Udhëheqësit e Ballkanit thurin lavde për Bordin e Paqes të Trump
Udhëheqës të Ballkanit dhe Turqisë lavdëruan Bordin e Paqes në ceremoninë e inaugurimit në Uashington të enjten – ndërsa pjesëmarrja e një Komisionereje të BE-së nga Kroacia tërhoqi kritika nga disa shtete anëtare të BE-së për praninë e saj.
Teksa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbikëqyrte inaugurimin e Bordit të tij të Paqes të enjten në Uashington, udhëheqësit e vendeve të Ballkanit që i janë bashkuar këtij organi të ri lavdëruan përpjekjet e tij për të ndalur konfliktin në Gaza, i cili ka marrë dhjetëra mijëra jetë dhe ka zhvendosur miliona njerëz që nga tetori 2023.
Trump fillimisht propozoi krijimin e Bordit si pjesë të planit të tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza shtatorin e kaluar, por që atëherë e ka zgjeruar iniciativën për të përfshirë edhe konflikte të tjera në mbarë botën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë fjalës së tij në mbledhjen inauguruese, tha se Shqipëria do të kontribuojë me paqeruajtës në Gaza, duke shtuar se nuk e sheh Bordin e Paqes si një përpjekje të Trump për të zëvendësuar Kombet e Bashkuara, siç kanë sugjeruar disa.
“Nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon për të tundur atë gjigant agonizues dhe inshallah për ta zgjuar, atëherë Zoti e bekoftë Bordin e Paqes,” tha Rama.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e pranishme gjithashtu në ceremoni, e vlerësoi iniciativën e Bordit të Paqes. “Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane,” shkroi ajo në Facebook pas ceremonisë.
Duke folur për ngjarjen vonë të enjten në një televizion kosovar, Osmani përmendi mundësinë që Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK, t’i bashkohet një misioni të mundshëm paqeruajtës në Gaza.
“Vetë FSK-ja ka vlerësuar se do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme për rritjen e saj profesionale për t’u përfshirë në një mision të jashtëzakonshëm përkrah SHBA-së dhe aleatëve të tjerë,” tha Osmani.
Trump përdori ceremoninë për të folur për suksesin e tij në ndërmjetësimin e paqes midis shteteve armiqësore – duke përmendur Kosovën dhe Serbinë si shembull.
“Një shembull: Kosova dhe Serbia. Atë e bëra unë. A mund të ngrihet njëri prej jush kur dëgjoni Kosovën dhe Serbinë? Çfarë pune. Faleminderit shumë. Ju po shkoni mirë – dhe kur nuk shkoni mirë, më telefononi,” tha Trump.
Gjatë mandatit të tij të parë, të dy vendet nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje e Uashingtonit me SHBA-në, por jo me njëri-tjetrin. Zbatimi, megjithatë, ishte i ngadaltë.
Në ceremoninë në Uashington, presidenti i Rumanisë, Nicusor Dan, paraqiti mënyra se si Rumania mund të ndihmojë Gazën dhe theksoi se vendi i tij mban marrëdhënie të mira si me popullin izraelit, ashtu edhe me atë palestinez.
“Sa i përket situatës humanitare, ne mund të rrisim numrin e fluturimeve për të evakuuar fëmijët e sëmurë dhe për t’i trajtuar në spitalet në Rumani. Këtë e kemi bërë tashmë dhe mund ta bëjmë për 1,000 fëmijë dhe 4,000 familjarë të tyre,” tha Dan.
Ai përmendi gjithashtu ekspertizën e Rumanisë në sistemet e reagimit emergjent, bursat për studentët palestinezë dhe përvojën në rindërtimin e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe administratës publike.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i tha takimit se Ankaraja është e gatshme të kontribuojë në Gaza “në çdo mënyrë të mundshme”, përfshirë dërgimin e trupave si pjesë e misionit ndërkombëtar paqeruajtës të udhëhequr nga SHBA-ja.
“Ne kemi një angazhim për të ofruar trajnim për forcat policore për këtë qëllim. Presidenti ynë gjithashtu ka vullnetin për të dërguar trupa në forcën e stabilizimit nëse palët bien dakord,” i tha Fidan agjencisë Anadolu të enjten.
