Gjykata Kushtetuese: Qeveria kufizoi lirinë e shprehjes me mbylljen e TikTok
Gjykata Kushtetuese vlerësoi të mërkurën se vendimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama për mbylljen e platformës TikTok në mars të vitit 2025 përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në shkelje të nenit 22 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Vendimi u mor me shumicë votash të gjashtë nga tetë anëtarët e Kushtetueses, pas padisë së ngritur nga organizatat e medias, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative – Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese e mori çështjen në shqyrtim, edhe pasi qeveria vendosi që ta shfuqizonte vendimin për bllokimin e TikTok-ut, vetëm dy ditë përpara seancës gjyqësore të paracaktuar.
Sipas një njoftimi për shtyp të Gjykatës Kushtetuese, gjykata vlerësoi se çështja paraqet interes publik dhe gjykimi mbetej i nevojshëm, pavarësisht shfuqizimit të VKM-së objekt shqyrtimi dhe kërkesës së Këshillit të Ministrave për pushimin e gjykimit.
Gjykata ka vlerësuar se kërkuesit legjitimohen për pretendimet e tyre, pasi lidhen me ushtrimin e të drejtave dhe lirive të gazetarëve dhe punonjësve të medias që ata synojnë të mbrojnë.
Në vendimin e saj, Gjykata e gjeti të drejtë pretendimin e kërkuesve se ndërprerja e aksesit në platformën TikTok, përbën kufizim të lirisë së shprehjes dhe të shtypit.
Sipas gjykatës, megjithëse ligjet mbi bazën e të cilave ka dalë vendimi qeverisë për mbylljen e Tik Tok, përcaktojnë kompetenca të caktuara rregullatore dhe mbrojtëse në fushën e komunikimeve elektronike dhe të të drejtave të fëmijëve, ato nuk i japin Këshillit të Ministrave një autorizim të qartë, të posaçëm dhe të parashikueshëm për vendosjen e një mase me karakter të përgjithshëm, siç është në këtë rast ndërprerja e plotë e aksesit në një platformë on-line për të gjithë përdoruesit në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Në këto kushte, VKM-ja nr. 151/2025 nuk mund të konsiderohet thjesht si akt që detajon teknikisht një kufizim të parashikuar më parë nga ligji, por si akt që ka materializuar vetë kufizimin në thelbin e tij”, konstaton gjykata dhe e konsideron të papërmbushur kriterin e kufizimit “vetëm me ligj”.
Gjykata Kushtetuese argumenton më tej se Këshilli i Ministrave nuk ka përmbushur detyrimet e nenit 17 të Kushtetutës, ku përcaktohet se kufizimi i të drejtave dhe lirive mund të vendoset vetëm me ligj për një interes publik, në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë.
Gjykata vlerëson se Këshilli i Ministrave nuk ka shqyrtuar mundësinë e përdorimit të mjeteve të tjera juridike, si dhe nuk ka provuar në mënyrë bindëse se një bllokim i përgjithshëm i platformës përbënte mjetin e vetëm efektiv dhe të domosdoshëm për arritjen e objektivit të synuar.
Sipas gjykatës, megjithëse gazetarët kanë pasur në dispozicion edhe mjete të tjera komunikimi që ishin funksionale, kjo rrethanë nuk mund të justifikonte eleminimin tërësisht të aksesit në një hapësirë të caktuar komunikimi, për sa kohë platforma në fjalë paraqiste karakteristika të veçanta si hapësirë komunikimi publik dhe shpërndarjeje informacioni. Po ashtu, gjykata vlerëson se masa nuk ishte porpocionale.
“Gjykata vlerësoi se ndërhyrja nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit të parashikuar nga neni 17 i Kushtetutës dhe pretendimet e kërkueseve në drejtim të lirisë së shprehjes dhe të lirisë së shtypit janë të bazuara, ndaj kërkesa në këtë pjesë pranohet”, shkruhet në njoftim.
Pas shpalljes së vendimit, kryeministri Edi Rama e ironizoi Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se kishte injoruar kërkesat e prindërve dhe mësuesve përmes një postimi në X.
Duke anashkaluar thelbin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Rama e mbrojti sërish vendimin e tij për mbylljen e TikTok-ut: “… falë këtij vendimi që s’dua t’ia vë emrin që ka, shpifësit mund të ndjehen të inkurajuar”.
