Sat, Mar 7, 2026

Telashe për mbrojtjen e Partizanit, mungon një lider në derbi

Telashe për mbrojtjen e Partizanit, mungon një lider në derbi
  • PublishedMarch 7, 2026

Në radhët e Partizanit kanë nisur përgatitjet për ndeshjen me Dinamon, të hënën në stadiumin “Air Albania”, me sfidën që është programuar të nisë në orën 19:00. Të kuqtë dhe blutë përballen në një moment delikat të sezonit, teksa duelojnë për vendin e katërt dhe aktualisht janë me nga 39 pikë secila. Në këtë takim, Partizani dhe trajneri Oltijon Kërnaja do të vuajnë mungesën e Saliu Sembene.

Mbrojtësi i ndëshkuar me kartonë të verdhë në ndeshjen ndaj Egnatias, duke plotësuar në këtë formë numrin katër të kartonëve të verdhë, këtë ndeshje me Dinamon do të mund ta ndjekë vetëm nga tribuna në rolin e një spektatori. Por, mungesa e Sembene është një shqetësim jo për t’u nënvlerësuar në radhët e kryeqytetasve, duke qenë se në këtë sezon lojtari senegalez është shndërruar në një lojtar titullar të repartit difensiv, duke marrë shumë përgjegjësi në prapavijë. Falë fizikut dhe prezencës në zonë, Sembene ia del që të neutralizojë shumë sulme të kundërshtarëve duke i dhuruar qetësi stafit teknik.

Në këtë sezon, 24-vjeçari numëron 17 paraqitje në Superiore me të kuqtë, ndërsa është aktivizuar në tre ndeshje të Kupës dhe në dy paraqitje në kualifikueset e Conference League në fillimin e sezonit.

Tashmë, stafi teknik me në krye trajnerin Oltijon Kërnaja do të duhet që të mendojë për zëvendësuesin e Sembene, teksa në “Pole Position” për këtë rol është Andi Janjeva, i cili është provuar këto ditë për të marrë rolin e senegalezit. 23-vjeçari ka pasur një sezon me ulje dhe ngritje, duke vuajtur edhe problemet fizike, megjithatë në një ndeshje shumë të rëndësishme dhe vendimtare për fatet e sezonit, mund të ketë mundësinë për të shfaqur potencialin e tij dhe për të shpalosur vlerat e tij. Edhe pse deri në seancën e fundit stërvitore, atë të së dielës, nuk do të jetë asgjë e garantuar sa i takon formacionit, trajneri Kërnaja do të presë deri në fund për të kristalizuar 11-shen me të cilën do të sfidojë Dinamon.