Botët vokale të Hersi Matmujës dhe albumi “Lum”
Më dt. 15 shkurt në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit u mbajt koncerti Lum, nga Hersi Matmuja (zë dhe dajre) dhe Jacopo Conoci (violonçel). Ky koncert shënoi edhe prezantimin zyrtar në Shqipëri të albumit të parë të duos, i cili mban të njëjtin titull dhe është publikuar nga etiketa diskografike Maladisco, në Itali, në janar të këtij viti.
Hersi Matmuja është një artiste që i qaset skenës shqiptare modestisht, pa pasur me vete atë bujën mediatike të artistit si mall import-eksporti që shoqëron shpesh disa syresh. Nga ana tjetër, ajo nuk është një zë i panjohur, përkundrazi, kemi të bëjmë me një individualitet të spikatur qysh herët; fillimisht tek festivalet e këngës për fëmijë dhe, më tej, një nga zërat më premtues të viteve 2010-të. Vlen të përmendim për këtë edhe pjesëmarrjen e saj në Eurovision, në vitin 2014, si fituese e Festivalit të 52-të të Këngës.
Sidoqoftë, Hersi Matmuja nuk u mjaftua me këtë lloj suksesi. Me vetëdijen që zëri e talenti i saj kishin nevojë për hapësira të tjera për t’u kultivuar e rritur – hapësira edukimi e performance – të cilat as Shqipëria dhe as Eurovisioni nuk mund t’ia ofronte, ajo u zhvendos përfundimisht në Itali. Këtu vijoi studimet për kanto në konservatorin “Santa Cecilia” në Romë, ku u diplomua shkëlqyeshëm dhe dalëngadalë nisi karrierën e saj koncertale.
Fillojnë kështu të marrin formë ato që do t’i quaja botët vokale të Hersit: të lëvizshme në periudha të ndryshme historike, por edhe në kontekste të ndryshme sociale; botë që ajo i eksploron dhe pastaj i interpreton përmes një dijeje të shtresëzuar.
Krahas repertorit kanonik të teatrit lirik dhe sidomos atij të shekullit XVIII, ajo eksploron edhe muzikën antike, atë të Rilindjes italiane e baroke. Një bashkëpunim për t’u përmendur është Combatimento 400 krijuar e drejtuar nga Giordano Antonelli dhe interpretuar nga Musica Antiqua Latina. Vepra në fjalë sjell një ‘rilexim’ të Combattimento di Tancredi e Clorinda, opera e Claudio Monteverdi-it, një prej etërve të teatrit lirik italian. Hersi Matmuja interpreton Klorindën, një personazh e cila vjen përmes simbolikave dhe identitetit oriental të saj. Me interes për t’u përmendur është edhe bashkëpunimi me Orchestra di Piazza Vittorio në Romë, një formacion i krijuar në vitin 2002, i cili ka pasur si synim dialogun dhe ndërveprimin mes kulturave të ndryshme tingullore e jo vetëm, në një botë ku pikëtakohen muzikantë nga vende e profile artistike të ndryshme, por edhe kërkime e projekte artistike origjinale.
Nga këtu, vokaliteti i Hersi Matmujës lëviz edhe më tej, në hapësira të muzikës bashkëkohore. Do përmendja këtu pjesëmarrjen e saj në Kater i Rades. Il Naufragio, opera dhome e Admir Shkurtajt, e porositur nga Biennale Musica di Venezia në vitin 2014, dhe e prodhuar nga teatri Koreja (Lecce). Vepra është luajtur në vende të ndryshme, përfshi edhe Shqipërinë. Po në Venezia, në edicionin e 75-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, ajo ka realizuar edhe një tjetër punë interesante: në kuadër të projektimit të filmit “Der Golem” (1920) nga Paul Wegener, ajo ka interpretuar me Mesimèr Ensemble muzikën e kompozuar nga Admir Shkurtaj, e cila u luajt live gjatë projeksionit të filmit.
