Thu, Feb 5, 2026

Lajme të mira nga infermieria, Dinamo e plotë para derbit

Lajme të mira nga infermieria, Dinamo e plotë para derbit
  • PublishedFebruary 5, 2026

Dinamo do të përballet të shtunën me Tiranën në kuadër të Superiores, ku bardheblutë janë pritës në këtë takim. Forma që Dinamo po kalon, e ka kthyer fitoren në derbi në detyrim për skuadrën e Dajës, në mënyrë që të afrohet me vendet e para, ose të paktën të mos humbasë më shumë terren nëse rivalët arrijnë të fitojnë ndeshjet e tyre.

Në katër ndeshjet e para të këtij viti në Superiore, Dinamo ende nuk e ka gjeutr rrugën e rrjetës, e për më tepër ende nuk ka marrë asnjë fitore që e ka bërë ta shohë veten 8 pikë nga vendi i parë që tashmë mbahet nga Vllaznia. Dëmtimet e shumta dhe mungesat janë kthyer në problem për Dinamon, por para derbit situata duket më pozitive në kampin blu duke qenë se do të ketë rikthime të rëndësishme.

RIKTHIMET- Gudiabi ka shlyer dënimin pasi kishte plotësuar numrin e katër kartonëve dhe pritet të jetë gati për sfidën e së shtunës ndaj Tiranës. Mesfushori ka qenë protagonsit këtë sezon, por edhe në të shkuarën me blutë dhe rikthimi i tij është lajm i mirë për Dajën. Ndërkohë, me shumë gjasa do të rikthehet edhe Naser Aliji i cili nuk pritet ta nisë titullar, por do të jetë në stol dhe nëse gjërat shkojnë mirë për skuadrën, ai mund të marrë disa minuta për të testuar gjendjen e tij fizike dhe për të marrë pak më shumë ngarkesë.

MUNGESAT- Mungesa të konfirmuara janë tashmë ato të Hoxhës i cili nuk ka luajtur asnjë sfidë këtë sezon si edhe e Bekim Maliqit, që në sfidën ndaj Besës në Kupë, këputi ligamentin dhe ka mbyllur sezonin. Në dyshim për këtë takim është edhe Ledio Beqja. Mesfushori është preferuar nga Daja disa herë këtë sezon duke luajtur edhe në pozicione të tjera, por një dëmtim në gju nuk e ka lejuar të stërvitet normalisht me skuadrën dhe me shumë gjasa do të jetë jashtë në derbi.