Nga Erlis Hereni: “Kudos” për zgjedhjen!
Nga Erlis Hereni
Emërimi i Ermal Nufit si Ministër i Mbrojtjes ka shkaktuar jo pak polemikë në terrenin tonë të trazuar politik. Ca nga padija, ca nga paragjykimi i zakonshëm, ca nga mosbesimi kronik, ndonjë edhe nga smira krahinore në një Shqipëri sa një grusht… e karvani vazhdon.
Personalisht, e konsideroj një vendim të mençur të Kryeministrit dhe një lajm të mirë për vijimin serioz të reformimit gradual të sektorit të mbrojtjes, nga ideimi deri në përmbyllje. Kjo, pa zbehur vlerësimin për pararendësin Vëngu.
Ermali nuk hyri në Ministrinë e Infrastrukturës apo në Kryeministri si produkt partiak, siç e ka dashur shpesh zakoni ynë politik. Ai u ftua për shkak të përvojës së tij si jurist në sektorin infrastrukturor dhe prodhues. Më pas, puna në reformimin e kuadrit ligjor dhe koordinimi në nivelet më të larta institucionale i ndërtuan një profil të plotë: profesional, korrekt në zbatimin e ligjit dhe me integritet publik.
Sot, mbrojtja nuk është më thjesht çështje uniformash apo asetesh të ndryshkura a të vjetëruara. Shqipëria është pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s dhe aspiron familjen evropiane. Mbrojtja do të thotë modernizim, menaxhim buxheti, prokurime strategjike dhe bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht me parnerët strategjikë. Pikërisht këtu, Ermali është në terrenin e vet: disiplinë administrative dhe vizion afatgjatë.
Nëse kjo qasje përkthehet në reforma dhe modernizim konkret, veçanërisht të industrisë ushtarake, ai ka çdo mundësi të bëhet një nga figurat më të besueshme jo vetëm të qeverisjes aktuale, por edhe të Partnerëve Strategjikë … e më kryesorja, Publikut!
Natyrisht, as Ermali nuk do i shpëtojë dot plotësisht opinionit “fast-food”, apo lirisë pa porta në socialin virtual shqiptar. E rëndësishme është që fokusi ‘ushtarak’ që e karaterizon të jetë gjithmonë në vijën thep-shtjegëz.
Dhe nëse mes përgjegjësive shtetërore vijon të gjejë kohë edhe për përkushtimin shpirtëror e komunitetin e tij fetar, kjo është vetëm një vlerë më shumë. Në një kohë kur politikanët shpesh akuzohen si “pa din e pa iman”, shembujt e integritetit personal janë lajm shumë i mirë për shoqërinë.
“Kudos” për zgjedhjen, z. Kryeministër.
Punë të mbarë dhe me faqe të bardhë, Ermal!
