Tingulli dhe imazhi i pakuptuar i orkestrës simfonike të RTSH-së
Diku nga fillimi i dhjetorit në kanalet e RTSH-së më tërhoqi vëmendjen një spot publicitar tek i cili shfaqej edhe orkestra simfonike e RTSH-së.
Spoti hapet me një mesazh: “Jo çdo histori tregohet me zë”. Fill pas kësaj shkojmë në një ambient të madh grimi (krejt i pangjashëm me hapësirat modeste të grimit që gjenden brenda TVSH-së), ndërkohë që në sfond dëgjohet kënga “Berghain”, interpretuar nga artistja spanjolle Rosalía. Kamera fokusohet te dy gazetare, prezantuese të RTSH-së teksa stisen para pasqyrës. Rreth tyre qëndrojnë disa nga instrumentistët e orkestrës së RTSH-së, të cilët “luajnë” [supozojmë] fragmentin orkestral të këngës që shoqëron imazhet. Në skenën e dytë shfaqet prezantuesi Flori Gjini duke hekurosur një këmishë, i rrethuar gjithashtu nga orkestrantët që “luajnë”. Gjenden në një ambient që i përngjan një gardërobe. Gjini ka një vështrim tërësisht të përhumbur që nuk e përcakton dot nëse i vjen nga avulli i hekurit, apo nga muzika. Prej gardërobës, hidhemi në korridoret e TVSH-së, me gazetaren Alba Alishani që ecën në krye të një tjetër grupi të orkestrës. Këta të fundit i vijnë nga prapa, me instrumente në duar. Dhe skena pasardhëse na çon pikërisht tek studioja e emisionit Trialog, drejtuar nga Alushani, bashkë me Arion Sulon, Preç Zogajn e Lorenc Vangjelin. Orkestrantët “luajnë” rreth tyre, ndërsa drejtuesit e emisionit bëjnë sikur bisedojnë, ose marrin poza mendimtare. Kamera luan pak në slow-motion me planin portret të Alishanit, pastaj fokuson detaje duarsh të opinionistëve dhe, si për larmi, rrëshqet shkarazi e shpejt edhe në ca detaje të instrumentistëve. Skena përmbyllëse është ajo e Fjodora Fjorës, ulur në një tavolinë ngrënieje. Para ka sushi dhe pije. Kamera fokusohet te një pikturë e madhe murale prapa saj, me elemente orientale, ndërkohë që vendi i xhirimit përngjan thuajse krejtësisht me një restorant sushi, i të cilit Fjora është ndër bashkëthemelueset, por që nuk gjendet në ambientet e RTSH-së. Qirinj në sfond, plani i dorës me pije, dhe Fjora, si e përhumbur, përtypet. Instrumentistët e orkestrës simfonike të RTSH-së i rrinë mbi kokë, duke “luajtur”, ndërsa ajo hedh vështrimin djathtas, shpërfillëse ndaj krijesave përreth.
Në këtë karrelatë pamjesh publicitare me kolonë zanore “Barghein”, regjisori i spotit ka harruar të vizualizojë korin që gjithashtu është pjesë e këngës dhe që interpreton një tekst në gjermanisht (kuptimplotë për këngën, por krejt i palidhur me përmbajtjen e spotit):
Seine Angst ist meine Angst
Seine Wut ist meine Wut
Seine Liebe ist meine Liebe
Sein Blut ist mein Blut
[Frika e tij është frika ime,
Zemërata e tij është zemërata ime,
Dashuria e tij është dashuria ime
Gjaku i tij është gjaku im]
Ky moment koral-orkestral mbyllet me tone solemne dhe pritet që edhe instrumentistët që i shohim “duke e luajtur” ta pasqyrojnë një finale të tillë. Por, jo. Ata vijojnë të “luajnë” edhe kur muzika ka mbaruar, çka për një audiospektator të kujdesshëm, nuk është aspak logjike. Gjithsesi, kjo zgjat shumë pak, pamjet errësohen dhe mesazhi që përcillet është: Qëndroni në ekranin tuaj! Në RTSH!
