Pas skandalit korruptiv, PS propozon ‘privatizimin’ e tenderave të AKSHI
Me firmën e një deputeti socialist, Kuvendi i Shqipërisë pritet të marrë në shqyrtim një nismë ligjore që synon transferimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, tek një shoqëri aksionere me pjesmarrje publike dhe private.
Sipas projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputeti i PS, Erjon Malaj, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk do të kryejë më prokurime dhe të lidhë kontrata për mirëmbajtjen e platformave dhe sistemeve digjitale të vendit – duke ia transferuar këto detyra një shoqërie TIK, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve.
Erjon Malaj është një deputet i ri në Kuvendin e Shqipërisë dhe projektligji i depozituar prej tij në Kuvend vjen pas hetimit të bujshëm të Prokurorisë së Posaçme, që zbuloi ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal në krye të AKSHI, i akuzuar se kontrollonte tenderat prej dhjetra milionë euro të instraktukturës digjitale të shtetit. Mes të akuzuarve gjenden biznesmeni kontrovers, Ergys Agasi dhe drejtoresha jetëgjatë e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.
Megjthatë, praktika e ndryshimeve të diskutueshme ligjore përmes propozimeve të deputetëve socialistë nuk është e re dhe është aplikuar disa herë gjatë legjislaturës së kaluar. Njëkohësisht, mazhoranca socialiste po shkon së fundmi drejt menaxhimit me shoqëri aksionere publike dhe private në disa sektorë të ndjeshëm, përfshi edhe atë të mbrojtjes.
Projektligji i depozituar në Kuvend kërkon shfuqizimin e disa pikave në nenet 4 dhe 29 të ligjit “Për qeverisjen elektronike”, ku parashikohen kompetencat e AKSHI në kryerjen e prokurimeve të qendërzuara dhe lidhjen kontratave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të teknologjisë së informacionit.
Po ashtu, AKSHI-t i hiqet detyrimi për prokurimet e klasifikuara si “sekret shtetëror” për institucionet e administratës shtetërore dhe ato në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe prokurorimet e tjera sipas kërkesave të institucioneve.
Për të kryer këtë detyrë propozohet të krijohet një shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, e krijuar ose e autorizuar nga AKSHI për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike.
Në përcaktimin e funksioneve, AKSHI-it i njihen vetëm ushtrimi i funksione të natyrës: standardizuese teknike, arkitekturore të sistemeve dhe të mbështetjes teknike dhe monitorimit të sistemeve të qeverisjes elektronike.
Ndërkohë, sistemet, platformat ose infrastruktura e Teknologjisë së Informacionit do të kalojnë, sipas nismës, “në administrim të shoqërive operatore TIK për qëllime zhvillimi, operimi ose mirëmbajtjeje”.
Institucionet publike përfituese do të paguajnë shoqëritë operatore TIK në bazë kontratash shërbimi për shërbimet e mirëmbajtjeve të sistemeve të tyre.
Normat shumë të larta të fitimeve neto në raport me të ardhurat janë në fakt tipar dallues i subjekteve ekonomike që kanë fituar prokurime publike nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, një zyrë nën varësinë e kryeministrit, e cila merret me infrastrukturën digjitale të shtetit.
Drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe disa personave të tjerë.
