Wed, Feb 4, 2026

Rama sulmon Shoqatën e Prokurorëve me pretendime të pabaza

Rama sulmon Shoqatën e Prokurorëve me pretendime të pabaza
  • PublishedFebruary 4, 2026

Prej dy ditësh, kryeministri Edi Rama po sulmon gjyqtarët dhe prokurorët, duke pretenduar se, sipas tij, ata po kërkojnë në mënyrë të padrejtë rritje pagash, duke iu referuar një çështjeje në Gjykatën Kushtetuese, ku Shoqata e Gjyqtarëve ka ankimuar interpretimin ligjor për llogaritjen e pagave të magjistratëve.

Në përgjigje ndaj sulmeve publike të kryeministrit, të mërkurën reagoi edhe Shoqata e Prokurorëve, duke kërkuar që “gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik”.

Kryeministri u përfshi në polemikë me shoqatën, duke pretenduar fillimisht se ajo nuk ishte e regjistruar ligjërisht.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, por brenda afatit për regjistrim…”, shkroi fillimisht Rama në platformën X.

Por, pasi gazetari Isa Myzyraj publikoi dokumentin e regjistrimit në gjykatë, Rama në një status të dytë shkroi se “…dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, por duhet bërë edhe te tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”.

Shoqata e krijuar rishtazi disa muaj më parë rezulton e regjistruar në të gjitha hallkat ligjore, siç tregojnë dokumentet publike të Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe siç i pohoi BIRN-it kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Gëzim Spahiu.

“Regjistrimi formal sipas ligjit është bërë plotësisht, jemi pajisur me NIPT dhe rezultojmë si subjekt tatimpagues që nga fundi i dhjetorit 2025”, tha Spahiu.

Një zëdhënëse e Drejtorisë së Tatimeve nuk pranoi të kthente përgjigje të shpejtë nëse ky subjekt rezultonte si tatimpagues, ndërsa zyra e shtypit pranë Kryeministrit nuk bëri koment, e pyetur nëse Rama tërhiqej nga deklaratat pas publikimit të dokumenteve që rrëzonin pretendimin e tij.

Por rasti ngre një shqetësim të hershëm për shpërndarjen e lajmeve të pabazuara në fakte dhe keqinformuese nga qeveria.

“Ne e kemi thënë me kohë, qeveria dhe agjencitë publike janë, në fakt, shpërndarësit ndër më të mëdhenjtë të dezinformatave dhe lajmeve të rreme”, i tha BIRN-it Myzyraj, i cili është kryetar i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

Sipas tij, jo rrallëherë edhe vetë kryeministri është shpërndarës i dezinformatave; rasti i fundit është përpjekja për të thelluar sulmin ndaj Shoqatës së Prokurorëve dhe deklaratat e tij se kjo shoqatë nuk është e regjistruar.

Por ai shtoi se detyra e mediave është të verifikojnë faktet edhe për deklaratat e kryeministrit.

“Në fakt, kryeministri edhe mund të gënjejë; janë mediat dhe gazetarët që e kanë për detyrë të tregojnë të vërtetën dhe të bëjnë fact-check për gjithçka”, theksoi Myzyraj.