Prej veprave të mëdha skenike, ajo lëviz kujdesshëm te kënga për të eksploruar gjeografi të ndryshme të saj: rikthehet edhe tek kënga shqiptare, tradicionale apo e kultivuar, pastaj ajo italiane (e periudhave të ndryshme historike), tek arbëreshet e më gjerë.
Albumi Lum është rezultat i kësaj marrëdhënieje me këngën. Nuk është fjala vetëm për përzgjedhje repertoresh të caktuara, por, mbi të gjitha, për eksplorimin e “lëndës” muzikore. Për këtë rrugëtim, ajo bëhet bashkë me artistë të cilët, nga ajo që dëgjojmë, bashkëndajnë idetë e saj. Më i rëndësishmi këtu është Jacopo Conoci. Në albumin Lum ai vjen në një rol të dyfishtë: si instrumentist, violonçelist dhe si aranzhues i pjesës më të madhe të materialeve të albumit.
Gjithsesi, violonçeli i Jacopo Conoci-t nuk është një shoqërues i thjeshtë i zërit të Hersi Matmujës. Timbri i mprehtë, i plotë dhe i qartë në diksion i zërit të saj bashkëvepron në një mënyrë mjaft të gjetur me tingullin dhe lojën e violonçelit. Jacopo Conoci është “zë” i qenësishëm në këtë duo, me lojën e tij fine, plot ndërveprime të gjetura, të matura e gjithmonë i hapur ndaj dialogut me vokalin e Matmujës. Gjurmohet te ai një dije e përbrendësuar e lojës në violonçel solo, si ka ardhur ajo përmes veprave të shumta të kompozitorëve të shek. XX. Këtë ai e përcjell përmes efekteve timbrike, theksimeve ritmike, thyerjeve melodike. Kësisoj, ai nuk bën thjesht një aranzhim të melodive të këndura, por krijon një dialog mes tyre, që, edhe pse i mirëmenduar, ngjan shumë spontan e duket sikur merr jetë pikërisht gjatë performancës. Violonçeli i Jacopo Conoci-t shndërrohet në një alter-ego të zërit të Hersi Matmujës, duke i dhënë trajtë një simbioze muzikore shumë të gjetur mes tyre.
Duos në album i bashkohen herë pas here edhe Valerio Daniele, me kitarë elektrike (por edhe në rolin e aranzhuesit e producentit), Luca Tarantino, në tiorbë (liuti bas) dhe në liutin e Rilindjes italiane, dhe Vito De Lorenzi në perkusione. Është një lloj kombinimi instrumentash muzikorë, të epokave të ndryshme, por me balancat e duhura të brendshme.
Pjesa më e madhe e materialeve të albumit vijnë nga vendlindja e Matmujës, Kukësi dhe zona e Lumës (“Struka e cucës”, “Kolazh lumjan”, “Dada”, “Prej zamanit”, “Shëjvi”). Krahas tyre, kemi dy këngë urbane shkodrane të viteve ’40-të: “Çikë o mori çikë” (Tish Daija dhe Luçie Serreqi) e “Turtulleshë” (Ramadan Sokoli dhe Qemal Draçini). Gjithashtu, gjejmë një këngë arbëreshe me tone humoristike, “Vare vare”, si dhe një prej materialeve më tipike të muzikës tradicionale salentine “Beddha ci dormi”, që hyn në kuadrin e serenatës.
Nga të gjitha, do të veçoja sidomos grupin e parë, atë me materiale nga Kukësi dhe Luma. Disa prej tyre, ajo i ka mësuar përmes nënës dhe gjyshes së saj, disa prej regjistrimeve të Radio Kukësit, por edhe falë kontaktit dhe ndihmës së çmuar të Liridon Cenajt, Melita Omurit, Aishe Ademit, që aktualisht janë figurat më aktive në jetën kulturore në Kukës.
