Sat, Feb 14, 2026

Rikuperim i rëndësishëm, lideri i Dinamos rikthehet pas 3 muajsh mungesë

Rikuperim i rëndësishëm, lideri i Dinamos rikthehet pas 3 muajsh mungesë
  • PublishedFebruary 14, 2026

Naser Aliji ka lënë pas dëmtimin e pësuar muaj më parë dhe më në fund është rikthyer në fushën e blertë. Mbrojtësi i Kombëtares mori disa minuta në takimin ndaj Tiranës, i vlefshëm për Kupën e Shqipërisë, duke shtuar në këtë mënyrë alternativat për trajnerin Daja, i cili këtë sezon në shumë pak ndeshje ka pasur mundësi të ketë skuadrën e plotë.

Dëmtimet në njërën anë e kartonët e kuq në anën tjetër, shpesh herë e kanë lënë skuadrën e Dinamos të cunguar, megjithëse zgjedhjet nuk kanë munguar edhe në stolin e rezervave, pasi Dinamo ka qenë një nga skuadrat më të kompletuara në çdo repart. Aliji luajti ndeshjen e fundit në nëntor kundër Elbasanit, vetëm 6 ditë pasi kishte luajtur 90 minuta kundër Anglisë.

Më pas, u detyrua të shkonte në Gjermani për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, për shkak të shqetësimeve që kishte me pubalgjinë. Aliji u detyrua të qëndronte jashtë fushave për disa muaj. Megjithëse mendohej një rikthim më i shpejtë në fushë, Alijit iu desh të presë 3 muaj për të shkelur sërish. Fillimisht ishte menduar se Aliji do të rikthehej në janar, por gjatë stërvitjeve të para me skuadrën, mbrojtësi ndjeu sërish shqetësime dhe u detyrua të niste seanca fizioterapie sërish, për të qenë gati në këtë pikë të kampionatit, ku mund të konsiderohet padyshim pika më kulminante.

DINAMO- Aliji ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm për skuadrën e Dinamos në sezonet e fundit. Këtë vit, mbrojtësi ka luajtur 8 ndeshje, teksa sezonin e shkuar e ka mbyllur me 33 takime të zhvilluara, ku natyrisht ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm që kontribuoi jo pak si në Kupën e Shqipërisë ku Dinamo fitoi trofeun, ashtu edhe në ndeshjet e Ligës së Konferencës.

Rolin natyral, Aliji e ka mbrojtës të majtë megjithatë te Dinamo ka luajtur si qendërmbrojtës dhe tani pritet me interes vendi që do të zërë në formacion, pasi dyshja DitaTeikseira po bëjnë mirë në qendrën e mbrojtjes.