Adeyemi sërish në qendër të kritikave, paraqitja në klipin e Loredanës irriton Dortmundin
Karim Adeyemi është rikthyer në vëmendjen e mediave gjermane, por jo për paraqitjet me fanellën e Borussia Dortmund. Sulmuesi 24-vjeçar ka shkaktuar debat pas pjesëmarrjes në videoklipin më të ri të bashkëshortes së tij, reperes Loredana.
Futbollisti ka ndarë në profilin e tij në Instagram një pjesë nga projekti muzikor, ku shfaqet në disa skena të klipit. Një nga fragmentet që ka tërhequr më shumë vëmendje përfshin vargun: “Pumpgun, situata po bëhet e rëndë. Haaland ka të njëjtën vlerë tregu si Adeyemi”, referencë që ka nxitur reagime të shumta në rrjet.
Sipas raportimeve të “Bild”, drejtuesit e Borussia Dortmund nuk kanë qenë në dijeni paraprakisht për përfshirjen e lojtarit në këtë projekt. Edhe pse aktivitetet jashtë fushës konsiderohen çështje personale, momenti i publikimit dhe ekspozimi mediatik nuk janë pritur mirë në ambientin verdhezi.
Adeyemi ka qenë më herët objekt kritikash, përfshirë episodin e ashtuquajtur “mystery box” si dhe një incident ku refuzoi t’i japë dorën trajnerit Niko Kovac. Kjo paraqitje e fundit duket se ka shtuar presionin ndaj tij, në një periudhë kur forma dhe përqendrimi i lojtarit janë nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Pjesëmarrja në videoklip ka hapur diskutime mbi balancën mes jetës private dhe përgjegjësive profesionale, ndërsa mbetet për t’u parë nëse klubi do të reagojë zyrtarisht ndaj situatës.
