Sun, Feb 15, 2026

Shijaku i piktorëve: Një qytet i vogël me dashuri të madhe për artin

Shijaku i piktorëve: Një qytet i vogël me dashuri të madhe për artin
  • PublishedFebruary 15, 2026

Një grup nxënësish në shkollat 9-vjeçare të qytetit të Shijakut po hedhin hapat e parë për realizimin e një filmi vizatimor. Mësuesi i tyre i lëndës, ka punuar për 15 vite në Kinostudio, pikërisht  në sektorin e filmit të animuar.

Mbi të gjitha, mësues Ergysi mban mbiemrin e një prej figurave më të shquara të artit dhe kulturës në qytetin e vogël.

Gusti, siç e thërrasin të gjithë, bashkë me Arditin janë djemtë piktorë të artistit të ndjerë Agim Faja.

I njohur në shkallë vendi si piktor e ilustrues, por edhe si studiues i historisë së qytetit, nga ku nuk u largua asnjëherë, Agim Faja kishte fituar nga bashkëqytetarët e tij statusin e profetit të artit.

Jeta artistike dhe kulturore e Shijakut mbante vulën e tij, ndërsa të rinjtë gjithnjë e më tepër e lidhën të ardhmen e tyre, veçanërisht me pikturën.

Ekspozitat e artistëve të penelit, që i bashkon mbiemrin Faja arrijnë shifrën 13 paraqitje personale dhe kolektive.

Rrënjët antike të qytetit

Pullë e vitit 1973 e pikturuar nga Agim Faja

Superstrada Durrës-Tiranë e largoi më tej Shijakun nga kryeqyteti dhe nga qyteti bregdetar, me të cilin ka qenë i lidhur administrativisht.

Megjithatë, kjo nuk i ka ndaluar arkeologët t’i kërkojnë lidhjet e tij me antikitetin.

“Qytetin kohët e fundit kanë nisur ta thërrasin me emrin e hershëm “Shën Jak”, që nga kërkimet e arkeologëve Halil Myrto dhe Fatos Tartari,” tha për BIRN prof. as. dr. Brikena Shkodra.

“Më vonë ato u përmblodhën në antologjinë historike “Shijaku përgjatë viteve” nga Agim Faja,” shtoi ajo.

I kujtoj takimet me prof Agimin, si dhe merakun që ai kishte për historinë e qytetit shprehet ajo.

Vitin e kaluar arkeologia Shkodra ka zbuluar elementët e një vilë romake të shek 2 të erës sonë, në kodrën e çallikëve të fshatit Likesh, shumë pranë Shijakut.

Po ashtu, kanë dalë në dritë edhe vaskat për prodhimin e vajit të ullirit, si një veprimtari e rëndësishme ekonomike në antikitet.

“Ujrat e lumit Erzen shfrytëzoheshin për ujësjellësin mesjetar, i cili furnizonte qytetin e Durrësit,” shpjegoi Shkodra.

Periudha e artë e artit të pikturës

Bashkia e Shijakut numëron mbi 27 mijë banorë, por vetë qyteti ka ma pak se gjysmën e këtij numri.

Ergys Faja tha për BIRN, se nga ky qytet i vogël deri në vitin ’90 janë diplomuar në shkollën e mesme artistike të Durrësit mbi 50 nxënës, ndërsa 20 të tjerë kryen studimet e larta në Universitetin e Arteve.

Shijaku filloi të njihej për vlerat e piktorëve, por edhe për kulturën qytetare.

Piktori i njohur shijakas Dashamir Gurabardhi jeton në New York (SHBA). Ai vjen çdo vit për të marrë pjesë në kolonitë e piktorëve, që organizohen në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Sipas piktorit, që vazhdon ta ndjekë jetën kulturore të Shijakut, në vitet ’70-’80 Universitetin e Arteve e kanë përfunduar mjaft piktorë të njohur në shkallë vendi, si Luan Berhami, Abaz Hado, Aqif Keço, Albert Dedja, Albert Malltezi, Kujtim Milaqi, Valbona Seferi, Ermir Llaftiu e shumë e shumë të tjerë.

“Kam ndjekur analizën e veprës “Shqipëria vallzon”, tablo e mjeshtrit Abdurrahim Buza; më ka bërë përshtypje për nivelin mjaft të mirë të diskutimit të nxënësve të shkollës së mesme,” tha  për BIRN Gurabardhi, duke kujtuar mbrëmjen e përgatitur në Shijak nga Gent Faja, një tjetër përfaqësues piktor i dinastisë Faja.

Të rinjtë shijakas janë vlerësuar edhe për thellimin e analizës në sistemin heraldik të qyteteve shqiptare, sektor në të cilin edhe artisti Dashamir Gurabardhi në vitin 1997 ka punuar emblemën dhe stemën e Shijakut, që ka zënë vend në hyrje të bashkisë .

Mungesa e galerisë

Një nxënëse shkolle duke vizatuar në Shijak

Artistët që kanë preferuar të jetojnë në qytetin buzë lumit Erzen kanë filluar ta ndjejnë mungesën e interesit të shijakasve për artin e pikturës.

Qytetit i mungon një galeri e arteve pamore.

“Ka qenë pallati i kulturës, por atë e morri xhamia,” thotë Gusti. Ndërkohë, po presim të ndërtohet pallati i ri i kulturës.

“Deri tani punimet i kemi ekspozuar në shkolla, por edhe aty ndjehet lagështira,” shton ai.

Familja Faja nuk ka mundur të ruajë as studion, ku punoi për disa dhjetëvjeçarë, prof Agimi.

“Studion e vjetër e shitëm se i doli pronari, kurse të dytën e shitëm se do të mbijetonim,” thotë me dhimbje Ergysi.

Që pas ndryshimeve shoqërore të viteve ’90, interesi për të ndjekur shkollat artistike ka rënë.

“Vetëm nëntë nxënës kanë vazhduar shkollën e mesme artistike në këtë tre dekada, e shumë pak prej tyre ndoqën degën e pikturës në Universitet,” tha Gusti, sipas të cilit mungon një perspektivë kur i përfundojnë studimet.

Ndërkohë, në mungesë të një galerie artesh, piktorët e Shijakut kanë ekspozuar disa herë në galerinë “Nikolet Vasia” në qytetin bregdetar.

Ergysi, Arditi, Gentiani, Rudi dhe Juliani, që të gjithë me mbiemrin Faja kanë fituar simpatinë e publikut të Durrësit për tablotë me natyrat e qeta, portretet dhe kompozimet me tema nga rrethinat e vendlindjes së tyre.

“Në krye të ekspozitave në qytetet ku janë mysafirë, dinastia e të rinjve piktorë Faja instalon gjithmonë disa nga veprat e prof. Agimit, mësuesit që i mësoi të hedhin penelatat e para mbi telajo dhe ta duan qytetin e tyre,” përfundoi Gent Faja.