E bujshme nga Spanja, Perez piketon Mou-n, projekton rikthimin e “Specialit”
Real Madrid kërkon të shmang një dështim spektakolar, kërkon me çdo kusht të kalojë fazën “play-off” në Champions, por përballë kanë një ekspert si Jose Mourinho dhe një ekip me shumë traditë si Benfika. Në vigjilje të sfidës së parë ndërmjet tyre, për të ndezur edhe më shumë këtë përballje ka menduar e përditshmja spanjolle AS, me këtë të fundit që sjell një prapaskenë të bujshme.
Sipas AS, presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, ka vendosur Jose Mourinho-n në majën e listës së dëshirave për sezonin e ri, kjo pasi bosi madrilen është në kërkim të një profili të fortë për post Arbeloa. Pasi dështoi me Alonso-n është e qartë se Arbeloa është një trajner provizor, në fund të këtij sezoni do të kërkojë një timonier të ri dhe Mourinho shihet si profili ideal.

Nga ana e tij, Mourinho ka të përfshirë në kontratë një klauzolë që e lejon të largohet nga Benfika 10 ditë përpara përfundimit të sezonit, pa penalitete dhe pa kosto. Perez kërkon të përfitojë pikërisht nga ky detaj për të rikthyer edhe një herë në Madrid teknikun portugez. Mourinho është një trajner që pëlqehet shumë në Madrid nga tifozët, ka ruajtur me ta një marrëdhënie speciale.
