Gjykata vendos kundër Aaron Phypers, detyrohet të paguajë mijëra dollarë dëmshpërblim
Denise Richards rikthehet sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë për shkak të ish-bashkëshortit të saj, Aaron Phypers, i cili është urdhëruar nga gjykata të paguajë një shumë të konsiderueshme parash pas akuzave për mashtrim.
Një gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Los Anxhelosit vendosi që Phypers duhet t’i paguajë 160 mijë dollarë Rupert Perry, pasi ky i fundit e paditi për shkelje kontrate dhe mashtrim. Vendimi u mor më 16 mars, pasi Phypers nuk iu përgjigj padisë në afatet e përcaktuara.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Perry kishte bërë disa përpjekje për ta kontaktuar gjatë vitit të kaluar, madje duke publikuar edhe njoftime në median lokale për ta informuar mbi procesin ligjor. Megjithatë, mungesa e reagimit çoi në një vendim në favor të paditësit.
Padia lidhet me një shumë prej 126 mijë dollarësh që Perry dhe bashkëshortja e tij e ndjerë, Elina Katsioula-Beall, i kishin paguar qendrës së mirëqenies së Phypers, Quantum 360 Club, për trajtime me qeliza staminale. Ata pretendonin se trajtimi do të ndihmonte në luftën kundër sëmundjes së rëndë që ajo vuante.
Sipas padisë, Phypers kishte premtuar përmirësim të gjendjes ose rimbursim të pjesshëm në rast dështimi. Por, pas përkeqësimit të shëndetit dhe refuzimit të rimbursimit, çështja përfundoi në gjykatë.
Historia merr një kthesë edhe më të rëndë pasi Katsioula-Beall ndërroi jetë në maj 2024, duke e lënë çështjen të vazhdojë nga bashkëshorti i saj.
