Vila e “Hurit dhe Elitarit”*
Mbrëmjen e datës 28 shkurt 2026, gjatë protestës së radhës së opozitës në Tiranë, një pjesë e turmës së protestuesve, e shtyrë prej forcave policore, u larguan nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt rrugës “Ismail Qemali”. Teksa turma kalonte ndanë objektit qeveritar, njohur si “Vila 31”, lëshoi fishekzjarrë dhe hodhi bomba molotov drejt saj. Prej afërsisht një viti, vila funksionon si rezidencë artistike nën emrin Art Explora – Vila 31 dhe, në çastin e sulmit, ishte e banuar nga rezidentët e saj të periudhës aktuale. Teksa shohim se dëmet në objekt janë thjesht materiale, gëzohemi që asnjë prej njerëzve brenda tij nuk pësoi dëmtime fizike. Dhuna ndaj banesave apo rezidencave të çdo natyre mbetet e papranueshme, e dënueshme dhe, matanë faktit që askush nuk u lëndua fizikisht, tronditja mendore dhe shpirtërore është e mjaftë për të dënuar aktin e papërgjegjshëm e për ta konsideruar të papranueshëm. Duke u distancuar nga flakët e 28 shkurtit, dëshirojmë të trajtojmë përmes këtyre radhëve një dikotomi të dukshme mes dy realiteteve: ai brenda gardhit të Vilës 31, dhe ai në rrugë, jashtë gardhit, realitete që nuk kanë të bëjnë me mbrëmjen e protestës dhe të incidentit, por me kohën që prej funksionimit të rezidencës artistike.
Objekti qeveritar “Vila 31” tashmë po përjeton periudhën e tretë të jetës së vet, që prej themelimit. Në fillim ishte rezidenca e familjes Hoxha, pas ndryshimeve politike në vend u kthye në rezidencë qeveritare dhe, së fundmi, që prej prillit të vitit 2025 është rezidencë artistike. Periudha e tretë është e ilustruar, por njësoj e pambështetur në dokumente, pavarësisht afërsisë që kemi me kohën e ngjarjeve, siç do të shtjellojmë më poshtë. Ndërsa për periudhat e mëhershme informacionet bazohen në kujtime individësh të cilat qarkullojnë në formë intervistash të shtypura apo në zë dhe figurë. Ndonëse rezidenca e sotshme artistike mëton se ndërtesa është kthyer nga simbol i diktaturës, në simbol të hapjes, vetë faqet zyrtare të rezidencës në rrjete sociale apo në web nuk na ndihmojnë aspak për të kuptuar qoftë dhe historinë e ndërtesës. Nëpër postimet e rrjeteve sociale të Art Explora – Vila 31 hasim thjesht frazën: “u ndërtua në vitet ’70 dhe ishte rezidenca e diktatorit” që përsëritet kudo. Gjatë aktiviteteve të mëhershme që janë zhvilluar në Vilën 31 vizitori mund të vinte re (po edhe mund të mos vinte) dy fletë formati A4 ngjitur pranë njërës nga dyert e vilës. Me një stil të shpejtë dhe të përshtatshëm më shumë për vizitorë jo shqiptarë apo turistë jepen disa informacione të përgjithshme lidhur me historinë e ndërtesës, nënshkruar nga Elidor Mëhilli (City University, New York). Me gjasë kanë qenë në funksion të ndonjërës nga veprimtaritë e mëhershme z. Mëhilli në mjediset e vilës, e jo pjesë e strategjisë së komunikimit të vetë rezidencës. Nuk dimë nëse ato tekste janë zhvilluar e vënë në vend më të dukshëm, deri çastin e shkrimit të këtyre radhëve. Sidoqoftë, shumëçka mbetet për t’u saktësuar e për t’u thënë lidhur me historikun e ndërtesës. Vallë, kaq të pamundur e paska pasur rezidenca a institucioni që e administron, e nuk qe e mundur të hulumtohej në arkivat e vendit për të gjetur një dokument, i cili njofton saktë për fillimin e punimeve, përfundimin e tyre, periudhën gjatë së cilës banoi aty familja Hoxha, e më pas çfarë ndodhi me largimin e tyre prej vilës? Për çdo individ me pakëz arsye, këto data janë të domosdoshme për të kuptuar mekanizmin njerëzor dhe institucional në funksionimin e vilës gjatë periudhës së parë e të dytë të saj.
