Sun, Mar 8, 2026

Durrësi përkujton eksodin e marsit 1991

Durrësi përkujton eksodin e marsit 1991
  • PublishedMarch 8, 2026
Durrësi përkujton eksodin e marsit 1991

“Kur flitet për eksodin e shqiptarëve drejt Italisë, kujtesa kolektive thërret thuajse gjithmonë eksodin e gushtit 1991; ai që ka mbetur më shumë në imazhet dhe në faqet e librave të historisë, të paktën për ne italianët, ngaqë shkaktoi një kataklizëm politik në nivel rajonal dhe në raportet me qeverisjen kombëtare”.

35 vjet pas eksodit nga Durrësi, me këto fjalë fillon shkrimi i botuar dje në një prej gazetave të jugut të Italisë.

Autori i shkrimit, Tommaso Garofalo, korespondent për dy media të vendit fqinj nga Shqipëria, i tha BIRN-it se pranë ngjarjes simbolike të gushtit ekziston edhe një moment tjetër themelor, që meriton të kujtohet dhe të tregohet: eksodi i marsit 1991.

Të premten, në hyrje të portit të Durrësit, detarët e viteve ’90 kujtuan periudhën kur anijet nuk transportonin mallra, por shpresë; ato nuk bartnin ngarkesë tregtare, por fate njerëzore – siç u tha të pranishmëve Hamdi Domi, kryetar i Shoqatës Kombëtare të Detarëve “Adrijon”.

Shumë më të paktë në numër krahasuar me tre dekada më parë, detarët e moshuar kujtojnë ditët e vështira të fillim-marsit 1991, kur gjatë natës shkonin në anijet përkatëse nga banesat e tyre ose nga detyra të tjera brenda portit.

“Shpesh mbërrinim në mjetin lundrues kur anija ishte mbushur plot me njerëz,” tregon Bedin Bedini, mekanik në anijen “Lirija”, e cila më 6 mars 1991 transportoi drejt Italisë rreth 4 mijë vetë.

Ai kujton edhe disa nga kolegët detarë, të cilët morën në anije edhe familjet e tyre, duke vendosur të jetojnë në vendin fqinj.

“Gjithçka ndodhi nga Durrësi. Njëlloj siç ndodhi gjatë eksodit nga ambasadat e kryeqytetit dhe kur gjatë natës autobusët me njerëz zbarkuan në portin e Durrësit për t’u nisur me anije ushtarake drejt Gjermanisë, Italisë dhe Francës,” tha Bedini.

“Ishin mijëra njerëz të ardhur nga e gjithë Shqipëria që kërkonin të niseshin dhe ne, sipas Kondurit, në ato ditë marsi u përpoqëm të sillnim ekuipazhin nga shtëpitë e tyre,” tha për BIRN Petraq Konduri, i cili në fillim të viteve ’90 ishte drejtor i portit.

“Ato ditë nuk mungonte presioni politik, që kërkonte mbylljen e daljes së basenit ujor me dragat thelluese. Arritëm t’i bindim se ishte një veprim që do të bllokonte anijet tregtare me mallra vendase dhe të huaja që po përpunoheshin,” kujton ish-drejtori i portit, duke shtuar se 35 vjet më parë ndodhi eksodi më i madh në historinë e Shqipërisë.

Në ceremoninë e organizuar të premten në hyrje të portit detar mungonin autoritetet vendore.

“Nuk kanë ardhur ndonjëherë,” thotë një nga detarët e rinj, që nuk dëshiron të identifikohet.

“Asnjëherë nuk ka pasur një veprimtari për të qenë,” shton më pas. “Edhe në fillim hidhnin në det ndonjë tufë me lule dhe kaq,” shpreh ai mërzinë e tij.

Detarët nuk ndihen mirë që në qytetin e Durrësit nuk ka asnjë shenjë përkujtimore për eksodin e marsit ’91, një ngjarje që përbën eksodin më të madh në historinë e shqiptarëve dhe që nuk duhet të harrohet.

Brenda 100 orësh, nga 5 deri më 7 mars, në portin e Brindizit mbërritën 17 anije tregtare dhe motopeshkatore me rreth 20 mijë vetë gjithsej – nënvizohet në librin-album “Brindisi, il porto della speranza”. Në listën e tij dallohen anijet “Tirana”, “Legend” dhe “Lirija”, të cilat kanë zbarkuar në Brindizi më shumë se 12 mijë shqiptarë.

I vetmi monument që lidhet me eksodin e gushtit është instaluar në shëtitoren “Taulantia” nga një grup artistësh, që kërkonin të kujtonin rolin e kryebashkiakut italian të kohës në Bari.

Por nga institucionet e Durrësit ende asgjë.

Veprimtaria e fundit përkujtimore për marsin e vitit 1991 i përket një dekade më parë, kur në Galerinë e Arteve të Durrësit u organizua një ekspozitë fotografike për eksodin e vitit 1991.

Një vit më vonë, Autoriteti Portual dështoi në përpjekjen për të vendosur një monument në sheshin e trageteve, ku lëvizin afro një milion udhëtarë çdo vit.

Disa kohë më parë, skulptori i njohur durrsak Qazim Kërtusha, së bashku me arkitektin Viktor Dhimgjini, përgatitën një vepër kushtuar largimit masiv të qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 1991.

Megjithëse boceti i saj ka mbetur në studion e artistit, skulptori Kërtusha flet për të sikur të ishte gati për t’u instaluar.

“Do të jetë një plastikë urbane me përmasa jo të mëdha dhe me një formë elipsoidale,” tregoi para disa kohësh Qazim Kërtusha, artisti i njohur për veprat e parkut në qytetin bregdetar.

Gjurmë këpucësh të prera, litarë të varur me nyje që presupozojnë ngjitjen dhe që kanë mbetur bosh, një këmbanë e vogël që tringëllon sa herë që poshtë kalon një kalimtar.

“Duket sikur thotë ‘Unë u ktheva’, njëlloj siç do të jetë shkruar sipër, atje ku do të marrë dritë monumenti,” shpjegon veprën e tij Kërtusha.

“Do të jetë një simbol kundër diktaturës, por edhe një shpresë e madhe për jetën dhe për rikthimin, kështu siç po ndodh gjithnjë e më tepër,” thotë skulptori.

Një monument për eksodin do të ishte një shenjë respekti për veten dhe për historinë tonë.

“T’i rikthesh në dritë këto ngjarje do të thotë t’i japësh dinjitet historisë së njerëzve që kaluan detin me shpresë në zemër dhe pasigurinë para syve. Njëkohësisht do të thotë të mbash të ndezur kujtesën e një kohe që ka shënjuar thellësisht historinë në të dy anët e Adriatikut,” shprehet gazetari Tommaso Garofalo.