gjimshitit një biletë direkt për në fazën e 1/8 në Champions.

Rikthimi i tij i shpejtë në fushë pa diskutim është një lajm i mirë edhe për trajnerin Sylvinho, me këtë të fundit dhe stafin e tij që po monitorojnë në distancë legjionarët kuqezi në prag të ndeshjeve të fazën “play-off” në kualifikueset e Botërorit.