I saji është një udhëtim pak në invers, në sensin që ajo i rikthehet materialeve që për shumë kohë i ka pasur familjare, por që nuk u kishte kushtuar vëmendje. Dhe kërkimit rreth teksteve, varianteve të interpretuara, regjistrimeve zanore, ajo i bashkëngjit edhe atë të kontekstit, përvojës së “masdarkshit”, që është ajo kohë pas darke, në të cilin, sidomos gjatë ritit të dasmës – por jo vetëm – gratë bëheshin bashkë dhe këndonin (me dahire), ndërsa burrat me çifteli.
Masdarkshi i Hersi Matmujës bën bashkë materiale që për të mbartin kuptime dhe kujtime, mbi të gjitha familjare. E tillë është “Prej zamanit”, një baladë mërgimi e kënduar shumë në familjen e saj. Tradicionalisht e interpretuar me çifteli, ajo këtu vjen me një trajtë më “klasike” me harqe, çka evidenton nuancat elegjiake. “Prej zamanit” është një vijim i një single-i të saj, “Kënga e Çobanit” që ka sërish tone biografike, pasi lidhet me një histori të jetuar nga stërgjyshi i vet.
Nga natyra baladeske e “Prej zamanit”, kalojmë tek “Struka e cucës”, material i trajtuar me një ritmikë valleje, ose, më saktë, kcimi. Ky lloj tensioni i shkon për shtat nuancave erotike të tekstit që përcjellin një dialog flirtimi midis djalit e vajzës. Befasuese është “Shëjvi” e vendosur në kontekstin e një passacaglia (një valle baroke me origjinë spanjolle, e cila dallohet për një linjë basi të pandryshuar, mbi të cilën pastaj krijohen variacione). Violonçeli luan pikërisht këtë linjë të cilën dikur fillon ta ndjekë edhe vokali, madje duke shpejtuar edhe ritmin, si për të gjetur ngushëllim në këtë vaj ngashërryes të vajzës. Ky vaj njëjtësohet me “shëjvin”, fjalë dialektore që përshkruan shiun që bie. Në tekstin shoqërues, kënga përshkruhet si “zemra” e gjithë albumit dhe në fakt, mendoj se është e tillë: në mënyrën si është konceptuar, ky aliazhi mes vajit intim dhe passaccaglia-s baroke, e ngadaltë, por e aftë të mbartë emocione të forta, ajo identifikon filozofinë (ri)krijuese të këngëve; e pikërisht për këtë, për mua, do të rrinte shumë mirë edhe si titull konceptual i albumit. Pas Shëjvit dëgjojmë një këngë të arbëreshëve të Molise-s, (gjetje shumë e mirë e Hersi Matmujës për të sjellë diçka të padëgjuar në Shqipëri nga bota arbëreshe, krahasimisht me ato që tanimë janë bërë standarte). Është një material humoristik në të cilin ndeshen katër personazhe nga riti i dasmës: nusja, i ati, e ëma dhe kori i grave. Melodia shoqërohet nga një ritmikë vozitëse e violonçelit me pizzicato dhe rrëshqitje të harkut që të marra së bashku i japin këngës përmasë teatrale.
Nga cikli i këngëve të masdarkshit nuk mund të mungonin ato ritualet: përmes një kolazhi lumjan dhe “Ka ardh vakti”, të cilët sjellin modelet e përpunuara folklorike sidomos gjatë gjysmës së dytë të shekulli XX dhe që kanë zënë vend në kujtesën e përbashkët. Te kolazhi kemi nje rikonceptim te aranzhimi, sepse ndërsa është kënduar tradicionalisht me dajre (dahire), këtu vjen i pasuruar nga ana timbrike me gjithë formacionin instrumental. Praktikisht është materiali i vetëm në të cilin artistët janë të gjithë bashkë (violonçel, kitarë elektrike, tiorbë, liut rinashimental dhe perkusione) me vokalin. Kurse “Ka ardh vakti” është një lloj himni për jetën e stanit, botën pastorale, aq karakteristike për gjeografinë e vendit dhe që timbri kumbues i Hersi Matmujës e bën jashtëzakonisht evokues.
