Thu, Feb 12, 2026

Biznesmeni italian erdhi në Shqipëri për të ngushtuar stomakun në Trita Hospital dhe nderroi jetë! Media italiane: I zhdukën organet!

Biznesmeni italian erdhi në Shqipëri për të ngushtuar stomakun në Trita Hospital dhe nderroi jetë! Media italiane: I zhdukën organet!
  • PublishedFebruary 12, 2026

Massimo Ferro, sipërmarrës 54-vjeçar nga Camposampiero, ka ndërruar jetë më 22 dhjetor në Shqipëri, pak ditë pas një ndërhyrjeje të rezeksionit gastrik të kryer në një Trita Hospital në Tiranë.

Hetimet për vdekjen e Massimo Ferro, sipërmarrës 54-vjeçar nga Camposampiero, i cili vdiq më 22 dhjetor në Shqipëri, pak ditë pas një ndërhyrjeje të rezeksionit gastrik të kryer në një klinikë private Trita Hospital vijojnë në dy drejtime paralele, mes Tiranës dhe Padovës.

Të hënën e kaluar, me urdhër të Prokurorisë së Padovës, mjeku ligjor Antonello Cirnelli ka kryer një autopsi të dytë, pas asaj të realizuar në Shqipëri një ditë pas vdekjes, e cila kishte ndodhur në fillim të janarit.

Rezultatet e dy ekzaminimeve do t’i nënshtrohen një pune delikate krahasimi, me qëllim sqarimin nëse vdekja lidhet me shkaqe natyrore apo me komplikacione të mundshme të lidhura me ndërhyrjen kirurgjikale ose me menaxhimin pas operacionit.

 

Autopsia italiane
Ekzaminimi autopsise se kryer në Itali ka mundur të japë vetëm elementë të pjesshëm: gjatë analizës mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës, të cilat ishin hequr tashmë gjatë ekzaminimit të kryer në Tiranë. Trupi, gjithashtu, do të ishte rikompozuar duke përdorur ind leshi, një procedurë që sot konsiderohet e tejkaluar dhe jo në përputhje me standardet e mjekësisë ligjore moderne. Ndërkohë, Prokuroria e Padovës ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare që të përcillet e gjithë kartela klinike. Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, prokurori i Padovës Andrea Girlando ka regjistruar në regjistrin e të hetuarve kirurgun dhe dietologun, të dy lombardë, të lidhur me itinerarin klinik të ndjekur nga sipërmarrësi përpara udhëtimit.

Fjalët e avokates
Avokatja Jenny Lopresti, përfaqësuese ligjore e familjes së bashku me avokatin Stefano Squarise, konfirmon se trupi i Ferro-s megjithatë ka mbërritur në Itali në gjendje të mirë konservimi dhe se autopsia në Shqipëri ishte urdhëruar një ditë pas vdekjes dhe ishte kryer në fillim të janarit. «Do të jetë thelbësore të rindërtohet i gjithë itinerari mjekësor — thekson avokatja Lopresti —.

Ferro ishte vizituar më 6 dhjetor në Milano dhe ishte operuar më 18. Duhet të verifikohet nëse janë kryer të gjitha ekzaminimet para-operative të parashikuara nga protokollet, përfshirë profilaksinë antibiotike, dhe nëse pacienti i është nënshtruar edhe bisedave psikologjike (për momentin nuk rezultojnë) dhe vlerësimit multidisiplinar të kërkuar për këtë lloj ndërhyrjeje».

Shtrimi në Tiranë
Nën vëzhgim është edhe shtrimi i mëpasshëm në spitalin publik të Tiranës, ku 54-vjeçari ishte transferuar pas komplikacioneve të para. Massimo Ferro, i prekur nga diabeti i tipit II dhe i vendosur për të humbur peshë pas vitesh përpjekjesh të pasuksesshme, i ishte drejtuar një klinike private në Milano, e cila i kishte propozuar një Sleeve Gastrectomy për t’u kryer në Shqipëri, në Trita Hispital, strukturë të cilësuar si «e binjakëzuar».

Kostoja e ndërhyrjes, 4.400 euro, ishte rreth dhjetë mijë euro më e ulët se ajo e kërkuar në Itali. Kontaktet me kirurgun do të kishin ndodhur kryesisht përmes WhatsApp-it, elemente këto që janë gjithashtu nën shqyrtimin e hetuesve. Pas operacionit, gjendja e burrit do të ishte përkeqësuar, deri në vdekjen e ndodhur më 22 dhjetor në repartin e Reanimacionit të spitalit të Tiranës. Familja, e shkatërruar nga dhimbja, tani kërkon të dijë të vërtetën.