Tue, Jan 27, 2026

Polemika e motorëve në F1, FIA ende pa një vendim për kompresionin

Polemika e motorëve në F1, FIA ende pa një vendim për kompresionin
  • PublishedJanuary 27, 2026

Një takim i nivelit të lartë mes FIA-s dhe prodhuesve të motorëve të Formulës 1 u zhvillua këtë javë pa arritur asnjë vendim për polemikën teknike mbi raportin e kompresionit të njësive të fuqisë për sezonin 2026.

Sipas “Crash.net”, pavarësisht presionit nga Ferrari, Honda dhe Audi, FIA ka vendosur të ruajë mënyrën aktuale të matjes. Rregullorja parashikon një raport maksimal kompresioni 16:1, i cili matet kur motori është në temperaturë ambienti. Kundërshtarët e Mercedesit dhe Red Bullit dyshojnë se këto ekipe kanë përdorur materiale që zgjerohen me nxehtësinë, duke rritur kompresionin real gjatë funksionimit në pistë dhe duke krijuar një avantazh performance. Ky avantazh vlerësohet në rreth 15 kuaj fuqi, ose deri në 0,3 sekonda për xhiro, që mund të përkthehet në 15-20 sekonda përfitim në fund të një gare.

“Nëse konfirmohet, do të ishte një avantazh i madh konkurrues”, deklaroi CEO i Audi F1, Matia Binoto, duke lënë të hapur mundësinë e protestave në garat e para të sezonit.

Motorët e Mercedesit dhe Red Bullit do të respektonin kufirin 16:1 në kushte të ftohta, por në temperaturë operative raporti i kompresionit mund t’i afrohet nivelit të mëparshëm 18:1. Me motorët tashmë të homologuar, çdo diferencë performance mund të mbetet e pandryshuar deri në vitin 2027, megjithëse mekanizmi korrektues i FIA-s mundëson ndërhyrje pas garës së shtatë të sezonit. Propozimi për instalimin e sensorëve në dhomën e djegies nuk mori mbështetje unanime.

FIA po zgjedh stabilitetin rregullator, edhe pse kjo qasje rrezikon të sjellë tensione dhe protesta në fillim të Kampionatit Botëror 2026.