Djali i Tom Hanks ‘ngec’ në Kolumbi, nuk mund të kthehet në SHBA: Më lironi
Djali i Tom Hanks thotë se mbeti i bllokuar në Kolumbi pa një pasaportë të vlefshme për t’u kthyer në SHBA dhe u kërkoi miqve të tij në internet ta “lironin”.
Chet Hanks zbuloi nëpërmjet një videoje në Instagram se përpjekja e tij për të shmangur problemet e mundshme me pasaportën e tij amerikane e çoi në aventura më të mëdha.
35-vjeçari udhëtoi fillimisht për në Porto Riko për ditëlindjen e një miku dhe më pas shkoi në Medellin për të vizituar një person tjetër. Ai thotë se kishte me vete pasaportën greke sepse ajo amerikane po skadonte. Megjithatë, kjo strategji rezultoi e gabuar kur u përpoq të largohej nga Kolumbia. Në aeroport, atij iu tha se, meqenëse po udhëtonte me një pasaportë të huaj, do të duhej të tregonte një kartë jeshile për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
Si shtetas amerikan, Chet Hanks nuk ka kartë jeshile dhe pa pasaportën e tij amerikane nuk mundi të kthehej. Ai deklaroi se ndërsa ndodhet në Medellin, ambasada më e afërt amerikane është në Bogota.
Edhe pse fluturimi midis dy qyteteve zgjat rreth një orë, ai shprehu shqetësimin e tij për procesin dhe zgjodhi ta mbyllte postimin e tij duke thënë: “më lironi”.
