Mbyllja e merkatos së dimrit, Partizani e sheh bilancin 5 me 5
Partizani ishte një nga skuadrat më aktive në këtë merkato të janarit, që përfundoi mbrëmjen e datës dy shkurt. Drejtori i ri sportiv i të kuqve, Agim Ibraimi u mundua të përfitonte nga okazionet në këtë “dritare” të transferimeve, edhe pse në merkaton dimërore është e vështirë për të gjetur elementë cilësorë.
Megjithatë, Ibraimi ia doli të mbyllë me sukses operacione si ai i Kamer Qakës, ish-mesfushorit të kombëtares së Shqipërisë. Lojtari u afrua te kryeqytetasit pas eksperiencës me Shkëndijen e Tetovës, aty ku u aktivizua edhe në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ndërkohë, një tjetër goditje mund të konsiderohet edhe firma me Laorent Shabanin. 26- vjeçari, që ka qenë pjesë e Shpresave të Shqipërisë duke numëruar dy paraqitje me kuqezinjtë, u afrua pasi përfundoi aventurën në Suedi aty ku aktivizohej me Varbergs, teksa ishte në pronësinë e Norkonping. Shabani, pritet t’i ofrojë teknikut Oltijon Kërnaja më shumë opsione në repartin ofensiv pasi aktivizohet në të dyja krahët e sulmit, më së shumti në të majtë aty ku alternativë e vetmi ishte Vusal Isgandarli.
Nga ana tjetër, Partizani mbylli me sukses marrëveshjet edhe me Seku Sidibe. Një emër që mbetet për t’u parë teksa në dy ndeshjet e para me kryeqytetasit ka dhënë sinjale pozitive, madje në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Egnatias dhuroi edhe një asist për golin e dytë të Isgandarli. Ndërkohë, në këtë sesion të merkatos, 17-herë Kampionëve të shqipërisë, iu bashkua edhe David Fadairo. Sulmuesi i krahut të djathtë, ishte pjesë e Teutës në gjysmën e parë të kampionatit ndërsa do të provojë të “ndezë” në kryeqytet. Ndërkaq, vlen të përmendet edhe rikthimi i Valentino Muratajt, një mesfushori me shumë eksperiencë në kampionatin shqiptar dhe që e njeh mjaft mirë ambientin e të kuqve duke qenë se është rritur në akademinë e Partizanit si dhe është shpallur kampion në sezonin 2022-2023.
Ndërkohë, nga skuadra u larguan Viktor Sa Silva, Xhudah Garsia, ndërsa në huazim u dërguan Mateo Shanaj, Skënder Tahri, Bintsuka si dhe mesfushori Kazim. Kështu, pas këtij sesioni të merkatos, organika e Partizanit duket gati dhe lojtarëve e stafit teknik u mbetet ta tregojnë në fushë se deri ku do të mbërrijnë. Objektivat tashmë dihen, renditja në zonën e “Final Four”, si dhe triumfi në Kupën e Shqipërisë.
