Sat, Mar 7, 2026

Luhet për “Final 4”/ Partizani, ndaj Dinamos pa një titullar

Luhet për “Final 4”/ Partizani, ndaj Dinamos pa një titullar
  • PublishedMarch 7, 2026

Pas eliminimit nga Kupa e Shqipërisë në përballjen me Elbasanin, një takim që prodhoi shumë polemika për golin e tretë të miqve në kohën shtesë, në fitoren 1-3, Partizani duhet të kthejë vëmendjen nga kampionati dhe të gjejë forcën për të vijuar sezonin teksa në lojë është një nga objektivat kryesorë të të kuqve si pjesëmarrja në “Final Four”.

Kohë për të humbur nuk ka, pasi e radhës në Superiore është pikërisht përballja e drejtëpërdrejtë për vendin e katërt me Dinamon. Aktualisht, të dyja skuadrat janë në kuotë të barabartë pikësh, 39, teksa dinamovitët janë ata që për momentin mbajnë vendin e katërt të renditjes. Një sfidë e cila mund të vendosë shumë për fatet e Partizanit, por edhe Dinamos në një moment kyç të sezonit.

Sakaq, në këtë përballje trajneri Oltijon Kërnaja nuk do të ketë në dispozicion një nga elementët më kryesore përgjatë këtij sezoni siç është Saliu Sembene. Mbrojtësi u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e fundit të kampionatit me Egnatian duke plotësuar numrin katër të kartonëve e kështu do të jetë i pezulluar.

Mbetet për t’u parë cila do të jetë zgjidhja e teknikut Kërnaja për këtë rol pasi Sembene lë një hapësirë të madhe e cila duhet të mbushet ndërsa një nga alternativat kryesore për të zëvendësuar senegalezin është Andi Janjeva.