82 gola në 90 ndeshje, Mbappé shkruan historinë te Reali
Kylian Mbappé po lë gjurmë të menjëhershme në historinë e Real Madridit. Sulmuesi francez ka realizuar 82 gola në 90 paraqitjet e tij të para me fanellën e “Los Blancos”, një ritëm që e vendos mes emrave më të mëdhenj që kanë veshur këtë fanellë.
Në historinë e klubit madrilen, vetëm dy futbollistë kanë pasur nisje më të mirë pas 90 ndeshjeve të para: Ferenc Puskás me 96 gola dhe Cristiano Ronaldo me 86. Mbappé renditet i treti në këtë klasifikim, duke lënë pas legjenda si Alfredo Di Stéfano (73 gola), Hugo Sánchez (63), Ruud van Nistelrooy (62) dhe Ronaldo Nazário (61).
Sezoni aktual po konfirmon formën e tij të lartë. Mbappé ka shënuar 38 gola në total, prej tyre 23 në La Liga, duke u futur në garë për “Këpucën e Artë”. Ai numëron 46 pikë, dy më pak se Harry Kane dhe katër më pak se Erling Haaland. Në aspektin statistikor, francezi ka shtuar edhe pesë asiste, ndërsa Kane ka të njëjtin bilanc golash e asistesh, por me dy ndeshje më shumë të zhvilluara. Haaland, nga ana tjetër, ka realizuar 28 gola në 36 paraqitje këtë sezon.
Që nga transferimi i tij në verën e vitit 2024, Mbappé ka ngushtuar edhe diferencën me Vinícius Jr. Braziliani kishte 84 gola me Realin që nga viti 2018, por në një vit e gjysmë francezi ka shënuar 82, duke theksuar ndikimin e tij të menjëhershëm në “Santiago Bernabéu”.