E nëse duam të kuptojmë diçka më tej, mbi mënyrën si funksionon rezidenca, veç kontakteve ku mund të aplikojnë të interesuarit, asnjë informacion tjetër nuk haset publikisht online. Teksa faqja mëmë artexplora.org na informon për strukturën këshillimore dhe administrative të saj, në seksionin Vilës 31 njoftohen vetëm artistët rezidentë të së shkuarës, së tashmes dhe të së ardhmes, si dhe anëtarët e komitetit që përzgjedh kandidaturat e rezidentes. Nga afiliacioni i një prej anëtarëve të komitetit arrijmë të përfytyrojmë dhe datën kur është përditësuar faqja për herë të fundit: ca muaj më herët, teksa anëtarja sot mban detyrën e Drejtores së Galerisë Kombëtare të Arteve. Ndërkaq, informacioni publik lë pa përgjigje pyetjet: Si funksionon kjo degë e Art Explora në Tiranë? Çfarë strukture administrative ka? Si rregullohen marrëdhëniet mes shtetit shqiptar, pronar i ndërtesës, dhe Fondacionit Art Explora? E po ashtu, çdokush që kërkon të kuptojë veprimtarinë artistike të rezidencës, matanë emrave dhe portofolave të artistëve, nuk ka ku e gjen këtë informacion. Cila është strategjia artistike e rezidencës? Si vendoset bashkëpunimi mes artistëve ndërkombëtarë dhe atyre vendas, nëse ekziston një politikë e tillë? Në çfarë forme implementohen urat e bashkëpunimit mes vendësve dhe të huajve? Cili rregullator vepron në ndërmjetësimin mes palëve?
Në Tiranë është shumë e thjeshtë të marrësh vesh përmes bisedave dhe telefonit se kush është kush, çfarë profesioni e çfarë veprimtarie profesionale ka. Mirëpo, nuk është kjo mënyra si duhet të funksionojnë punët në realitetin zyrtar e serioz. Kësaj veprimtarie kulturore, për sa kohë bashkëpunon me institucione shtetërore, i nevojitet burokracia. Sado demode të duket ky sugjerim, asnjë shtëpi a vilë nuk funksionon pa hesape, ca burokraci elementare duhet të veprojnë, në mënyrë që kumti të shkojë aty ku duhet dhe veprimtaria institucionale të jetë e qartë.
Më dt. 1 mars 2026, ditën pas sulmeve me molotov dhe fishekzjarrë mbi vilë, në rrjetet sociale të rezidencës u shfaq dhe reagimi institucional (ose ashtu duket, pasi nuk është i nënshkruar). Vendosim më sipër lidhëzën për variantin shqip. Por teksa i lexuam të dy variantet, vlen të përmendim se varianti anglisht ishte më i qartë, me gjuhë më të përpiktë dhe pa luhatjet stilistikore që paraqet varianti shqip, çka na bën të pyesim: cilit publik i drejtohet, në fakt, Art Explora – Vila 31? E lëmë këtë pyetje pezull dhe vazhdojmë. Teksa, me të drejtë, rezidenca shqetësohet për sigurinë e jetës së banorëve të ndërtesës në çastin e sulmit dhe për integritetin e ndërtesës, nuk harron të theksojë se misioni i saj është arti dhe kultura, duke u distancuar nga çdo kah politik. Qëndrimi i rezidencës ishte i rëndësishëm dhe i pritshëm, mirëpo, nuk pamë elementin më të rëndësishëm të informacionit që prisnim: a u lëndua kush fizikisht gjatë episodit të zjarrit? Reagimi i politikanëve apo individëve përmes foltores së rrjeteve sociale pikërisht këtu e mbështeste ftesën për kthjelltësi dhe akuzën për dhunë të pa arsyeshme, tek siguria fizike e njerëzve brenda vilës.
