Bad Bunny në rrezik në Super Bowl, refuzoi të mbante rrip sigurie gjatë performancës
Bad Bunny ka hyrë në histori me performancën e tij në “Apple Music Super Bowl Halftime Show 2026”, duke u bërë artisti i parë që realizoi të gjithë shfaqjen në gjuhën spanjolle. Spektakli i tij u cilësua si një nga më të komentuarit ndonjëherë, ndërsa prapaskenat zbuluan detaje surprizuese për përgatitjet intensive.
Regjisori i programit, Hamish Hamilton, e përshkroi projektin si një nga më sfiduesit në karrierën e tij, duke theksuar përkushtimin maksimal të ekipit. Sipas tij, Bad Bunny ishte i vendosur që çdo element ta realizonte sipas kushteve të veta, madje duke refuzuar edhe përdorimin e rripit të sigurisë gjatë një prej momenteve më të rrezikshme të natës.
Artisti porto-rikan u ngjit në një shtyllë të lartë pa mbrojtje anësore, ndërsa pajisjet e sigurisë ishin të gatshme. Megjithatë, ai deklaroi se nuk kishte nevojë për to. Kjo situatë krijoi shqetësime ligjore për produksionin, por njëkohësisht mundësoi realizimin e pamjeve unike filmike, pasi kamera u vendos drejtpërdrejt në shtyllë për ta ndjekur nga afër.
Drejtoresha kreative, Harriet Cuddeford, bëri të ditur se Bad Bunny i realizoi vetë të gjitha akrobacitë dhe i mësoi ato me shpejtësi. Ajo shtoi se, ndonëse gjatë provave kishte tension, artisti u ngjit me vetëbesim dhe vazhdoi të këndonte live pa asnjë problem.
Një tjetër moment spektakolar ishte “rënia” përmes çatisë së “La Casita”, e cila rezultoi të ishte një efekt i kontrolluar teknikisht. Në skenë u bashkuan edhe emra të njohur si Pedro Pascal, Cardi B, Jessica Alba, Karol G dhe Young Miko, ndërsa surpriza kulmoi me Lady Gagan dhe Ricky Martin, duke e kthyer natën në një festë të vërtetë latine.
