SPAK kërkon gjykimin e organizatës kriminale të Suel Çelës me 21 të pandehur
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të dielën përfundimin e hetimeve dhe kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj 21 të pandehurve për organizatë kriminale, tentativa vrasjesh, trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe korrupsion. Sipas SPAK, hetimet kanë evidentuar një strukturë të organizuar kriminale me veprimtari në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, e dyshuar për përfshirjen në tentativë vrasjeje, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike të llojit kokainë, si dhe raste të korrupsionit aktiv dhe pasiv në sistemin e drejtësisë dhe sektorin privat. Ngjarjet objekt hetimi kanë ndodhur në Elbasan, si edhe në raste të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Ekuador, Holandë e Mbretërinë e Bashkuar.
Lista e të pandehurve kryesohet nga i shpalluri në kërkim ndërkombëtar, Marius Lulaj alias Suel Çela, kreu i një prej organizatave kriminale me qendër në Elbasan, i cili në maj të vitit të kaluar u dërgua për gjykim për vepra të tjera penale të rënda. Organizata kriminale me shtrirje ndërkombëtare e drejtuar nga Çela akuzohet, mes të tjerave, edhe për korruptimin e dyshuar të një gjyqtareje, një zyrtari të Policisë së Shtetit, si dhe të dy gazetarëve.
Në këtë çështje, Çela akuzohet për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, me snajper, të rivalit të tij Ardjan Çapja në vitin 2020; sigurimin e kushteve për vrasjen e Bled Muça alias Bledar Muça dhe Elvis Koçi; mbajtje pa leje të armëve; trafikim të narkotikëve nga Ekuadori drejt Holandës e Britanisë së Madhe; si dhe për korruptimin e gjyqtares Pajtime Fetahu dhe të dy gazetarëve — vepra penale të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Po ashtu, Suel Çela u akuzua në vitin 2017 për goditjen me një makinë të blinduar të disa punonjësve të Policisë së Shtetit në hyrje të tregut agro-ushqimor në Elbasan — pronë e familjes së tij — por u shpall më pas i pafajshëm nga gjykata. Vendndodhja e Suel Çelës vijon të mbetet e panjohur për strukturat ligjzbatuese, pavarësisht se kërkohet prej disa vitesh.
Për atentatin e dështuar ndaj Çapjas akuzohen edhe tetë të pandehurit: Mario Çela, Klaus Matishi alias Klaus Çopja alias Kledjan Çopja, Xhino Roka, Marsel Roka, Prekë Kodra, Ledio Zabeli, Sergej Hasanpapaj dhe Fuad Verzivolli. Ndërkohë, për trafikim të narkotikëve akuzohen të pandehurit Hajdar Lala alias Hajdar Xaka alias Hajdar Sefa, Renato Hasani, Marsel Shega alias Bujar Shega dhe Skënder Sufaj.
SPAK ka marrë të pandehur ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu për korrupsion pasiv të kryer disa herë dhe ish-funksionarin e Policisë së Shtetit Dedan Gjoni, të cilët akuzohen se, duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar, e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale.
Sipas SPAK, kjo organizatë ka pasur aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit Suel Çela dhe të anëtarëve të tjerë në proceset penale në ngarkim të tyre. Nga ana tjetër, SPAK ka evidentuar edhe aftësinë e organizatës për të ndikuar te trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do të jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.
Suel Çela ka pasur synim edhe manipulimin e perceptimit publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Kjo strategji për manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik konsiderohet se do t’i sillte përfitime të dyfishta, duke rritur pozitat e tij dhe dëmtuar interesat e rivalëve.
SPAK akuzon për korrupsion pasiv gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno, me argumentin se kanë përfituar vlera monetare të paligjshme nga Çela në këmbim të qëndrimeve të tyre në media, si dhe publikimit të artikujve dhe videove që keqinformonin ose manipulonin opinionin publik. Hoxha dhe Qyno i kanë kundërshtuar si të pabazuara në mënyrë të përsëritur konstatimet e SPAK.
I pandehuri Metin Mehja akuzohet për sigurim të kushteve për vrasje; Aldo Xhika për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës dhe përkrahje të autorit të krimit; Bruno Hazizolli për korrupsion aktiv në sektorin privat; dhe Blerina Beqiri për korrupsion aktiv të gjyqtarit.
Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka vendosur ndarjen e akteve nga ky procedim për të vijuar hetimet për vepra të tjera penale.