Ndërkaq, pak orë më pas, Kryeministri i Shqipërisë postoi një video nga një ballkon i Vilës 31 ku na njoftoi se ndodhej në praninë e Drejtores Ekzekutive të programit të Fondacionit Art Explora. Në video informohemi prej Kryeministrit për emrin e titullares, por jo mbiemrin. Ky është i vetmi çast publik kur mësojmë, prej kontekstit, dy gjëra të tjera: se rezidenca paska një drejtore ekzekutive dhe, njëherazi, se deklarata e mësipërme e rezidencës që mëton distancë nga politika nuk është fort e mbështetur në fakte: nëse ekziston pavarësia dhe paanësia politike, prania e Kryeministrit të Republikës flet për tjetër realitet.
E kësisoj, vijmë krejt natyrshëm pikërisht tek ajo veti që rezidenca do të donte të mos e kishte, por që, pashmangshmërisht, e përmban: përmasa politike e saj. Zanafilla është, sigurisht, periudha e parë e vilës. Banesa e diktatorit dhe e familjes, krejtësisht e veçuar prej qytetit përmes rrethimit ushtarak të asaj mëhalle të dikurshme tiranase që përbëhej, kryesisht, prej vilash të stilit neoklasik të ndërtuara në vitet ’30, i ka veshur mëhallës, dhe sidomos Vilës 31, përmasën e vet të pamohueshme politike. Në kapërcyell të kohërave, kur rrethimi i Bllokut të Udhëheqjes u hoq dhe banorët e vet, ish funksionarët e PPSH-së e të dikastereve të tjera ishin larguar andejmi, shqiptarët vijuan gjatë pelegrinazhin e kuriozitetit nëpër ato rrugë. Qark gardheve të Vilës 31 tashmë askush nuk i ndalonte të sharat ndaj ish diktatorit dhe familjes, apo të pështyrat mes kangjellave dhe bimësisë mbi to. E pavarësisht kohërave që kishin ndryshuar, në ’92-shin e ndryshimeve Vila 31 ende ruhej me ushtarë të armatosur me Kallashnikovin famëkeq.
Përmasa politike nuk iu shqit vilës edhe gjatë periudhës së dytë të jetës së saj: pakkush mund të hynte, vetëm i ftuar në pritje zyrtare e në veprimtari artistike. Këto të fundit mes viteve 1992 – 2025 numërohen me gishtat e njërës dorë. Duke bërë një parantezë, sjellim këtu një përvojë personale. Në motin jo dhe aq të largët 2018, për arsye profesionle ishim për rreth një muaj “punonjës” në Vilën 31, në të cilën u vendos një ekspozitë me dorëshkrime dhe libra në gjuhën shqipe të traditës bizantine dhe asaj osmane. Mes atyre disa mijëra vizitorëve të atyre ditëve ishte e pamundur të mos na tërhiqnin vëmendjen pyetjet apo komentet e publikut:
- Sa banja ka shtëpia?
- Këto pikturat kanë qenë këtu edhe kur jetonte Xhaxhi?
- A ulej Ai tek ky kolltuku?
- Këto qilimat këtu kanë qenë gjithmonë, a shkelte këtu xhaxhi Enver?
- Kështu kanë qenë sistemet e ngrohje-ftohjes edhe atëherë?
- Shiko ça shpie ka pas Enveri, rri ne!
- Eh, bene, la casa del ditatore, bella! Guarda che vetrate! Le hanno fatte con… Belli, anche questi libri, belli…. La casa del ditatore, bella, bella. E, andiamo, perche non che niente da vedere, solo questi libri… Belli… Andiamo, dai.
- Oh, just that? That’s all? Only books? They lied us. Fuck! They said the house of the dictator was opened!
