Ardian Ismajli në formë të shkëlqyer, buzëqesh Sylvinho
Me Gjimshitin në kushte jo perfekte fizike dhe me Marash Kumbullën të zhdukur prej kohësh, lajmi i mirë për trajnerin Sylvinho është rikthimi në top-formë i Ardian Ismajlit. Pavarësisht se ky i fundit nuk është preferencë e parë e teknikun kuqezi, pasi në të gjithë fushatën kualifikuese ka luajtur me dyshen Gjimshiti-Ajeti në qendër, forma e mirë e Ismajlit është një siguri më shumë për Sylvinho.
Pas një periudhë të vështirë, i kushtëzuar nga dëmtime të shumta, Ismajli është rikthyer të luaj rregullisht dhe për më tepër në nivele të larta. Forma e tij e mirë është reflektuar edhe te rezultatet e Torinos.
Me ardhjen e D’Aversës, roli i Ismajlit është forcuar ndjeshëm pasi ai është vendosur në qendër të mbrojtjes me tre lojtarë dhe konsiderohet shtylla kryesore e repartit defensivë.
Ky ndryshim ka sjellë përmirësim të dukshëm në lojën e Torinos, me më pak gola të pësuar dhe më shumë ekuilibër në fushë. Si rrallë herë periudhën e fundit, Ismajli vjen në këtë grumbullim me ekipin përfaqësues në kushte shumë të mira fizike.
