Sat, Mar 28, 2026

Shpifja në Shqipëri: Zgjedhja e instrumentit të duhur për një problem real

Shpifja në Shqipëri: Zgjedhja e instrumentit të duhur për një problem real
  • PublishedMarch 28, 2026
Shpifja në Shqipëri: Zgjedhja e instrumentit të duhur për një problem real

Shpifja, dëmtimi i reputacionit, fushatat denigruese dhe manipulimi i informacionit janë probleme reale dhe të dukshme në hapësirën publike në Shqipëri. Ato ndikojnë në debatin politik, në besueshmërinë e medias dhe në besimin e publikut, por mbi të gjitha ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve. Ata që kanë përjetuar fushata të vazhdueshme shpifjeje, sulme të koordinuara ndaj reputacionit apo manipulim të qëllimshëm të imazhit të tyre publik, e dinë mirë koston që kjo ka: në aspektin profesional, personal dhe në aftësinë për të vazhduar punën e tyre.

Pikërisht sepse dëmi është real, mënyra se si i qasemi këtij problemi ka rëndësi thelbësore. Prandaj, çështja nuk është nëse shpifja duhet adresuar, kjo është e qartë, por çfarë lloj reforme nevojitet dhe nëse instrumentet që po përdoren adresojnë shkaqet reale të saj.

Prej vitesh, organizatat e shoqërisë civile dhe ato të medias që punojnë për lirinë e medias në Shqipëri kanë kërkuar një agjendë reformash gjithëpërfshirëse, të bazuar në evidencë. Kjo agjendë përfshin të gjithë spektrin e kushteve që përcaktojnë nëse gazetaria mund të funksionojë në mënyrë të sigurt, profesionale dhe në interes të publikut: mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet fizike, ligjore dhe digjitale; përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave të punës; akses real në informacionin publik; transparencën mbi pronësinë, financimin dhe lidhjet e medias me burimet shtetërore; adresimin e marrëdhënieve të rrënjosura mes pronësisë së medias, interesave politike, fuqisë ekonomike dhe krimit të organizuar që kanë strukturuar mjedisin mediatik në Shqipëri; si dhe forcimin e vetërregullimit dhe standardeve profesionale që ndërtojnë integritetin e medias nga brenda sektorit.

Dekriminalizimi i shpifjes është një element i kësaj agjende. Ai nuk është prioriteti kryesor, as i vetmi dhe as një zgjidhje magjike. Funksioni i tij specifik është të heqë një instrument ligjor disproporcional që krijon efekt frikësues mbi shprehjen në interes publik dhe të kontribuojë në krijimin e një mjedisi më mundësues, ku gazetaria mund të ushtrohet me më shumë siguri. Ky hap duhet të shoqërohet dhe të pasohet nga reforma të mjeteve civile, garanci kundër SLAPP-ve dhe adresimi i kushteve strukturore që përcaktojnë mënyrën se si funksionon media në praktikë.

Më 25 mars 2026, sesioni i dytë plenar i platformës “Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, ofroi një moment të rëndësishëm për të reflektuar mbi ecurinë e reformës dhe çështjet që mbeten ende të pazgjidhura. Organizatat e shoqërisë civile dhe të medias të pranishme ngritën shqetësime lidhur me ndryshimet e janarit 2026 në Kodin Penal, duke theksuar se ligji përfundimtar nuk arriti dekriminalizimin e plotë dhe përfshiu mbrojtje të kushtëzuara, që nuk përputhen me standardet evropiane.

Ajo që u kërkua nuk ishte një rezultat i caktuar politik, por diçka më themelore: që reformat të përmbushin standarde të qarta ligjore, të garantojnë proces të rregullt ligjor dhe të mbështeten në llogaridhënie reale, përfshirë transparencën dhe gjurmueshmërinë mbi mënyrën se si kontributet nga procesi i konsultimit reflektohen në vendimmarrjen përfundimtare legjislative. Ajo që ndodhi ishte që rekomandimet e dakordësuara në një proces të strukturuar dhe pjesëmarrës u anashkaluan nga mazhoranca pa shpjegim, dhe përgjegjësia për rezultatin problematik u zhvendos drejt aktorëve të shoqërisë civile që u angazhuan në mirëbesim, duke zhvendosur kështu edhe llogaridhënien nga ata që kanë marrë vendimet përfundimtare.

Në kontekstin e procesit të përshpejtuar të integrimit evropian të Shqipërisë, kjo ngre një pyetje më të gjerë: nëse angazhimet për reforma janë thelbësore apo thjesht performative, dhe nëse standardet që Shqipëria ka marrë përsipër t’i zbatojë trajtohen si detyrime reale apo si kërkesa formale për t’u përmbushur.  Rasti për ndryshimet në Kodin Penal sa i takon lirisë së shprehjes dhe mbrojtjes së gazetarëve, që u miratuan në fund të janarit, janë një shembull tipik i kësaj dinamike dhe rrezikut që mbart. Kjo shihet qartë edhe në mënyrën se si argumentohet sot çështja e shpifjes dhe zgjedhja e instrumentit për ta adresuar.

