Botërori 2027 për vajza/ Curraj & Hamonikaj: Të vazhdojmë të luajmë edhe në këtë edicion, ta nisim me rezultat pozitiv kundër Malit të Zi
Kombëtarja e vajzave zbriti paraditen e sotme në fushë për seancën e radhës stërvitore. I gjithë grupi ishte i plotë, ndërsa stafi dhe lojtaret u fokusuan në ushtrime taktike për vendosjen në fushë.
Në një intervistë për FSHF.org, dy mbrojtëset e kombëtares, Arbenita Curraj dhe Klea Hamonikaj, deklaruan se skuadra do të luftojë për të siguruar qëndrimin në Ligën B dhe për të arritur rezultate pozitive në ndeshjet e ardhshme.
Mbrojtësja e Kombëtares shqiptare dhe e Genoas, Arbenita Curraj, foli për objektivat e skuadrës dhe pritshmëritë për këtë edicion kualifikues të Botërorit, duke treguar ambicien dhe karakterin e ekipit.
Objektivat e skuadrës në këtë edicion të ri kualifikuesesh Botërori – Edhe pse objektivi për të shkuar në Botëror është pak ‘i largët’ për ne, ne gjithmonë e nisim fushatën me këtë synim. Objektivat tona këtë herë janë që të marrim fitoren e parë me Malin e Zi dhe pastaj të vazhdojmë me ndeshjen e radhës, për të qëndruar në Ligën B.
Kundërshtarët në Grupin B1 dhe sa i ka analizuar skuadra rivalët – Jemi munduar edhe ne si lojtare, por edhe stafi patjetër. Edhe pse i njohim, pasi kemi pasur ndeshje me këto kundërshtare, sidomos me Malin e Zi dhe me Çekinë, edicionin e kaluar. Por futbolli po ndryshon ditë për ditë dhe sot çdo ekip është i fortë dhe çdo ditë ndryshon mënyra e të luajturit futboll. Me analizat që do të bëjë stafi dhe ne në ditët në vazhdim, pasi kemi disa ditë në dispozicion, do të mundohemi të bëjmë më të mirën.
Çfarë do të japë ndryshe skuadra në këtë fushatë? – Ekipi ynë është mësuar gjithmonë të japë maksimumin dhe të tregojë karakterin dhe zemrën e fortë në ndeshje. Do të vazhdojmë të luajmë po njësoj, patjetër me gjëra të reja, sepse futbolli po evoluon vazhdimisht. Por karakteri dhe zemra e fortë do të jenë gjithmonë në fushë.
Klea Hamonikaj, mbrojtësja kuqezi e Apolonisë është gati për dy ndeshjet e para të këtij edicionj. E motivuar dhe e fokusuar, ajo premton maksimumin dhe një paraqitje të mirë nga skuadra në këtë edicion të ri të kualifikuesve.
Objektivat e skuadrës në këtë edicion të ri – Jam shumë e emocionuar për ftesën dhe dy ndeshjet e radhës. Ne do të mundohemi të japim maksimumin dhe të arrijmë rezultat pozitiv në të dyja ndeshjet. E rëndësishme është të bëjmë paraqitje të mirë, sidomos në ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi. Pastaj, me radhë edhe ndeshjet e tjera.
Çfarë do të japë ndryshe skuadra në këtë fushatë të re? – Vijmë nga një situatë pozitive dhe rezultat pozitiv me ndeshjen e fundit ndaj Qipros. Arritëm të sigurojmë qëndrimin në Ligën B dhe jemi akoma të motivuara për të arritur rezultate pozitive edhe në ndeshjet vijuese.
Kundërshtaret e Grupit B1 – Mali i Zi është një kundërshtare që e njohim, si nga ekipi A, ashtu edhe nga ekipet e moshave. Me Uellsin kam luajtur kur isha pjesë e ekipit U-19 dhe e njoh si kundërshtare, me disa prej lojtareve jam ndeshur edhe më parë. Janë kundërshtare të forta. Në futboll nuk ka rivalë të lehtë. Gjithsesi, ne do të japim maksimumin dhe kemi treguar se kemi kaluar edhe kundërshtare më të vështira.
