Thu, Feb 5, 2026

“Kemi ekip cilësorë”, Juljan Shehu analizon sfidën me Poloninë: Ja ku vendoset (VIDEO)

“Kemi ekip cilësorë”, Juljan Shehu analizon sfidën me Poloninë: Ja ku vendoset (VIDEO)
  • PublishedFebruary 5, 2026

Më 26 mars, në Varshavë, Shqipëria luan një nga sfidat më të rëndësishme në historinë e futbollit kuqezi, kjo pasi për herë të parë ka shansin real të shkojë në një Botëror, por fillimisht duhet të kalojë pengesën e parë, mbase më të vështirën, Poloninë. Juljan Shehu, mesfushori shqiptar, në një intervistë për mediat polake komentoi këtë përballje, si një nga lojtarët që e ka të qartë se çfarë rivali dhe çfarë ndeshje pret përballë Polonisë:

“Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Mendoj se do të vendoset nga detajet e vogla. Polonia ka një avantazh të lehtë sepse luajnë në shtëpi dhe kanë mbështetjen e tifozëve. Unë e di se si janë tifozët polakë, se si i përkrahin klubet, në këtë rast Kombëtaren, dhe kjo është diçka që ata e kanë në avantazh”, u shpreh Shehu.

Mesfushori kuqezi u ndal më pas te roli i tij në Kombëtare i cili është ndryshe në raport me ekipin e tij, Widzew Lódź: “Roli im nuk është aq i ngjashëm, sepse në Widzew kam më shumë detyra sulmuese se sa në ekipin kombëtar. Por kjo varet nga fakti se si duan trajnerët që të luajnë dhe nga taktikat që kanë. Unë jam një lojtar që mund të luajë në të dyja këto pozicione. Po përpiqem të bëj më të mirën për klubin dhe për ekipin tim kombëtar”.

Ndër të tjera, në intervistën e tij për mediat në Poloni, Shehu u pyet edhe në lidhje me stilin e lojës të ekipin përfaqësues, në sytë e tyre italian: “Trajneri jonë ka punuar më parë me trajnerë italianë, si Mançini, dhe kemi shumë lojtarë në Itali. Nuk mendoj që kemi cilësi vetëm në mesfushë. Ne kemi cilësi në çdo pjesë të fushës. Kemi lojtarë shumë të mirë. Por kemi stil italian, kjo është e vërtetë”, u shpreh ndër të tjera Juljan Shehu.