Një pikënisje që krijon konfuzion

Një nga argumentet kryesore që është paraqitur thotë se vetë Bashkimi Evropian nuk e ka hequr plotësisht shpifjen nga Kodi Penal dhe, për këtë arsye, Shqipëria nuk është e detyruar ta bëjë këtë. Por ky argument ngatërron dy gjëra të ndryshme: ekzistencën e një norme ligjore dhe standardin që ajo duhet të plotësojë. Disa shtete anëtare të BE-së e mbajnë akoma shpifjen si vepër penale. Megjithatë, standardi i kërkuar buron nga praktika e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe udhëzimet e Këshillit të Evropës: çdo kufizim i lirisë së shprehjes duhet të kalojë provën e ligjshmërisë, të qëllimit legjitim, të nevojës dhe të proporcionalitetit. E drejta penale është mjeti më i rëndë dhe ndërhyrës që ka në dispozicion shteti. Kur bëhet fjalë për shpifjen, sidomos në rastet që lidhen me zyrtarë publikë ose çështje me interes të gjerë publik, kjo provë rrallë plotësohet. Pikërisht mbi këtë bazë, Këshilli i Evropës u bën thirrje shteteve të lëvizin drejt heqjes së plotë të shpifjes nga legjislacioni penal. Ky drejtim pasqyrohet jo vetëm në standardet evropiane, por edhe në rajon: vende si Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërmarrë tashmë hapa konkretë në këtë rrugë.

Atje ku shpifja mbetet vepër apo kundravajtje penale në disa shtete anëtare të BE-së, ajo funksionon brenda një mjedisi institucional që Shqipëria nuk e ndan plotësisht: gjykata të pavarura, kontroll i rreptë i proporcionalitetit, mjete efektive të së drejtës civile dhe mekanizma mbrojtës kundër padive strategjike që synojnë të mbytin pjesëmarrjen dhe debatin publik (SLAPP). Pikënisja e rekomandimit për dekriminalizimin e shpifjes lidhet jo thjesht me cilat vende të BE-së e kanë bërë këtë, por mbi të gjitha çfarë kërkon në fakt korniza evropiane e të drejtave të njeriut, dhe drejtimi që ajo cakton është i qartë, i kërkon shteteve të shkojnë drejt dekriminalizimit të plotë të shpifjes.

Thirrja për dekriminalizim nuk është thjesht një përgjigje ndaj rekomandimeve të jashtme. Ajo reflekton vite analizash dhe advokimi të bazuar në evidencë nga organizatat e medias, shoqëria civile dhe gazetarët në Shqipëri dhe në rajon, të mbështetura në modele të dokumentuara se si kuadri ligjor ndikon në praktikë sjelljen e medias.

Çështja nuk është vetëm ndëshkimi, por përdorimi i së drejtës penale

Edhe kur nuk ka dënime me burg për shpifje, ajo mbetet një instrument që ndëshkon jo vetëm pas faktit, por disiplinon fjalën paraprakisht. Vendimet editoriale formësohen në heshtje nga pyetja nëse një raportim ia vlen rrezikun ligjor. Kjo është formë e vetëcensurës, që vepron kryesisht në mënyrë të padukshme dhe prodhon një pasqyrë të shtrembëruar të realitetit publik jo përmes dënimeve, por përmes mungesës së raportimit.

Raporti Vjetor 2025 i SCiDEV dhe BIRN Albania, i cili ndjek progresin e Shqipërisë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në raport me standardet e BE-së, e dokumenton këtë fenomen si sistemik: dobësitë strukturore vazhdojnë të ndikojnë sjelljen editoriale, ndërsa aktorët politikë mbeten burimi kryesor i kërcënimeve dhe presioneve të raportuara nga gazetarët, dhe ekziston një hendek i përsëritur midis mekanizmave formalë institucionalë dhe efektivitetit të tyre në praktikë.

Monitorimi nga SafeJournalists Network regjistroi 42 shkelje të sigurisë së gazetarëve dhe të lirisë së shprehjes gjatë vitit 2025, ndërsa në muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar tashmë 10 raste. Këto përfshijnë fushata të koordinuara denigruese dhe përpjekje të vazhdueshme për të diskredituar gazetarinë e pavarur, modele që reflektojnë një përpjekje më të gjerë për të minuar median mbikëqyrëse, dhe jo incidente të izoluara. Të dhënat e sondazhit nga viti pararendës e përforcojnë këtë në mënyrë konkrete: pothuajse gjysma e gazetarëve raportojnë se kanë përjetuar presion për të ndryshuar, vonuar apo braktisur një histori për shkak të ndikimeve të jashtme, ndërsa shumica identifikojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, pikërisht fushat me interesin më të lartë publik, si tema veçanërisht të ndjeshme ose të kufizuara.

