FOTO/ Derbi, një makth për Inter, Estupinan rihap garën për titull, Milano mbetet kuqezi (VIDEO)
Milan është kthyer në një makth për Inter, ky ishte derbi i 7-të radhazi që zikaltërit nuk fitojnë, pësuan një tjetër humbje duke rihapur garën për titull në Serie A. Për ekipin e Allegrit fitorja ishte detyrim, më shumë se sa për t’u rikthyer në lojë për titull, ky sukses kishte një tjetër vlerë të veçantë, mban të “gjallë” Serie A dhe përforcon pozitat e tyre për të siguruar një vend në Champions League. Suksesi në “Madonnina” e dërgon në -7 diferencën me Inter.
Në një “San Siro” full, rasti i parë ishte për “djallin”, me Modric që përfitoi nga një gafë e Sommer, por goditja e kroatit shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Inter reagoi shpejt, me Mkhitaryan që flirtoi me golin, me mesfushorin armen që bëri gjithçka mirë deri në momentin final, ku goditja e tij gjeti trupin e Mike Maignan. Në minutën e 35-të, Fofana dhuroi një asist të bukur për Estupinan, me mbrojtësin kolumbian që me një goditje të bukur brenda në zonë tundi rrjetën duke bërë që “San Siro” të shpërthente në festë. Ky ishte goli i tij i parë me fanellën kuqezi.
Në fraksionin e dytë, Inter mori kontrollin e lojës duke iu afruar golit të barazimit në të paktën dy raste të pastra. Fillimisht ishte Dimarco që brenda në zonë tentoi kuadratin, por e majta e tij shkoi pak mbi traversë. Momenti më i kontestuar i këtij derbi erdhi në shtesë, në minutën e 94-ët, ku goditja me kokë e Dumfries u prek me dorë nga Ricci, për gjyqtarin e takimit ishte thjesht një prekje e pavullnetshme, një rast i pastër për moviolë. Rezultati mbi i pandryshuar, me Milan që feston për këtë trepikësh jetik, shumë i rëndësishëm edhe për tifozët kuqezi.
Suksesi i Milan “pushtoi” faqet e para të mediave italiane: “Milan ëndrrash, Estupinan vendos derbin, djalli -7”, shkruan La Gazzetta dello Sport. “Inter, derbi një makth. Estupinan rihap garën për titull”, ishte titulli kryesor i TuttoSport.
