Pas skandaleve në Noma, Rene Redzepi largohet nga drejtimi i restorantit legjendar
Chef-i i njohur Rene Redzepi ka njoftuar largimin e tij nga drejtimi i restorantit të famshëm Noma, pas polemikave dhe kritikave të forta që kanë shoqëruar emrin e restorantit në vitet e fundit për sjellje të papërshtatshme dhe abuzive ndaj punonjësve. Në një fjalim para stafit të tij, Redzepi ka pranuar se javët e fundit kanë sjellë shumë diskutime të rëndësishme jo vetëm për Noma-n, por edhe për mënyrën se si ai e ka drejtuar restorantin ndër vite. Ai është shprehur se, megjithëse ka bërë përpjekje për t’u bërë një udhëheqës më i mirë dhe janë ndërmarrë hapa për të transformuar kulturën e punës, kjo nuk mjafton për të fshirë të kaluarën.
“Një kërkim falje nuk mjafton; unë marr përgjegjësinë për veprimet e mia”, mësohet të ketë thënë ai, duke e bërë të qartë se vendimi për t’u tërhequr vjen si një akt përgjegjësie personale.
Pas më shumë se dy dekadash në krye të një prej restoranteve më të vlerësuar në botë, Redzepi tha se ka vendosur t’ua lërë drejtimin brezave të rinj të ekipit të tij, të cilët i cilësoi si të jashtëzakonshëm dhe të aftë për ta çuar Noma-n në një kapitull të ri. Njëkohësisht, ai bëri të ditur se ka dhënë dorëheqjen edhe nga bordi i organizatës jofitimprurëse MAD, të cilën e themeloi në vitin 2011.
Pavarësisht largimit, Redzepi u shpreh me tone optimiste për të ardhmen e restorantit, duke theksuar se ekipi aktual i Noma-s është më i fortë dhe më frymëzues se kurrë. Sipas tij, misioni i restorantit do të mbetet i njëjtë: të eksplorojë ide të reja, të zbulojë shije të panjohura dhe të ripërcaktojë mënyrën se si konceptohet ushqimi në vitet që vijnë.
Ai nënvizoi gjithashtu se Noma ka qenë gjithmonë më e madhe se çdo individ dhe se largimi i tij është një hap që respekton pikërisht këtë bindje. Kështu, fundi i epokës së Rene Redzepit në drejtimin e Noma-s shënon një moment të fortë për një nga emrat më të mëdhenj të gastronomisë botërore.
