Natalie Portman shpërthen në lot për vrasjet dhe arrestimet nga agjentët e ICE: Është e tmerrshme
Natalie Portman shpërtheu në lot për vrasjet dhe arrestimet nga agjentët e ICE-së.
Aktorja, të shtunën e kaluar, më 24 janar, mori pjesë në premierën e filmit “The Gallerist” në Festivalin e Filmit Sundance të mbajtur në Utah dhe, ndërsa fliste para kamerave, filloi të qante, duke e përshkruar situatën në vendin e saj me ICE-në si të tmerrshme, për të cilën po zhvillohen vazhdimisht demonstrata në qytete të ndryshme.
Natalie Portman tha duke fshirë lotët: “Më vjen keq që jam kaq emocionale, por është një ditë kaq e tmerrshme, ka qenë një javë e tmerrshme”, ndërsa premiera u zhvillua disa orë pasi një banor 37-vjeçar i Minesotës dhe infermier i quajtur Alex Jeffrey Pretty u qëllua dhe u vra gjatë një përplasjeje me agjentët federalë. Aktorja më pas shtoi se ishte shumë mirë të ishe në një festival filmi, megjithatë: “Ajo që po ndodh në vendin tonë është thjesht e pabesueshme”, tha ajo.
Natalie Portman shtoi: “Ajo që Trump, Christy Noem dhe ICE po u bëjnë qytetarëve tanë dhe njerëzve pa dokumente është skandaloze dhe duhet të ndalet. Jam shumë e prekur nga të gjithë njerëzit që po dalin dhe mbështesin njëri-tjetrin në komunitet dhe po tregojnë anën më të mirë të Amerikës. Ka kaq shumë. Duhet të ndalet”.
Në një intervistë tjetër që dha në të njëjtin aktivitet, aktorja shtoi: “Sigurisht që jemi në një kohë të tmerrshme në vendin tonë, me qeverinë federale që sulmon qytetarët në qytetet tona. Jam shumë me fat që jam këtu në një komunitet të lumtur dhe krijues që feston një film për të cilin jemi vërtet krenarë, por është e pamundur të injorohet ajo që ICE po bën në vendin tonë. Jam shumë e frymëzuar nga të gjithë amerikanët e mrekullueshëm që po dalin dhe mbështesin njëri-tjetrin dhe janë atje në komunitetet e tyre, është e mrekullueshme.“