Ky nuk është një argument kundër llogaridhënies për shpifjen. Ata që përhapin qëllimisht informacion të rremë duke shkaktuar dëm serioz ndaj individëve, duhet të mbajnë përgjegjësi. E drejta civile ekziston pikërisht për këtë qëllim: ofron dëmshpërblim për të dëmtuarin dhe pasoja proporcionale për autorin. Argumenti ka të bëjë me atë se cili instrument e garanton këtë llogaridhënie në mënyrën më efektive dhe me rrezikun më të ulët për abuzim.

E drejta penale, me aparatin e saj hetimor, diskrecionin e prokurorisë dhe efektet stigmatizuese që mbart, është një instrument i ashpër dhe disproporcional për të rregulluar shprehjen, veçanërisht në një mjedis ku i njëjti instrument mund të përdoret kundër atyre që synon të mbrojë.

Një problem strukturor, jo vetëm individual

Niveli i shpifjes dhe i diskursit denigrues në Shqipëri nuk është thjesht rezultat i sjelljes individuale, por është pasojë e një mjedisi të deformuar mediatik dhe qeverisës. Fushatat denigruese dhe sulmet e koordinuara ndaj reputacionit janë simptoma të mënyrës si funksionon një sistem ku pronësia është e përqendruar, financimi është jo transparent, autonomia editoriale është e dobët dhe kufijtë mes medias, interesave politike dhe atyre ekonomike apo edhe influencave joformale janë të mjegullta. E drejta penale nuk i trajton këto shkaqe; ajo adreson simptomën, duke lënë të paprekur problemin në thelb.

Ekziston gjithashtu një asimetri strukturore në mënyrën se si funksionon shpifja si instrument penal. Aktorët e fuqishëm, ata me lidhje politike, akses institucional apo burime ekonomike, janë në pozicion më të favorshëm për të nisur dhe për të mbajtur procese gjyqësore, duke ushtruar presion të zgjatur ndaj kritikëve. Gazetarët, freelancer-ët dhe mediat më të vogla përballen me të kundërtën: janë më të ekspozuar ndaj efektit frenues dhe më pak në gjendje të përballojnë kostot dhe kohëzgjatjen e proceseve ligjore. Në këtë kuptim, shpifja si vepër apo kundravajtje penale nuk mbron më të pambrojturit; përkundrazi, rrezikon të fuqizojë ata që tashmë kanë më shumë mundësi për të përdorur ligjin dhe ndikimin në mënyrë më efektive se të tjerët.

Kjo asimetri rrënjoset në lidhjet e konsoliduara ndër vite mes pronësisë së medias, interesave politike dhe fuqisë ekonomike, të cilat kanë formësuar mjedisin informativ në Shqipëri. Në këtë kontekst, fushatat denigruese dhe sulmet ndaj reputacionit nuk janë thjesht dështime të rastësishme të etikës individuale, ato janë instrumente të një sistemi ku kontrolli mbi informacionin përkthehet në avantazh politik dhe ekonomik. Çmontimi i këtij sistemi kërkon reforma strukturore: transparencë reale mbi pronësinë dhe financimin e sistemit mediatik, garanci të zbatueshme për pluralizmin, eliminimin e rrjeteve të kapura të ndikimit informal dhe të fshehur dhe krijimin e kushteve që vendimet editoriale të merren të pavarura nga presionet politike apo ekonomike. Kriminalizimi i shpifjes nuk prek asnjë prej këtyre dimensioneve.

Nga ana tjetër, gjykatat shqiptare nuk publikojnë të dhëna të detajuara mbi çështjet e shpifjes penale që përfshijnë gazetarë, aktivistë apo mbrojtës të të drejtave të njeriut: si nisen këto çështje, kush i ngre ato, dhe cilat janë rezultatet. Kjo mungesë transparence gjyqësore nuk është thjesht një boshllëk teknik; është një problem i qeverisjes, i ngritur vazhdimisht nga organizatat e fushës.

