Sat, Mar 7, 2026

SPAK godet një grup kriminal me bazë në Vlorë

SPAK godet një grup kriminal me bazë në Vlorë
  • PublishedMarch 7, 2026
SPAK godet një grup kriminal me bazë në Vlorë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të shtunën më 7 mars rezultatet e një hetimi ndaj një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në trafikun ndërkombëtar të drogës, kryerjen e vrasjeve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Hetimet, të nisura në vitin 2022 dhe të mbështetura në analizën e komunikimeve të koduara në SkyECC, kanë zbuluar edhe përfshirjen e një funksionari të Policisë së Shtetit që dyshohet se i kishte shërbyer këtij grupi kriminal.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për tetë shtetas shqiptarë, një prej të cilëve ishte arrestuar më parë në Zvicër. Policia ka vënë në pranga edhe dy persona të tjerë, mes tyre Rezart Kuçi, i cili mbante detyrën e shefit të seksionit në Policinë Shkencore të Kukësit. Pesë nga të dyshuarit e tjerë kanë mundur t’i shpëtojnë arrestimit dhe janë shpallur në kërkim.

Sipas SPAK, hetimet kanë dokumentuar vrasjen e Gentjan Qarrit, të kryer nga anëtarë të këtij grupi kriminal në qytetin e Vlorës më 6 shkurt 2021, si dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e shtetasit B.B. në të njëjtin qytet më 10 maj 2021.

“Nga analiza e komunikimeve rezulton se I.H. dhe E.M., në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar në këtë fazë të hetimit, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme për të realizuar vrasjen e shtetasit B.B. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi, për të vëzhguar lokalin ‘The Boss’ në pronësi të tij dhe për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat me të cilët ai shoqërohej”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas prokurorisë, edhe vrasja e Gentjan Qarrit rezulton të ketë qenë e planifikuar dhe e organizuar në detaje.

Analiza e komunikimeve në SkyECC ka dokumentuar gjithashtu disa raste të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sekuestrime të konsiderueshme të kokainës, në total rreth 1.2 ton.

Në portin e Roterdamit në Holandë janë sekuestruar 750 kilogramë kokainë të porositur në Ekuador nga ky grup kriminal, me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian. Një tjetër sasi prej rreth 14 kilogramësh kokainë është sekuestruar nga policia greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet mes anëtarëve të grupit rezulton se në të njëjtin mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë.

Në një rast tjetër, në dhjetor 2020, autoritetet gjermane sekuestruan 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja.

Po ashtu janë dokumentuar edhe raste të trafikut të kanabisit. Rreth 227 kilogramë janë sekuestruar në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020, ndërsa rreth 500 kilogramë të tjerë janë kapur në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut në mars 2021. Sipas hetimeve, këto ngarkesa transportoheshin me kamionë përmes Greqisë, me destinacion Turqinë.

Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte ngritur një mekanizëm financiar për financimin dhe transportin e drogës, duke investuar edhe në mjete lundruese për aktivitetin kriminal.

SPAK bëri me dije gjithashtu veprimtarinë e dyshuar të paligjshme të oficerit të policisë, Rezart Kuçi. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal të grupit duke siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike, duke nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore, duke ndërhyrë në pajisje celulare për të fshirë të dhëna me interes për hetimin dhe duke përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS në favor të të hetuarve.

Sipas SPAK, hetimet ndaj këtij grupi vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.