Arsenal “fluturon” në finalen e Carabao Cup, “thyen” sërish Chelsea-n, Arteta: Është magjike, jemi në Wembley (VIDEO)
Arsenal po përjeton sezonin më të mirë në vitet e fundit, me ekipin e Arteta-s që është në garë me kokë të plotë për çdo trofe. Me të drejtë tifozët e Arsenal ëndërrojnë për një vit të suksesshëm teksa të besuarit e tyre hodhën një tjetër hap të rëndësishëm, siguruan një biletë për në finalen e Carabao Cup. Suksesi 3-2 ndaj Chelsea-t në transfertë në sfidën e parë i jepte Arsenal një bonus të madh për ndeshjen e kthimit.
Të shtyrë dhe nga rezultati i derbit të parë, Chelsea ishte më superior, krijuan 14 raste, por goditën vetëm 2 herë kuadratin. “Topçinjtë” nuk qëndruan pasiv, por shfrytëzuan në maksimum detajet e këtij takimi. Me Chelsea-n të hedhur përpara në kërkim të golit, Arsenal i kapi “mat” me një kundërsulm të shpejtë në minutën e 97-të, ku Kai Havertz finalizoi me shumë klas duke bërë që Arteta dhe pjesa tjetër e Arsenal të shpërthenin në festë për arritjen e finales së Carabao Cup, aty ku do të përballen me fituesin e çiftit Newcastle-Man.City.
Nuk e fshehu gëzimin për këtë sukses Mikel Arteta: “Jemi shumë të lumtur. Mendoj se në përgjithësi gjatë dy ndeshjeve e meritonim të kalonim më tej. Ishte një ndeshje e vështirë, ndaj një rivali të shkëlqyer, por arritëm ta mbyllnim në fund me atë gol të bukur nga Kai. Jemi në Wembley, kjo është thjesht magjike”, u shpreh Arteta.
