Tue, Feb 24, 2026

Tradita për blutë, Dinamo me bilanc perfekt ndaj Vorës

Tradita për blutë, Dinamo me bilanc perfekt ndaj Vorës
  • PublishedFebruary 24, 2026

Përballja mes Vorës dhe Dinamo vjen me një histori të qartë në shifra, që flet bindshëm në favor të dinamovitëve. Dy skuadrat janë përplasur gjithsej tri herë mes tyre dhe në të gjitha rastet fitues ka dalë Dinamo.

Dy takimet e para i përkasin kampionatit aktual dhe janë luajtur në fushën e Dinamos. Në ndeshjen e parë, blutë triumfuan me rezultatin 2-1, ndërsa në përballjen e dytë fituan më bindshëm, 2-0, duke konfirmuar epërsinë ndaj vorakëve. Ndërkohë, përballja e parë historike mes tyre daton pesë vite më parë, më 9 maj 2021, në turin e tretë të Kupës së Shqipërisë.

Në atë kohë të dyja skuadrat militonin në Kategorinë e Parë, por edhe atëherë Dinamo arriti të imponojë ligjin e saj, duke fituar me rezultatin 2-0. Në total, statistikat janë të pamëshirshme për Vorën: tri ndeshje, tri fitore për Dinamon dhe asnjë sukses për vorakët. Edhe golaverazhi thekson dominimin blu, me shifrat 6-1 në favor të Dinamos. Këto bilance e bëjnë sfidën e radhës edhe më interesante, pasi Vora do të kërkojë të thyejë traditën negative, ndërsa Dinamo synon të ruajë rekordin perfekt në përballjet direkte.