Fidan shtoi se Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj me “një ndjenjë të fortë përgjegjësie” për të ndihmuar në sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon. Turqia u vlerësua gjithashtu në ceremoni nga SHBA-ja.
“Ka pasur bashkëpunim të madh midis presidentëve të vendeve ndërmjetësuese [për konfliktin në Gaza] – Katari, Egjipti dhe Turqia – në këtë proces,” tha në fjalën e tij i dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Përfaqësues të Bullgarisë, Kroacisë dhe Greqisë morën pjesë gjithashtu në ceremoni, por drejtues shtetesh dhe qeverish nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nuk ishin të pranishëm.
Pjesëmarrja e politikanes kroate shkakton deba
Një politikane kroate, Dubravka Suica, Komisionerja Europiane për Mesdheun, mori pjesë në takimin e Bordit të Paqes në emër të Komisionit Europian – duke shkaktuar zemërim nga Franca, anëtare e BE-së.
Franca ka kërkuar shpjegime nga Komisioni Europian për vendimin për të dërguar Komisioneren për Mesdheun si vëzhguese në mbledhjen e parë zyrtare të Bordit të Paqes, duke thënë se ajo nuk kishte “mandat” nga BE-ja për të qenë aty.
“Jemi të habitur sepse nuk ka mandat nga Këshilli për të shkuar dhe për të marrë pjesë në këtë takim të Bordit të Paqes,” tha zëdhënësi i qeverisë Pascal Confavreux në Paris të enjten. “Ajo do të duhet ta shpjegojë këtë kur të kthehet.”
Suica, anëtare e Bashkimit Demokratik Kroat në pushtet, HDZ, nuk ka komentuar mbi mosmarrëveshjen. Megjithatë, ajo ka shkruar disa postime në X për pjesëmarrjen e saj në takimin në Uashington.
“Komisioni i BE-së është gati të punojë me ekipin tuaj në zbatimin e fazës së dytë të Planit të Paqes për Gazën … Ne jemi të përgatitur të rrisim përpjekjet tona për rimëkëmbjen në Gaza dhe të mobilizojmë të gjitha instrumentet e Komisionit në respekt të plotë të parimeve të BE-së,” shkroi Suica në X.
Franca, Belgjika, Spanja, Irlanda, Sllovenia, Suedia dhe Portugalia ishin ndër shtetet anëtare të BE-së që kundërshtuan pjesëmarrjen e Suicës në takim. Por Komisioni Europian të enjten mbrojti praninë e saj.
“Duhet të jemi në tryezë; përndryshe do të jemi vetëm pagues, jo aktorë, në rimëkëmbjen e ardhshme të Gazës,” tha një zëdhënës i Komisionit.
Ndërkohë, kryeministri shqiptar Edi Rama kërkoi të përdorte ngjarjen e Bordit të Paqes për t’i bërë thirrje Trump të “bëjë diçka” për gjykatën me seli në Hagë që po gjykon ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për akuza për krime lufte.
Rama iu drejtua Trump duke thënë se si rezultat i aktakuzës, ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi – një nga katër ish-drejtuesit e UÇK-së në gjyq – “u pengua brutalisht të udhëtonte në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar atë marrëveshje [me presidentin e Serbisë për marrëdhëniet me Kosovën] në prani të Presidentit Trump.
“Dhe kjo ishte vepër e të njëjtit … prokuror që shkoi pas vetë Presidentit Trump,” shtoi Rama, duke iu referuar prokurorit amerikan Jack Smith, i cili punoi në gjykatën e krimeve të luftës në Hagë përpara se të merrej me çështjen kundër Trump në SHBA.
“Sot, presidenti i Kosovës ka kaluar tashmë gjashtë vjet në paraburgim para një gjykate speciale në Hagë, të sponsorizuar nga disa shtete demokratike, disa prej tyre të pranishme këtu që duhet të turpërohen nga ky lloj drejtësie ndërkombëtare,” shtoi Rama.
