Fri, Mar 6, 2026

“Mbret” në lojën e ndalur, Arsenal shkakton debat: Inovacion taktik, apo futboll më pak spektakolar

“Mbret” në lojën e ndalur, Arsenal shkakton debat: Inovacion taktik, apo futboll më pak spektakolar
  • PublishedMarch 6, 2026

Në Premier League, diskutimi i javëve të fundit është për goditjet e këndit të Arsenal  të drejtuar nga Mikel Arteta. “Topçinjtë” janë bërë një nga skuadrat më të rrezikshme në kampionat në situatat e topave të ndalur. Shifrat janë të qarta: nga 59 gola të shënuar në kampionat këtë sezon, 24 kanë ardhur nga goditjet standarde dhe 16 vetëm nga këndoret, duke barazuar rekordin historik të ligës ndërkohë që kanë mbetur edhe 9 javë deri në fund.

Kjo strategji është rezultat i punës së specialistit të topave të ndalur, Nicolas Jover, i cili madje ka bonus në kontratë për çdo gol që Arsenali shënon nga këto situata.

Megjithatë, taktika e londinezëve ka ndezur debat në Angli. Trajneri i Brighton & Hove Albion F.C., Fabian Hürzeler, ka kritikuar kohën e gjatë që Arsenali merr për të ekzekutuar këndoret dhe bllokimet që lojtarët bëjnë në zonë për të liruar bashkëlojtarët.

Kritikave iu janë bashkuar edhe ish-yje të futbollit si Ruud Gullit dhe Paul Scholes, të cilët thonë se kjo mënyrë loje po e prish spektaklin dhe madje kanë deklaruar se, nëse Arsenali fiton titullin falë këndoreve, do të ishte skuadra më e dobët që ka fituar ndonjëherë Premier League.

Në krahun tjetër, trajneri i Manchester City F.C., Pep Guardiola, e mbron këtë qasje, duke theksuar se topat e ndalur janë pjesë e rëndësishme e lojës dhe se gjithnjë e më shumë skuadra do të përpiqen të përfitojnë nga këto situata.

Ndërkohë statistikat tregojnë edhe një kontrast interesant: në ndeshjen Arsenal – Chelsea F.C. u shënuan tre gola nga këndoret, më shumë se sa në të gjitha përballjet në Premier League mes Cityt të Guardiolës dhe Liverpool F.C. të Jürgen Klopp së bashku në vitet e fundit.

Debati mbetet i hapur: inovacion taktik apo futboll më pak spektakolar?