- Na falni, ë, po këto kolltuqet na u dukën më interesante se kodikët, është çështje historiku… Se këto kodikët… se si janë kshu…
- Gjynah që nuk lejoni popullin të shohë edhe katet e sipërme…
Pikërisht këtu, në çastin kur periudha e tretë e jetës së vilës mund të shërbente si ndërmjetësim mes së shkuarës dhe së ardhmes, nuk ka ndodhur ende asgjë e tillë. E nga ana tjetër, nëse konvertimi i Vilës 31 në rezidencë artistike quhet hapje për publikun, lind pyetja: çfarë publiku e viziton atë? Për kuriozitet, pamë programin e veprimtarive të datës 28 shkurt, kur ndodhi hedhja e zjarrit mbi të: sesion yoga paradite, lexim dhe punishte maskash artizanale pasdite. Këto janë mënyra krejt normale dhe të drejta për të përdorur hapësirën. Mirëpo, duke iu referuar programit të veprimtarive të pothuaj një viti, qoftë yoga apo pilates, qoftë punëtoritë, ekspozitat dhe bisedat me tema, të cilat pak ose aspak prekin të shkuarën e shoqërisë shqiptare që lidhet simbolikisht dhe fizikisht me atë ndërtesë, nuk e arrijnë dot zhveshjen e politikës nga ai mjedis. Vilës 31 në gjendjen aktuale i mungon depolitizimi pikërisht sepse nuk ka vendosur dialog me publikun, jo vetëm atë artdashës, por me shoqërinë shqiptare në përgjithësi. E kjo mungesë dialogu bëhet më e qartë kur një VKM e pagëzon rezidencë artistike, proces i cili ndodhi pa dialog të hapur me komunitetin, me faktorët dhe aktorët e shoqërisë vendase, artistë ose jo. Ndaj, prania fizike e artistëve në rezidencë apo çfarëdo veprimtarie aty nuk mund të korrigjojë atë që është ngjizur që në fillim me të meta. Sepse dialogu fillon, së pari, me mjete dhe praktika ligjore dhe institucionale që nuk sjellin ndër mend arbitraritetin e pushtetit që ushtronte banori më i njohur i Vilës 31.
Elementi tjetër i përmasës politike të Vilës 31 është diskriminimi pozitiv me të cilin u bekua ajo. Mes gjithë ndërtesave të tjera me vlerë monumentale, qoftë në Tiranë a kudo në Shqipëri, mes gjithë vendeve të tjera të kujtesës së periudhës së socializmit në Shqipëri, kampe të internimeve, burgje, kampe pune, etj., Vila 31 mbetet ajo që jo vetëm gëzon ende emërtesën historike-hokatare “vila e Dullës”, por dhe është mirëmbajtur në formën e vet fillestare, ndonëse funksioni i ka ndryshuar paksa. Vila 31 renditet me ndërtesa të tjera historike të cilave u është ndryshuar përdorimi, pa vendosur aspak dialog me shoqërinë (përmendim: Muzeu “Enver Hoxha” kthyer në Qendrën TUMO; ndërtesa e njohur si “Selia e të Përndjekurve Politikë”, e themeluar si rezidencë e Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Italisë në Shqipëri, pas L2B e kthyer në Muze të Luftës Antifashiste Nacinal-Çlirimtare, më tej, në vitet ’90 seli e Institutit për Integrimin e Ish të Përndjekurve Politikë, më pas seli e Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit). Ky ndryshim i funksionit të ndërtesës pa qartësuar marrëdhënien me të shkuarën, siç dhe e kemi thënë më herët gjetiu, është ndryshim i qiraxhiut të radhës, jo ndryshim i pronarit moral dhe historik të saj.
