Sun, Feb 1, 2026

Kolapsi i “Self-Care” krijon ngërç ekonomik dhe ligjor për bizneset

Kolapsi i “Self-Care” krijon ngërç ekonomik dhe ligjor për bizneset
  • PublishedFebruary 1, 2026

Një numër i madh biznesesh në Shqipëri po përballen që prej 20 janarit me probleme të shumta në mbarëvajtjen e aktivitetit të tyre për shkak të mosfunksionimit të platformës së fiskalizimit “Self-Care”, që menaxhohet nga e-Albania.

Sipas ekspertëve të ekonomisë dhe biznesit, ky mosfunksionim i shërbimeve të teknologjisë së informacionit sjell kolaps në financat e bizneseve dhe pasoja ligjore për sipërmarrjet e tyre.

“Po ndjek me shqetësim problemet e platformës së fiskalizimit, e cila prej disa ditësh nuk po funksionon plotësisht dhe, në praktikë, ka bllokuar totalisht kryerjen e një sërë procesesh nga bizneset”, i tha BIRN-it Julian Saraçi, auditues ligjor i pavarur.

Sipas Saraçit, kolapsi i shërbimeve ka sjellë një paralizim të aktivitetit ekonomik dhe ligjor të një numri të madh subjektesh.

“Në këto kushte, subjektet ekonomike ndodhen në pamundësi objektive për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore, përfshirë raportimet pranë institucioneve rregullatore, lëshimin e faturave, fiskalizimin e importeve dhe procedura të tjera të domosdoshme për vazhdimësinë e aktivitetit”, tha Saraçi për BIRN-in.

Platforma Self-Care është porta kryesore digjitale për komunikimin mes bizneseve dhe administratës tatimore. Përmes saj kryhen pothuajse të gjitha veprimet fiskale.

Në praktikë, ajo zëvendëson sportelin fizik dhe është kthyer në mjetin bazë të funksionimit administrativ të çdo biznesi.

Adela Kanani, drejtuese ekzekutive e Aleancës së Profesionistëve të Lirë (APL), sqaroi për BIRN-in se, kur kjo platformë ka probleme teknike ose nuk funksionon, bizneset nuk mund të raportojnë, të paguajnë apo të dokumentojnë veprimtarinë e tyre në kohë, duke u ekspozuar ndaj vonesave, pasigurive dhe rrezikut për penalitete.

“Kjo krijon stres operacional, pengon planifikimin financiar dhe paralizon përkohësisht aktivitetin ekonomik”, i tha BIRN-it Adela Kanani, drejtuese e APL-së.

“Në këtë kuptim, Self-Care nuk është thjesht një shërbim online, por një infrastrukturë kritike për funksionimin normal të ekonomisë dhe për ndërtimin e një klime të shëndetshme biznesi”, theksoi Kanani.

Sipas ekspertëve, pasojat e bllokimit të shërbimeve të fiskalizimit janë jo vetëm ekonomike, por edhe ligjore.

Sotiraq Dhamo, Prof. Dr. i shkencave ekonomike, sqaroi për BIRN-in se mungesa e këtyre shërbimeve prek si entitetet blerëse, ashtu edhe ato shitëse.

“Në pozicionin e shitësit, platforma Self-Care është shumë e rëndësishme, sepse vetëm nëpërmjet kësaj platforme mund të lëshohen faturat. Për blerësit është shumë e rëndësishme, sepse nëpërmjet Self-Care pranohen ose jo faturat e ardhura, bëhet deklarimi i faturave dhe i deklaratave të importeve”, theksoi Prof. Dr. Dhamo.

Edhe audituesi ligjor Julian Saraçi i tha BIRN-it se pasojat e mosaksesit në platformën Self-Care prekin edhe sferën ligjore, ndaj duhet ndërhyrja e autoriteteve përgjegjëse.

“Vlerësojmë të domosdoshme që institucionet përgjegjëse të dalin me qëndrime publike të qarta mbi mosaplikimin e penaliteteve ndaj subjekteve për periudhën e mosfunksionimit të sistemit”, tha Julian Saraçi për BIRN-in.

Në përgjigje të një kërkese për koment nga BIRN-i, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një reagim në faqen e saj zyrtare, ku, sipas saj, platforma është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht që prej 28 janarit.

“Administrata Tatimore informon se problematika e konstatuar ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur dhe se platforma, prej pasdites së sotme, 28 janar, është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht”, citohet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas Drejtorisë së Tatimeve, 139,000 tatimpaguesit që përdorin software për lëshimin e faturave duhet të vijojnë normalisht me lëshimin e faturave përmes tij edhe në rastet kur konstatojnë se faturat nuk janë pajisur me kodin unik (NIVF), dhe t’i fiskalizojnë ato në momentin që rikthehet shërbimi i plotë.

Për sa i përket 3,000 tatimpaguesve që nuk janë të pajisur me software, por përdorin Platformën Qendrore të Faturave, Drejtoria e Tatimeve shkruan se ata mund t’i drejtohen me kërkesë Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse për t’u pajisur me bllokun e veçantë të faturave, i cili përdoret edhe në rast defekti apo ndërprerjeje të plotë të funksionimit të zgjidhjes software.