“Barghein”, një pjesë e së cilës shërben si kolonë zanore e këtij spoti, është një single ambicioz dhe i veçantë, qoftë nga ana muzikore, ashtu edhe nga ajo vizuale. Në fakt, kjo pritej nga prurjet e Rosalía-s, e dalluar për eksplorimin dhe transformimin e gjinive të ndryshme muzikore, nga folk-u si cantaora e flamenco-s bashkëkohore, te muzikat pop. (Pa përmendur këtu edhe formimin e saj sistematik muzikor.) Shumë e kategorizojnë brenda një gjinie të njohur si “avant-pop” (avangarde pop), e cila merr përsipër eksperimentimin, risinë, pa braktisur aksesueshmërinë me publikun e gjerë. Po aq kërkuese është Rosalía edhe në nivelin vizual. Videoklipi i këngës mbart shumë elemente që ndërlidhen vizualisht me ato tingullore e tekstuale.
Në pjesën e parë të këngës, që përdoret e plotë në spotin e RTSH-së, ajo jep e merr me një situatë dëshpërimi dhe dhimbjeje shpirtërore. Për këtë impostohet fillimisht në regjistrin e një soprano-coloratura (duke kënduar në gjermanisht) dhe më pas, me një vokalitet më pop, por edhe melizmatik, interpreton strofën, në stil balade në spanjisht.
Kënga hapet me një fragment dramatik, interpretuar nga London Symphony Orchestra, i cili të kujton Dimrin e Vivaldit. Zërit operistik të Rosalía-s i shtohet kori, që në fakt është një aliazh shumë i veçantë realizuar nga Escolania de Montserrat (kor liturgjik djemsh i manastirit benediktin “Santa Maria de Montserrat”) dhe Kori i Dhomës së Palau de la Música Catalana. Videoklipi e portretizon Rosalía-n si të përndjekur nga ky tingull, qoftë në ambientet intime të apartamentit të saj (duke kryer punë të zakonshme), ashtu edhe jashtë tij, teksa gjendet në autobus, në rrugë, në një argjendari për të rregulluar varësen e saj në formë zemre (objekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për të), apo në një klinikë mjekësore.
Në fakt, këtë lloj përndjekjeje tingullore, ajo e ka sqaruar pak para se të nxirrte videoklipin, përmes një postimi në rrjete sociale. Bëhet fjalë për një foto ku mban veshur një bluzë të bardhë në të cilën shkruhet: “My intrusive thoughts sound like this” (Kështu tingëllojnë mendimet e mia intruzive). Prapa saj, në foto, shohim orkestrantët.
Një prani shumë interesante në këngë është (guest artist). Zëri i saj ndërhyn në mënyrë shumë origjinale, në mbylljen e pjesës së parë të këngës. Me vokalitetin e saj atipik, fillimisht solo, pastaj përmes një sfondi elektronik mbi të cilin zëri i saj shumohet, Björk-u zotëron pjesën e dytë të këngës (bridge) duke sjellë një kontrast të ndjeshëm me dramaticitetin e mëhershëm. Dhe ajo që thotë, kërkon të jetë gjithashtu befasuese: “This is divine intervention/The only way to save us is through divine (Kjo është ndërhyrje hyjnore; e vetmja rrugë shpëtimi është hyjnorja). Në videoklip, shohim Rosalía-n që hyn në shtëpinë e saj, tashmë të shndërruar në një pyll të magjepsur, me kafshë që i afrohen. Dallojmë sorkadhen, dhelprën, rakunin. Björk është gjithashtu aty, si një hyjni me pamjen e një zogu gushëkuq. Rosalía, me kordele të kuqe, të kujton Borëbardhën (personazh i paraprirë më herët edhe nga detaji i një molle të kafshuar në tavolinën e ngrënies). E ndërsa sorkadhja fillon të qajë me lot gjaku, ndërhyn zëri i Yves Tumor-it, edhe ky artist po aq eksperimental dhe i përveçëm, i cili riprodhon në loop, një frazë mjaft të diskutuar të Mike Tysoni-it: “I’ll f*ck you till you love me”, që vjen e rrudhet në “Till you love me”, shoqëruar me imazhe ëndrre, bardh e zi, ku kafshët ndeshen me muzikantët (lufta mes mendimeve intruzive dhe forcës hyjnore natyrore për t’i luftuar). Po kështu shohim varësen me zemër, kubin e sheqerit që shkrihet nga nxehtësia e kafes (metafora e brishtësisë që vjen edhe përmes tekstit në spanjisht: Solo soy un terrón de azúcar/ Sé que me funde el calor/ Sé desaparecer; Jam thjesht një kub sheqeri/ E di që nxehtësia më shkrin/ E di si të tretem.) Në fund, pas një plani portret, ku spikat grimi dhe pupla e vizatuar në sy, shohim një pëllumb që hap flatrat, ndërsa çarçafi valëzohet në hapësirë: Dhimbja shpirtërore i ka lënë vendin paqes së brendshme që përmbushet përmes një përvoje transhendentale.