“Turtulleshë” dhe “Çikë o mori çikë” janë, siç e dimë, dy këngë kult urbane shqiptare. Në fakt, kam vërejtur që shumë këngëtarë i interpretojnë si popullore qytetare shkodrane, pa ua përmendur autorët, që, në fakt, janë figura po aq ikonike sa këngët vetë. E kur vjen puna te materiale të mirënjohura dhe të kënduara shumë, “sfida” për individualitet ekziston gjithmonë. Duos në të dy këngët i është bashkuar Valerio Daniele me kitarë elektrike. Tingulli i saj i jep një përmasë shumë abstrakte e moderne njëherësh këngëve, a thua se kërkon të ndalë kohën (sado kontradiktore të tingullojë kjo kur bie fjala te muzika) për të të imponuar të dëgjosh atë lloj epizmi që përshkon secilën prej këtyre këngëve, përtej, dukjes “së lehtë” të tyre. Ndër të tjera, Turtulleshën ajo zgjedh ta këndojë shumë ngadalë, shtruar, krahasimisht me shumë versione të tjera që kam dëgjuar. Edhe “Çikë o mori çikë” vjen e përmbajtur. Por, ajo që krijon më shumë emocion është ritmi: në gjuhën teknike kemi të bëjmë me 7/8-shin e rëndë. Me një ecuri të tillë lëvizjeje të ngadaltë, ky ritëm, në origjinë vallëzues, fiton një përmasë psikologjike, mendimtare që e kanë disa këngë tradicionale shqiptare të ndërtuara mbi të (Qeraxhi i Grebenesë, fjala vjen). Te “Çikë o mori çikë” interpretimi i Matmujës na “zhyt” pikërisht te kjo lloj gjendjeje.
Këngët e këtij albumi rrijnë bashkë jo në mënyrë rastësore, por si pjesë e asaj logjike dialogu e komunikimi mes kulturave, e cila ndodh vetëm përmes një dijeje të shtresëzuar dhe që shkon edhe përtej këngës në vetvete. Duke u thelluar edhe më në këtë drejtim, arrij të dalloj një prani të fortë të femërores te ky album: femërorja është personazh i kudogjendur mes teksteve të këngëve: vajzë (çikë, cucë), nuse, nënë, turtulleshë. Nga këto, më emblematikja për mua është dada, kjo figurë karizmatike e tetos/tezes/hallës rreth së cilës historitë nuk mbarojnë. Femërorja vjen në dritëhije e emocione shpesh kontradiktore e dramatike. Femërore është edhe prania e dajres (dahires si quhet në krahinën e Lumës) që shoqëron këngët e grave në këtë krahinë dhe që edhe Hersi nuk e ndan. Femëror është gjithashtu ritmi që përshkon shumicën e këngëve, ai 7/8-shi me larmi tempesh dhe lëvizjesh. Femërorja përshkon lojën e violonçelit. Për mua, asnjë instrument tjetër nga familja e harqeve nuk arrin ta përfaqësojë kaq thellësisht këtë sesa ai. E në fund, të gjitha këto sublimohen te vetë botët vokale femërore të Hersi Matmujës, të cilat ajo ka vendosur t’i ndajë me dëgjuesin.
Në një koment përmbyllës do thoja se tanimë që muzika shqiptare ka hyrë në një fazë të fortë trashëgimizimi dhe turistifikimi, albume si Lum, me këto veçori shprehëse të pasura e të shtresëzuara, na tregojnë sesa e nevojshme është për artistin që t’i hulumtojë gjërat me kujdes, në mënyrë që më pas t’i rikrijojë si botë tingullore të vetat. Ky përbën edhe një ndër reflektimet më të rëndësishme në ftesën për ta dëgjuar.
