Thu, Mar 12, 2026

Arsenal shmang humbjen, vetëm barazim ndaj “aspirinave”, Arteta shfaqet optimist: E përfundojmë kualifikimin në Londër

Arsenal shmang humbjen, vetëm barazim ndaj “aspirinave”, Arteta shfaqet optimist: E përfundojmë kualifikimin në Londër
  • PublishedMarch 12, 2026

Emocione deri në fund në përballjen mes Bayer Leverkusen dhe Arsenal në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-ave të Champions League. Gjermanët ishin shumë pranë fitores, por në minutat e fundit londinezët arrijnë të barazojnë për rezultatin përfundimtar 1-1.

Arsenal rrezikon i pari në minutën e 20-të, kur Martinelli godet traversën. Megjithatë, goli i avantazhit vjen në pjesën e dytë dhe mban firmën e Leverkusen: pas një goditjeje këndi, Andrich shënon me kokë për 1-0.

Skuadra e Artetës nuk dorëzohet dhe shtyn përpara në minutat e fundit. Kur ndeshja dukej e mbyllur, vjen episodi vendimtar: faull në zonë ndaj Madueke dhe arbitri akordon penallti. Nga pika e bardhë është Havertz – ish-lojtari i Leverkusen – që nuk gabon dhe barazon shifrat në 1-1. Kështu, gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Londër. Pavarësisht këtij rezultati tekniku i “Topçinjve”, Mikel Arteta u shfaq optimist sa i takon çështjes kualifikim: “ E dimë sa e vështirë është të fitosh ndaj çdo kundërshtari në këtë kompeticion, sidomos jashtë fushe. Ka një faktor të madh aty, ndoshta pastaj e kupton çfarë kemi arritur duke fituar tetë ndeshje radhazi në këtë kompeticion, sepse është kaq e vështirë sa askush nuk e ka bërë më parë. Ne e dimë shumë mirë këtë, e dinim rëndësinë e ndeshjes dhe vështirësinë e kundërshtarit, dhe tani duhet ta përfundojmë në Londër.” “Do të shohim gjërat që kemi përmirësuar, situatat që mund të krijojmë dhe do të përpiqemi të jemi sidomos shumë më efikasë në shumë gjëra të thjeshta që sot nuk i bëmë aq mirë.”