Videoklipi, i cili mban emrin e Nicolas Mendez-it mbart edhe një sërë referencash specifike: së pari, nga filmi Three Colors: Blue (1993) i regjisorit polak Krzysztof Kieślowski; madje disa kapin edhe elemente nga Antchrist i Lars von Trier-it. Në këtë videoklip, Mendez i bën një homazh të përzemërt edhe Varshavës, vendi ku është xhiruar. Ka një seri detajesh, por më i veçanti për mua është tablloja “Zonja me hermelin” e Leonardo da Vinci-t, vepër që gjendet në Varshavë dhe që këtu e shohim të varur tek argjendaria, në të cilën Rosalía kërkon të riparojë zemrën e saj. Kësisoj, edhe kjo femërore e Da Vinci-t plotëson në mënyrën e vet këtë këngë mbi femëroren në dhimbje, në humbje, në mistikën e përrallën e vet (sigurisht me princeshë), deri te kapja e përmasës religjioze dhe përvojës trashendentale.
“Barghein” vjen si një palimpsest tingujsh e imazhesh. Rosalía vendos krah njëri-tjetrit muzikën operistike, simfonike, me referenca që nisin nga baroku (profan e liturgjik) i Vivaldit, Rameau-së, sakraliteti i requiem-eve e meshave të Bach-ut, Handel-it deri te shekulli XX, me atë rrëshqitje angështuese të harqeve, që të kujton motivin e “Pranverës së Shenjtë” të Stravinsky-t. Këto përzihen me vajin e përmbajtur, melizmatik, alla cantaora (kur ajo interpreton fragmentin në spanjisht) dhe me artin eklektik, eksperimental e avangardë të Björk-ut, i shpërfaqur në gjithë konceptualitetin e vet, edhe brenda një pjesëze shumë të shkurtër të këngës.
Me gjithë kritikat për shpërdorimin e ikonografisë katolike, kategorizimin thjesht si gothic-pop, catholic-pop, apo edhe atë që Hugh Morris e quan “zhanrifikim” të muzikës klasike përmes përdorimit kitsch të copëzave të njohura, si për të prerë shkurt drejt pjesës emocionale, bie dakord me mendimin e sociologut Carlos Delclós që poshtë simbolizmit të kësaj kënge nuk kemi një predikim, por një kërkim mbi çdo të thotë të jetosh në një botë supozimesh që çmbështillen.
Teksa gjurmojmë këtë këngë kaq të shtresëzuar e të kodifikuar, ta quash thjesht “naiv” e të sipërfaqshëm spotin e RTSH-së, do të ishte pak. Por, edhe ta kalonim me justifikimin e një sprove diletanti, që kopjon keq dhe përciptas nuk do të ishte e drejtë. Aq më tepër që “Barghein” dëshmon, ndër të tjera, edhe aftësinë e arrirë për të referuar, apo cituar vepra e materiale të ndryshme, përmes një thjerre origjinale leximi, e cila përcjell mesazhe të caktuara, muzikore, artistike, por edhe kulturore.
Ndërkaq, spoti merr të gatshme jo vetëm muzikën e “Barghein”, por edhe konceptin e videoklipit; madje, në disa raste në kufijtë e plagjiaturës, si mund të vihet re nga skenat e Flori Gjinit që hekuros, apo atë të Alba Alishanit me orkestrantët që i vijnë nga prapa.
Sidoqoftë, nga të gjithë burimet që përdor prej këngës, më i diskutueshmi është ai i orkestrës, për dy arsye: e para ka të bëjë me keqleximin dhe paaftësinë për të reflektuar mbi prurjen dhe simbolizmin artistik të Rosalía-s për praninë e orkestrës dhe korit në këngën e saj, kurse e dyta me qasjen që përcjell në publik RTSH-ja ndaj orkestrës së vet. Orkestrantët këtu shfaqen si figurantë, ngjajnë me mumje të gjalla, artificialë në lojën e tyre (nuk është e nevojshme të jesh muzikant për ta kuptuar këtë gjë). Ky lloj roli përforcon përmasën e narcizizmit të protagonistëve të tjerë, përmasë e cila dallohet qartë nga mënyra si këta pozojnë, si janë filmuar, ku janë filmuar.
