Tue, Feb 3, 2026

Alarm dëmtimesh në Serie A, 24% më shumë se sa 1 sezon më parë, Juventus skuadra më e pafat

Alarm dëmtimesh në Serie A, 24% më shumë se sa 1 sezon më parë,  Juventus skuadra më e pafat
  • PublishedFebruary 3, 2026

Kampionati italian po përballet me një rritje të ndjeshme të problemeve fizike. Në sezonin 2024/2025, Serie A ka regjistruar 858 dëmtime, një rritje prej 24% krahasuar me sezonin e mëparshëm, me një kosto totale prej 103,14 milionë eurosh.

Në krye të kësaj statistike negative qëndron Juventusi, klubi më i goditur ekonomikisht nga dëmtimet: 16,75 milionë euro, që përfaqësojnë 16,2% të kostos totale të kampionatit. Pas bardhezinjve vijnë Milani me 13,01 milionë dhe Interi me 10,93 milionë euro.

Juventusi regjistron edhe ashpërsinë më të lartë mes klubeve të mëdha, me një mesatare prej 24 ditësh mungesë për dëmtim, e ndikuar nga dëmtime afatgjata të lojtarëve kyç. Milani, nga ana tjetër, ka një numër të lartë ndalesash, 58 dëmtime, por me kohë rikuperimi më të shkurtër.

Situatë më e kontrolluar te Interi, Napoli, Roma dhe Lazio, ku mesatarja e mungesave sillet rreth 13–14 ditë, duke treguar dëmtime më pak të rënda.

Numrat flasin qartë: më shumë dëmtime, më shumë kosto dhe një kampionat gjithnjë e më i ngarkuar fizikisht. Për Serie A, sinjali i alarmit mbetet i ndezur.