Jo kushdo që pa flakët në oborrin a ballkonin e Vilës 31 u shqetësua prej tyre. Vetëm kush e dinte se brenda saj kishte njerëz, u shqetësuan. Pikërisht këtë shprehën menjëherë dhe përfaqësues të autoriteteve shtetërore. Bashkë me shqetësimin dhe dënimin e aktit nuk munguan fjalët “dhunë”, “barbari”, “njollosje e Shqipërisë”, etj. Në rastin e një shoqërie post-traumatike, siç është Shqipëria e pas regjimit diktatorial, dhuna, ashtu si autoritarizmi, nuk është dukuri e izoluar që haset vetëm tek individë apo grupe shoqërore të caktuara. Kur shoqëria nuk e ka kryer procesin e katarsisit kolektiv dhe nuk ka ridimendsionuar marrëdhëniet me dhunën e së shkuarës diktatoriale, gjasat janë që, pas një periudhe qetësie të rreme, dhuna të rishfaqet lirisht, po kurrsesi befas. Në një shoqëri normale, me institucione normale, detyrën për këtë dialog dhe reflektim e kanë institucionet shtetërore. Mirëpo, siç shohim nga shembujt e mësipërm, institucionet dhe autoritetet nuk e kanë fort qejf këtë lloj dialogu, teksa janë gjykatës të zellshëm e të shpejtë ndaj atyre që nuk mendojnë e veprojnë njësoj si ta. Se, tekefundit, dhunë me përmasa edhe më të mëdha si për objektin, si për shoqërinë, ishte edhe shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Edhe atje u rrezikuan njerëz, të cilët praktikisht banonin në atë ndërtesë në kuadër të një qëndrese njerëzore dhe artistike kundër prishjes së parashpallur. Po të krahasojmë reagimet e sekujt sot për Vilën 31 dhe dikur për Teatrin, a do ta gjejmë secilin në paqe me vetveten?
Në deklaratën e rezidencës artistike Art Explora – Vila 31 tek dënohej dhuna, dhe shtrohej ftesa për t’u çliruar prej dhunës përmes artit të lirë. Mirëpo, sa i sinqertë është kjo ftesë, teksa “liria artistike” e rezidencës zhvillohet brenda një infrastrukture të administruar nga një shtet, i cili në mënyrë të përsëritur dhunon qytetarët përmes politikave publike, përmes mënyrës si trajton vendasit, shëndetin e tyre, arsimin, dijen, kulturën, apo pronën publike? Brenda kësaj kornize arti nuk është i lirë, është thjesht një artwashing qeveritar në dobi të imazhit ndërkombëtar, shtetëror a personal. Arti jo vetëm duhet të deklarohet i lirë, por duhet edhe të veprojë bindshëm brenda frymës së lirisë. Përndryshe, vila elitare rezidencë artistike, për sytë e shumëkujt që njeh vendin dhe realitetin, është thjesht një vilë e “Hurit dhe Elitarit”, siç e përdori këtë frazë neologjizëm z. Gazmend Kapllani në një reagim të tijin në Facebook. Dhuna sistemike shtetërore, vendimet, veprimet dhe deklaratat paternalizuese që u ngjajnë kryekëput realiteteve të prodhuara nga banori historik i Vilës 31 janë dhuna e mirëfilltë dhe e vazhdueshme mbi shoqërinë e këtij vendi, jo një episod që zgjat më pak se një mbrëmje shkurti.
Përmes një diskutimi të tillë me të shkuarën dhe të tashmen, brenda apo jashtë gardhit të vilës, ndoshta do të ishte qartësuar edhe një element tjetër: shumëkush do ta kishte ditur se Vila 31 nuk është më thjesht ish banesa e diktatorit, por rezidencë artistike. Këto po mendonim, teksa përmes lidhjeve të drejtpërdrejta të kanaleve televizive lexonim titra që përmblidhen në: “Protestuesit qëllojnë me bomba molotov ish vilën e diktatorit Enver Hoxha”. As gazetarët s’e paskan ditur funksionin e sotshëm të vilës. E kjo flet më shumë për realitetin brenda vilës, jo për publikun qark saj.
*Sipas një fraze neologjizëm të z. Gazmend Kapllani postuar në Facebook.