Përkundër, orkestra e “Barghein”-it nuk është figurante. Nuk është aty vetëm sa për të mbushur hapësirat me muzikë sfondi. Loja e tyre në videoklip vjen thuajse reale (duke marrë të mirëqenë iluzionin audiovizual). Orkestra hyn dhe ndërhyn si personazh, ndeshet me forca të tjera. Madje, më shumë sesa për një orkestër, do të duhet të flasim për një tingull, një muzikë që “tregon” një mesazh të caktuar dhe ky mesazh vjen i mbarsur me një kulturë e dije muzikore që siç e komentova më sipër, i ka me vete disa shekuj histori.
Po në rastin e spotit, çfarë bën orkestra? Çfarë tregohet këtu pa zë? Si fillim, duhet të vërejmë se nuk kemi asnjë “një tregim pa zë” si pretendohet te mesazhi fillestar, por një tregim që s’di të dëgjojë dhe as të kuptojë se çdo të thotë “zë”. Spoti përqendrohet tek imazhi, performativja, spektakolarja. Përdor fragmentin e “Barghein”-it për atë emocionalitetin e menjëhershëm që ngjall, pa u shqetësuar për “mjetet”, “gjuhën” muzikore që e krijon këtë lloj emocionaliteti dhe që provokon vetë ekzistencën e pop-it bashkëkohor botëror. Ndërkaq, figurantët që mund të bëjnë sikur po luajnë i ka të gatshëm: orkestra e RTSH-së.
Çështja është që ky spot nuk përbën një rast përjashtimor, por një qasje specifike e cila bjen drejtpërdrejt nga drejtoria e RTSH-së. E gjejmë sërish në një reels-i të postuar në Instagram nga drejtoresha e RTSH-së, qysh në 12 korrik të vitit 2025. Videoja paraqet orkestrën në një flashmob, performancë e simuluar, por në dukje spontane, duke interpretuar një pjesë klasike mjaft të popullarizuar si “Kënga e Toreadorit”, nga opera Carmen e Bizet-së. Ka shembujt të shumtë në rrjet të kësaj tipologjie.
Nuk di se çfarë realisht kanë dëgjuar spektatorët e rastit. Kamera kap reagimin habitor, por ajo që përftohej përmes videos ishte një performance pak kaotike dhe jo aq e kuruar sidomos nga ana zanore, gjë mëse e pritshme, në rrethana të tilla, por e rregullueshme në pultin e montazhit. Mund të ishte bërë një punë më e kujdesshme për të evituar problematikat zanore por, si duket, kjo nuk ia ka vrarë veshin as personave që kanë bërë montazhin dhe as kujt e ka postuar në rrjet.
Nuk di të them se çfarë nënkuptonte drejtoresha e RTSH-së me këtë dalje publike të orkestrës në shesh, por teksa lexoja komentin e saj: “Për herë të parë orkestra takon publikun në sheshet kryesore…”, nuk mund të mos mendoja paradoksin e hapësirës. Ka vite që orkestra “vuan” për hapësira koncertale dhe endet në salla të ndryshme të kryeqytetit, pa mundur të ketë një hapësirë të përcaktuar siç e meriton një formacion kaq i rëndësishëm i muzikës shqiptare. Do të ishte domethënëse sikur ky takim në sheshe të përfaqësonte një mesazh sensibilizimi dhe, pse jo, edhe proteste për këtë mungesë hapësire. Por, jo.
Për drejtorinë e RTSH-së vëmendje ndaj orkestrës do të thotë që orkestra duhet të performojë sipas një mentalitet vasaliteti. Kjo u reflektua mjaft qartë në Festivalin e 64-ërt të këngës. Gjatë njërës prej netëve, drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, përmes një fjalimi patetik, e vlerësoi orkestrën me “çmimin e karrierës”, me motivimin se është një “artist” [kupto: orkestër] që kishte qenë pjesë e këtij eventi që në edicionin e parë. Vlerësimi u promovua gjerësisht nga RTSH-ja dhe fill pas festivalit u organizua edhe një mbrëmje gala, “Festa vazhdon”, nën kujdesin e drejtoreshës. U interpretuan kryesisht cover-a këngësh pop me këngëtarë që, përjashto Kamela Islamajn, do të duhej të ngjisnin akoma shkallët e karrierës së tyre përpara se të interpretonin me orkestrën në fjalë. I gjithë eventi më ngjau më shumë si “haraçi” që orkestra duhet të paguante për këtë vëmendje të përveçme nga ana e drejtorisë, sesa një koncert i menduar dhe i kuruar në nivelin artistik që orkestra duhet të përcjellë.
