Sat, Feb 7, 2026

Genardi publikoi Sonidën gjysmë zhveshur, Ministria e Shëndetësisë: Vëlla e motër shtrohen në Psikiatri

Genardi publikoi Sonidën gjysmë zhveshur, Ministria e Shëndetësisë: Vëlla e motër shtrohen në Psikiatri
  • PublishedFebruary 7, 2026

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga Genard Hajdini, ku shfaqej motra e tij Sonida gjysmë e zhveshur, shkaktuan reagime të forta në opinionin publik dhe ngritën shqetësime serioze për gjendjen e saj. Videoja, e cila u përhap me shpejtësi në rrjet, nxiti thirrje të menjëhershme për ndërhyrjen e institucioneve përkatëse.

Pas publikimit të pamjeve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale reagoi zyrtarisht, duke bërë të ditur se strukturat sociale të Njësisë Administrative nr. 2, në bashkëpunim me mjekët e Qendrës Shëndetësore dhe Policinë e Shtetit, ndërhynë për të vlerësuar nga afër gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të Sonida Hajdinit.

Autoritetet shëndetësore konfirmuan gjithashtu se Sonida Hajdini ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, duke sqaruar se ajo kishte qenë më parë e shtruar në Spitalin e Shëndetit Mendor dhe më pas ishte lënë për trajtim ambulator.

Aktualisht, si Sonida ashtu edhe vëllai i saj, Genard Hajdini, ndodhen të shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës, ku po marrin trajtim më të specializuar. Ndërkohë, institucionet përkatëse pritet të hartojnë një plan masash për monitorimin e vazhdueshëm të të dyve, me qëllim garantimin e kujdesit dhe mbrojtjes së tyre.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Pas publikimit në faqen e Instagram-it të shtetasit G.H., ku shfaqej në mënyrë të papërshtatshme motra e tij, shtetasja S.H., menjëherë nga strukturat sociale vendore të Njësisë Administrative nr. 2, së bashku me stafin mjekësor të Qendrës Shëndetësore nr. 1 dhe oficerët e policisë të Komisariatit nr. 1, u bë vlerësimi i gjendjes së shtetases S.H.

Gjatë intervistimit, u shpreh se videoja kishte si qëllim ndjekjen virale të vetë personazhit dhe jo elementë dhune apo qëllime dashakeqësie. Videoja është fshirë nga vetë G.H., pas urdhrit të menjëhershëm të policisë.

Strukturat shëndetësore bënë gjithashtu të mundur edhe injektimin e medikamenteve shëndetësore, pasi nga qëndrimi para dy javësh në Spitalin e Shëndetit Mendor në Tiranë, ishte lënë përgjegjësi për trajtim ambulator, i cili ofrohej nga një kujdestare e vendosur nga të afërmit e dy personave.

Aktualisht, ata ndodhen të shtruar për një shërbim më të specializuar mjekësor në spitalin psikiatrik të Tiranës, ndërsa nga ana e organeve kompetente materialet janë referuar në prokurori, sipas edhe rekomandimit tonë.

Struktura e NJNVR-së së Njësisë nr. 2, së bashku me Drejtorinë e Mbrojtjes Sociale në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut Tiranë, do të mblidhen për hartimin e planit të masave për monitorimin e vazhdueshëm të dy personave me lidhje gjaku (motër dhe vëlla), ku do të kërkohet edhe mbështetje nga organet kompetente për hetime të mëtejshme, për shkak të dyshimit për konsumimin e veprës penale të shfrytëzimit të një personi me aftësi ndryshe.