Mon, Mar 16, 2026

Ndeshja Poloni – Shqipëri, hapet procesi i aplikimit për shortin e biletave

Ndeshja Poloni – Shqipëri, hapet procesi i aplikimit për shortin e biletave
  • PublishedMarch 16, 2026

Federata e Futbollit njofton të gjithë tifozët se është hapur procesi i aplikimit për shortin e biletave për ndeshjen Poloni – Shqipëri, e vlefshme për fazën play-off të Kampionatit Botëror 2026, që do të luhet më 26 mars në Varshavë.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë përmes linkut Shorti për aplikimin e biletave Poloni – Shqipëri, duke ndjekur të njëjtën procedurë si për blerjet e mëparshme online.

Si të aplikoni:

Të gjithë tifozët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të regjistrohen paraprakisht në platformë duke krijuar një llogari personale ose duke përdorur një llogari ekzistuese. Çdo individ do të ketë mundësi të aplikojë vetëm për dy bileta, pa mundësi për të kërkuar më pak apo më shumë.

Afatet dhe procesi i përzgjedhjes:

Procesi i aplikimit do të jetë i hapur për një periudhë 48 orë. Pas përfundimit të kësaj periudhe, sistemi do të përzgjedhë në mënyrë rastësore aplikantët fitues.

Blerja dhe marrja e biletave:

Aplikantët e përzgjedhur do të njoftohen përmes email-it, ku do të marrin një link të personalizuar për të përfunduar pagesën e biletave.

Pagesa duhet të kryhet brenda 24 orëve nga momenti i marrjes së njoftimit.

Pas përfundimit të pagesës, tifozët fitues do të marrin një link përkatës për të aksesuar biletat e tyre.

Biletat do të jenë të disponueshme për shkarkim në aplikacionin zyrtar “Mobilny System Biletowy”.