Çfarë ka ndryshuar në Shqipëri — dhe çfarë jo

Ndryshimet ligjore të miratuara në fillim të vitit 2026 janë paraqitur si një hap drejt dekriminalizimit. Në thelb, nuk janë të tilla. Duke e lidhur përjashtimin e pjesshëm nga përgjegjësia penale me gazetarë të cilësuar si “të regjistruar” ose “të njohur”, reforma vendos një qasje të bazuar në status, e papajtueshme me standardet evropiane. Një qasje e tillë krijon rrezikun e vendosjes së mekanizmave të kontrollit mbi atë se kush konsiderohet gazetar, duke hapur rrugë për përjashtim arbitrar dhe ndikim politik mbi ushtrimin e lirisë së shprehjes. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka qenë e qartë se mbrojtja lidhet me funksionin, jo me titullin: blogerët, aktorët e shoqërisë civile, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, sinjalizuesit dhe qytetarët që marrin pjesë në debatin publik gëzojnë të njëjtën mbrojtje si gazetarët e akredituar. Reforma i përjashton këto kategori dhe lë pa përgjigje se kush vendos se kush është “i njohur” dhe mbi çfarë kriteresh, dhe ruan fyerjen si vepër penale, duke e thelluar, dhe jo zgjidhur, efektin frenues. Gjithashtu, reforma anashkaloi një proces njëvjeçar gjithëpërfshirës, të lehtësuar nga BE dhe Këshilli i Evropës, i cili kishte prodhuar një draft që reflektonte rekomandimin për dekriminalizim të plotë për të gjithë individët. Ky draft u la mënjanë dhe u miratua një tekst thelbësisht i ndryshëm, pa konsultime të mëtejshme.

Këto shqetësime përforcohen nga një problem më i gjerë koherence. Ndryshimet e janarit 2026 u miratuan të shkëputura nga puna në vijim për një Kod të ri Penal gjithëpërfshirës, i cili përmban një sërë dispozitash me ndikim të drejtpërdrejtë në lirinë e medias dhe të shprehjes dhe për të cilat ka pasur reagime shqetësuese. Reformimi i një dispozite përmes një përjashtimi të bazuar në status, ndërkohë që arkitektura më e gjerë e së drejtës penale mbetet e paadresuar, dhe paralelisht hartimi i një kodi të ri pa trajtuar këto çështje në mënyrë sistematike, prodhon fragmentim dhe jo reformë koherente. Organizatat e shoqërisë civile dhe të medias kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që këto procese të trajtohen si të ndërlidhura, dhe jo si rrugë paralele që zhvillohen pa referencë ndaj njëra-tjetrës.

Një qasje tjetër ndaj llogaridhënies

Largimi nga shpifja penale nuk do të thotë më pak llogaridhënie, por llogaridhënie më të mirë. Është e vërtetë që gjykatat civile në Shqipëri përballen me vonesa të konsiderueshme, dhe kjo nuk mund të neglizhohet. Por gjykatat e ngadalta civile janë një argument për reformimin e drejtësisë civile, jo për ruajtjen e një kuadri penal që po ashtu ka dështuar të mbrojë viktimat.

Standardet e Këshillit të Evropës për mjetet civile në rastet e shpifjes, Direktiva e BE-së kundër SLAPP-ve dhe Rekomandimi i Këshillit të Evropës për mbrojtjen e gazetarëve nga paditë strategjike, ofrojnë një kornizë të qartë: dëmshpërblime proporcionale, procedura më të shpejta, të drejta të zbatueshme për përgjigje dhe korrigjim, si dhe garanci të qarta kundër padive abuzive. Shqipëria nuk ka nevojë ta ndërtojë këtë nga e para; ajo ka nevojë për vullnet politik për të zbatuar atë që institucionet evropiane tashmë e kanë zhvilluar.

Reformat më të gjera strukturore, transparenca e pronësisë, shpërndarja e drejtë e reklamave publike, forcimi i pavarësisë editoriale dhe vetërregullimi efektiv, mbeten po aq thelbësore dhe nuk mund të trajtohen si dytësore ndaj reformës ligjore.

Një çështje drejtimi

Sfidat me të cilat përballet liria e medias në Shqipëri, përqendrimi i pronësisë, varësia financiare, kushtet e punës, dobësimi i autonomisë editoriale, janë më komplekse dhe më urgjente sesa vetëm çështja e dekriminalizimit të shpifjes. Dekriminalizimi nuk i zgjidh këto sfida. Ajo që bën është të heqë një instrument disproporcional nga një mjedis ligjor që tashmë rëndon mbi gazetarinë në interes publik, të harmonizojë kuadrin me logjikën e proporcionalitetit që kërkojnë standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të sinjalizojë një gatishmëri për të marrë seriozisht thelbin demokratik të reformës, jo vetëm pamjen e saj formale.

Rreziku i trajektores aktuale nuk është vetëm se nuk përmbush një standard teknik. Është rreziku më i gjerë i një përafrimi formal pa përmbajtje demokratike, i mekanizmave ligjorë që duken në përputhje, por që ruajnë kushtet që lejojnë pushtetin të disiplinojë kritikën. Dekriminalizimi, i kombinuar me mjete civile më të forta, garanci kundër SLAPP-ve, transparencë gjyqësore dhe reforma strukturore në media, është rruga më e besueshme pikërisht sepse adreson këtë problem më të thellë.