Ç’ndodhi? Zhduket nga ‘YouTube’ intervista e Loredanës te Arbana Osmani
Intervista e shumëpërfolur e reperes së njohur Loredana Zefi në podcastin “Mirëmbrëma Yje”, e moderuar nga Arbana Osmani, nuk është më e disponueshme në kanalin zyrtar në YouTube. Episodi, i cili kishte marrë vëmendje të madhe publike për deklaratat e artistes rreth marrëdhënies me ish-partnerin e saj, Mozzik, është fshirë nga platforma, ndërsa deri më tani nuk është dhënë asnjë shpjegim zyrtar për këtë vendim.
Largimi i intervistës ka ngjallur menjëherë reagime dhe diskutime në rrjet, duke shtuar kuriozitetin e publikut mbi arsyet e mundshme të kësaj lëvizjeje. Megjithatë, pavarësisht heqjes së episodit të plotë, në profilin zyrtar të Arbana Osmanit në Instagram vijojnë të jenë të publikuara disa “reels” dhe fotografi nga intervista, ku shfaqen momentet më të komentuara të bisedës.
Intervista ishte realizuar vetëm pak javë pas publikimit të projektit muzikor “Diss*****” nga Mozzik, një këngë që trajtonte tema personale dhe që u shoqërua me reagime të shumta publike.
Gjatë bisedës në podcast, Loredana tregoi se kishte zgjedhur të qëndronte në heshtje për një periudhë të gjatë për hir të vajzës së tyre, Hanës, duke shmangur komentet publike për raportin me Mozzik. Megjithatë, sipas saj, publikimi i projektit muzikor e kishte shtyrë të reagojë, pasi situata kishte ndikuar emocionalisht tek vajza e tyre.
