Kritikat pasi u shfaq në podcast me këmbët e pista, Benny Blanco: Faji nuk është i imi
Producenti i njohur amerikan Benny Blanco, bashkëshorti i këngëtares Selena Gomez, është bërë së fundmi objekt diskutimesh në rrjetet sociale pas një momenti të pazakontë që u bë viral në internet.
Gjithçka nisi nga episodi i parë i podkastit “Friends Keep Secrets”, që Blanco e moderon së bashku me mikun e tij, reperin Dave “Lil Dicky” Burd. Gjatë regjistrimit, kamerat kapën për një moment këmbët e tij, të cilat dukeshin të pista, duke nxitur komente dhe reagime të shumta në rrjet.
Për t’i dhënë fund spekulimeve, Blanco vendosi të reagojë publikisht gjatë një paraqitjeje në emisionin e njohur “Jimmy Kimmel Live!”. Ai sqaroi se situata ishte keqinterpretuar dhe se problemi lidhej me ambientin ku po xhirohej podkasti.
“Para së gjithash, është faji i vendndodhjes, jo i imi”, u shpreh ai me humor, duke shtuar se në fakt ka “këmbë shumë të bukura”.
Për ta vërtetuar këtë, producenti hoqi këpucët dhe çorapet në studio dhe i tregoi audiencës këmbët e tij, duke kërkuar madje që kamerat të bënin një zmadhim për t’i parë më qartë.
Reagimi në studio ishte i menjëhershëm. Prezantuesi Jimmy Kimmel dhe Dave u dukën të habitur, ndërsa Kimmel bëri shaka duke i thënë se ndoshta duhet të hapë edhe një OnlyFans për këtë moment.
Ndërkohë, Dave pranoi se dyshemetë në shtëpinë e tij mund të kenë qenë të pista për shkak të stafit të madh të prodhimit që qarkullon aty.
Kjo nuk është hera e parë që këmbët e Benny Blanco bëhen temë diskutimi në internet. Në vitin 2024, pedikyri i tij i pazakontë, i përshkruar në rrjete sociale si “stil qilimi persian”, shkaktoi gjithashtu shumë reagime dhe komente.
