Shqipëria synon Botërorin, Sylvinho me idetë e qarta
Shqipëria do të luajë në mars një nga ndeshjet më të rëndësishme në histori duke qenë se përballë do të ketë Poloninë në kuadër të “Play Off” të Kupës së Botës. Polonia është një kundërshtar të cilin Shqipëria e njeh mirë, duke qenë se ka luajtur në kualifikueset e Europianit të shkuar duke u mundur fillimisht në Varashavë e më pas ka fituar në Tiranë duke bindur për të vulosur kualifikimin.
Dy ndeshjet ndaj Polonisë, kishin dy rezultate krejtësisht të ndryshme dhe mbi të gjitha, dy qasje taktike dhe formacione që prodhuan histori të kundërta. Shqipëria u paraqit fillimisht me skemën 4-1-4-1, teksa ishte edhe debutimi i Silvinjos dhe njëkohësisht ishte një nga ndeshjet që dha sinjalin se Shqipëria po krijonte një skuadër pretendente, pavarësisht rezultatit.
NDESHJA E PARË (4-1-4- 1)- Në ndeshjen e humbur, Shqipëria u rreshtua me Strakoshën në portë; në mbrojtje Hysaj, Kumbulla, Mihaj dhe Balliu, përpara tyre Ramadani si mesfushori i vetëm shkatërrues, katërshja Uzuni, Asllani, Gjasula dhe Asani pas sulmuesit të vetëm Cikalleshi. Shqipëria tentoi të luante, tentoi të befasonte por nuk arriti të gjente golin e barazimit apo edhe të avantazhit kur rezultati ishte 0-0, duke e nisur edicionin kualifikues me një humbje por me shumë shpresa. Pak muaj më vonë, kuqezinjtë u përballën sërish me skuadrën polake duke marrë një fitore historike.

NDESHJA E DYTË (4-2-3- 1)- Në ndeshjen e fituar, Shqipëria ndryshoi fytyrë. Strakosha mbeti në portë, por para tij u vendos një katërshe e re mbrojtëse me Mitajn, Djimsitin, Ismajlin dhe Hysajn. Në mesfushë u formua një dyshe solide me Ramadanin dhe Asllanin, ndërsa përpara tyre vepronte Bajrami si organizator, i mbështetur nga Uzuni dhe Asani në krahë, me Cikalleshin në qendër të sulmit. Kalimi në 4-2-3-1 solli menjëherë më shumë siguri.
Dy mesfushorë para mbrojtjes do të thoshte më pak hapësira për kundërshtarin dhe më shumë kontroll të zonës para portës. Ramadani nuk ishte më i vetëm në betejë, me Asllanin që ndihmonte si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në ndërtimin e lojës. Prania e Bajramit si “10” klasik ndryshoi dinamikën e sulmit. Shqipëria kishte një pikë referimi kreative mes linjave, një lojtar që merrte topin dhe kërkonte pasimin vertikal. Cikalleshi nuk ishte më i izoluar, ndërsa Uzuni dhe Asani përfitonin nga lëvizjet diagonale dhe hapësirat e krijuara. Edhe mbrojtja dukej më e qetë. Dyshe qendrore Gjimshiti–Ismajli ofroi siguri.
Shtatë futbollistë ishin titullarë në të dy përballjet: Strakosha, Hysaj, Ramadani, Asllani, Uzuni, Asani dhe Cikalleshi. Ata përbënin skeletin e skuadrës. Performanca e tyre u ndikua ndjeshëm nga sistemi përreth. Në ndeshjen e humbur luajtën Kumbulla, Mihaj, Balliu dhe Gjasula, ndërsa në fitore titullarë ishin Mitaj, Gjimshiti, Ismajli dhe Bajrami. Ndryshimi i dyshes qendrore në mbrojtje solli më shumë qëndrueshmëri. Mitaj në krahun e majtë ofroi energji dhe balancë mes mbrojtjes dhe daljes përpara.Dy ndeshje ndaj të njëjtit kundërshtar treguan qartë se struktura taktike mund të ndryshojë ndeshjen.
PLAY OFF- Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë me polakët dhe ndoshta kjo është më e rëndësishmja në periudhën që Silvinjo ka drejtuar kuqezinjtë. Kjo ndaj Polonisë është ndeshje teke dhe asnjë gabim nuk mund të korrigjohet pasi çdo gabim mund të përkthehet në eliminim nga mundësia për të kaluar në Botëror. Silvinjo ka ndryshuar shpesh herë skemat e Shqipërisë dhe këtë radhë, ndryshimi duhet të vendosë historinë.
Që nga ndeshja e fundit ndaj Polonisë, Shqipëria ka ndryshuar shumë lojtarë të cilët do të synojnë të hyjnë në histori. Natyrisht ndeshja e marsit pritet të jetë shumë më e vështirë se kualifikueset edhe për vetë faktin se kuqezinjtë nuk kanë eksperiencë në një gjysmëfinale të tillë si edhe fakti që do të luajnë përballë mijëra ultrasve polakë, mund ta bëhë më të vështirë. Nga ana tjetër, presioni do të jetë mbi polakët pasi ata janë para tifozëve të tyre dhe vijnë si favoritë në këtë sfidë, prandaj Shqipëria mund ta përdorë këtë presion në të mirë në veten.
