Alba Pollozhani reagon pas akuzave të Labit për telefonin: Nëse do përdorja telefon do dilja nga Big-u?
Në vijim të zhurmës së krijuar pas deklaratave të Labinot Rexhës, Alba Pollozhani ka reaguar ashpër, duke vendosur të flasë hapur për akuzat që po qarkullojnë në adresë të saj pas largimit nga Big Brother VIP Kosova 4.
Ish-banorja ka shpërthyer në rrjetet sociale, ku i ka quajtur pretendimet për përdorim të telefonit brenda shtëpisë si thashetheme dashakeqe dhe fyerje të drejtpërdrejta ndaj inteligjencës, karakterit dhe strategjisë së saj të lojës. Sipas Albës, këto akuza nuk kanë asnjë bazë reale dhe po përdoren vetëm për të njollosur imazhin e saj pas përfundimit të eksperiencës në reality show.
Ajo argumenton se nëse do të kishte pasur qasje në informacion nga jashtë, do ta njihte shumë mirë mbështetjen e publikut dhe nuk do të lejonte, sipas saj, që banorë të tjerë të dilnin të favorizuar gjatë netëve Prime në kurriz të lojës së saj. Alba thekson se gjithë rrugëtimi i saj ka qenë i pastër, pa hile dhe pa nevojë për manipulime, duke shtuar se ka hyrë në shtëpi me besim të plotë dhe energji pozitive për atë që fati do t’i sillte.
![]()
Reagimi i saj nuk është ndalur vetëm te akuzat. Alba ka hedhur edhe kunja të forta drejt disa ish-banorëve, të cilët i akuzon se, për pak famë dhe përfitime financiare, kanë humbur parimet dhe dinjitetin personal. Në deklaratën e saj, ajo shprehet se disa njerëz kanë zgjedhur të “shesin shpirtin” për vëmendje momentale.