Për më tepër, karriera nuk mund të jetë atribut i orkestrës, sa është i instrumentistëve që e përbëjnë; ajo lidhet me individin, duke identifikuar procesin e përsosjes profesionale. Për rrjedhojë, çmimi i karrierës do të duhej të jepej për muzikantët, sepse janë ata që i japin identitet kësaj orkestre. Mund të ishte një figurë ikonike si Aristidh Prosi, çelist i parë, por edhe solist i më shumë se 45 koncerteve, disa prej të cilëve i ruaj ende në kujtesë edhe vetë. Gjithashtu, karriera është e atyre që janë rritur profesionalisht brenda asaj orkestre dhe bashkë me veten kanë shënjuar formacionin. Disa prej tyre nuk janë më, disa janë larguar jashtë vendit, të tjerë janë kthyer pas studimeve për të ndërtuar karrierën e tyre këtu, Mund të përmend: Ajlinda Matja (violinë, koncert-maestër), Fatos Jaho (fagot), Andrea Canaj (korno) Gugash Balena (violë), Ermir Gruda (oboe), Jonela Golemi (flaut), Pirro Sota (fagot), Edmea Krasniqi (violinë, koncert-maestër), Blerta Ristani (violinë, koncertmaestër), Albana Kola (violë) etj.; për të mbërritur deri te më të rinjtë, që janë duke e ndërtuar karrierën si Blerina Durmishaj (violoncel), Viola Baholli (violë), Reinaldo Foçi (trompë) dhe sidomos Laura Llozi që edhe pse në hapat e parë, e ka përfaqësuar denjësisht rolin e saj si soliste dhe koncertmaestër e orkestrës simfonike të RTSH-së..
Ky çmim karriere që i akordohet kështu së përgjithshmes nuk thotë asgjë, përveç faktit që konfirmon sërish atë qëndrim të amullt e të përciptë të strukturave drejtuese ndaj këtij formacioni. Ndërkaq, orkestra simfonike e RTSH-së e tregon historinë e vet në radhë të parë me kalendarin artistik koncertal.
Pa dyshim, ka punë për të bërë, sidomos në drejtim të shëndoshjes së programit me më shumë vepra të mëdha; pasurimit me vepra të reja, të painterpretuara më parë, qofshin të kanonit, apo shqiptare. Ka qenë një kalendar për t’u mbajtur mend ai nën drejtimin artistik të Aurelièn Azan Zielinski, ndërkohë që vetëm në gjashtë muajt e fundit (qershor 2025 – janar 2026), drejtoresha aktuale artistike Blerta Ristani ka sjellë mbrëmje koncertale të denja për t’u përmendur, sidomos në drejtim të promovimit të muzikës shqiptare: Lodi Luka me simfoninë e tij “Where eagles fly” (premierë); mbrëmja homazh për Gjon Simonin, me solist Lorenc Radovanin, një renderim emocionues i koncertit për violinë të një kompozitori i cili mund të konsiderohet si një përfaqësues shqiptar i neoklasicizmit modern europian. Po kështu, do veçoja solistë si Merita Rexha-Tërshana dhe Ksenia Milas, me Koncertin për violinë e piano të Mendelson-it, apo violinistin Ervin Hoxha Ganiyev, me renderimin e koncertit të Beethoven-t vetëm dy javë më parë.
Ja pse, kjo vëmendje nuk duhet të nënkuptojë që ta reduktosh këtë orkestër në formatin e një klasikeje pop, madje dhe një pop i keqdëgjuar dhe i keqlexuar, vetëm se kështu mund të merren më shumë klikime; as ta përligjesh me çmime që heshtin ata që realisht punojnë dhe i japin formacionit identitet të qëndrueshëm. Të kthesh vëmendjen do të thotë para së gjithash të dëgjosh e të kuptosh funksionin e kësaj orkestre në kulturën shqiptare, si një formacion që përmes punës që bën depërton thellë në psikën e shoqërisë sonë, e rrëfen përmes tingujve dhe kësisoj ndikon edhe dëgjimin si përvojë formuese dhe reflektuese.







