“Ishte dhuratë nga Zoti”: Miqtë rrëfejnë ditët e fundit me James Van Der Beek
Aktori i njohur James Van Der Beek është ndarë nga jeta në moshën 48-vjeçare, i rrethuar nga familja dhe miqtë e tij më të afërt. Lajmin e trishtë e bëri të ditur bashkëshortja e tij, Kimberly Van Der Beek, më 11 shkurt, përmes një postimi në Instagram, ku tregoi se ai i përjetoi ditët e fundit “me guxim, besim dhe hijeshi”. Aktori kishte bërë publike në vitin 2024 diagnozën e tij me kancer kolorektal, një sëmundje me të cilën kishte luftuar për më shumë se një vit.
Pas publikimit të lajmit, shumë miq dhe kolegë reaguan me mesazhe prekëse. Alfonso Ribeiro, mik i ngushtë i aktorit, shkroi se ishte me fat që arriti t’i thoshte lamtumirë. Në një homazh emocional, ai u shpreh se ishte “zemërthyer” dhe se kishte qëndruar pranë James gjatë gjithë betejës me kancerin, duke përjetuar së bashku momentet e shpresës dhe rikthimet e sëmundjes. Ribeiro theksoi se James dhe Kimberly kishin ndryshuar jetën e tij dhe se ai do të jetë gjithmonë pranë fëmijëve të tyre.
Edhe aktori Mehcad Brooks ndau dhimbjen e tij, duke thënë se ishte nder i madh të kalonte ditët e fundit pranë mikut të tij. Ndërkohë, Stacey Keibler publikoi një foto prekëse me James-in, ku ai shfaqej në karrige me rrota duke soditur perëndimin e diellit. Ajo e përshkroi kohën e kaluar me të si një “dhuratë nga Zoti”, duke theksuar se momentet e fundit ishin të mbushura me qetësi, reflektim dhe dashuri.
James Van Der Beek do të kujtohet për talentin e tij, forcën në përballjen me sëmundjen dhe dashurinë që la pas.
![]()
