Hiqni imunitetin e Ballukut!
Nuk e di nëse e mbani mend apo e keni harruar historinë që përsëritet por, pesëmbëdhjetë vjet më parë, pak a shumë të njëjtët personazhe por në pozicione të kundërta, gjendeshin në Kuvendin e Shqipërisë me shqetësime të njëjta.
Korrik 2008: Në Kuvendin e Shqipërisë, Partia Demokratike në pushtet dhe partia socialiste në opozitë, po bëjnë sherr. Sikleti i madh i palës në pushtet, më ngushtësisht, i kryeministrit Sali Berisha, ngjarja e pak muajve më parë, një ngjarje tragjike ku 26 qytetarë humbën jetën nga ajo që një ushtarak e cilësoi si “babëzi”. Pra shpërthimi i municioneve në Gërdec.
Në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berisha shpërthen me një lumë fyerjesh të neveritshme ndaj Taulant Ballës. “Motra jote do të shkërdhehet nëpër hotele”, thotë ai, ndërsa Jozefina Topalli, në atë kohë kryetare e kuvendit, urdhëron gardën: “Nxjerreni për zhelesh”, duke bërë me shenjë që Balla duhej të “nxirrej për zhelesh” për fajin që kishte shqetësuar Berishën aq shumë sa Berisha të përdorte banalitete.
Fjalori fyes i Berishës, një gjuhë që rrallëherë është përdorur në politikën shqiptare, shërbeu, në instancë finale, për një çështje të rëndësishme: hedhja në erë e shtetit të së drejtës, sulmimi ndaj prokurorisë që po përpiqej të hetonte Gërdecin dhe fakti që tragjedia vijon të jetë e pandëshkuar edhe sot në vitin 2026, u la mënjanë ndërsa turma u ngazëllye nga përdorimi i fjalëve të pista, të cilat, në Shqipëri kanë qenë dhe vijojnë të jenë tabu deri vonë. Një grup muzikor krijoi edhe një këngë tip rap me lajtmotivin “po mama jote çfarë do bëhet” dhe “nxjerreni për zhelesh.”
Në vitin 2026 rolet janë ndryshuar, keqbërjet janë njësoj. Sot janë socialistët me Taulant Ballën që po hedhin në erë shtetin e së drejtës duke refuzuar të votojnë, brenda një afati kohor të arsyeshëm, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit nga arresti të deputetes Belinda Balluku, tashmë ish-zvkryeministre. Tashmë është rradha e Ballës, viktima e atij agresioni të shpifur të vitit 2008 nga Berisha, të përdorë gjuhë seksiste, pastaj të kërkojë falje, ndaj një deputeteje të opozitës.
Në seancën e 5 marsit, Balla deklaroi: “Për deputeten e opozitës kemi numrin 0900”, një prefiksit telefonik i njohur veçanërisht për shërbime seksuale. Gjuha me nënkuptime seksiste dyshohet se është përdorur edhe nga deputetja socialiste Zengjine Çaushi por për këtë të fundit nuk është e mundur të thuhet nëse kemi të bëjmë me gjuhë me nënkuptime apo me gjuhë krejtësisht të pakuptimtë. Ndërsa opozita protestoi dhe Balla kërkoi falje, (në rastin e Çaushit protestuan organizatat e të drejtave të njeriut dhe kërkuan ndëshkimin e saj) ajo që humbi në diskutim ishte çështja kyçe: refuzimi i socialistëve për t’iu përgjigjur kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit nga arresti të Belinda Ballukut. Në lojë është e ardhmja e shtetit ligjor në Shqipëri. Parlamenti, më saktë, shumica socialiste, po sfidon gjyqësorin me gjuhë verbale dhe me mosveprime, me qëllim që t’i shërbejë interesit politik të socialistëve, interesit të pushtetit individual përballë interesit të përbashkët të shqiptarëve për drejtësi, për integrim evropian, për një të ardhme në një vend normal ku korrupsioni, së paku ai sistemik i socialistëve, të mos ekzistojë.
Në Romën e lashtë ka qenë një politikan që quhej Kato i vjetri. Ai njihet për hiletë e tij retorike në senatin e Romës. Hileja për të cilën ai është mbajtur mend në histori është Carthago delenda est. Kato fliste në senat për shumë gjëra, siç flitet edhe në Kuvendin e Shqipërisë, por pavarësisht se për çfarë teme fliste, ai e mbyllte fjalimin me një mesazh për politikën kyçe që ai ndiqte. Ai thoshte në fund të çdo fjalimi: Kartagjena duhet të shkatërrohet.
Është shumë e arsyeshme që jo vetëm politikanët e opozitës, por edhe qytetarët që marrin përsipër të flasin në publik, të kopjojnë këtë instrument të retorikës të Katos dhe të përfundojnë çdo fjalim e çdo koment, pavarësisht nëse po komentojnë mbi filozofinë e jetës apo mbi vogëlsirat e qejfeve të përditshme, pavarësisht nëse po komentojnë për Luftën në Ukrainë apo për ngjyrën e përshtatshme të të brendshmeve, ta përfundojnë komentin me fjalët: hiqni imunitetin Ballukut! Socialistët duhet të mbahen përgjegjës për çfarë po bëjnë. Komentet seksiste, të keqkuptuara apo jo, nuk duhet të heqin vëmendjen nga çështja kyçe: socialistët bashkë me opozitën duhet të votojnë heqjen e imunitetit të Ballukut. Shteti i së drejtës kërkon bindjen e parlamentit ndaj një kërkese të SPAK. E ardhmja e vendit kërkon këtë.
Hiqni imunitetin e Ballukut!
