“Çfarë fundjave e çmendur”/ Publikohen mesazhet flirtuese të Princit Harry me gazetaren
Mesazhe private me tone flirtuese mes Princi Harry dhe gazetares britanike Charlotte Griffiths janë bërë publike së fundmi, duke hapur një tjetër kapitull në përplasjen ligjore me Associated Newspapers Limited, kompania që zotëron “Daily Mail” dhe “Mail on Sunday”.
Zbulimi i këtyre komunikimeve vjen në një moment kyç të procesit gjyqësor, pasi synon të vërë në pikëpyetje dëshminë e Princit Harry, i cili më herët kishte deklaruar se e kishte takuar gazetaren vetëm një herë dhe kishte ndërprerë menjëherë çdo kontakt pasi mësoi profesionin e saj. Megjithatë, mesazhet e publikuara duket se tregojnë një histori ndryshe.
Sipas dëshmisë së Griffiths, kontakti mes tyre daton që në vitin 2011, kur princi e kishte shtuar në Facebook dhe i kishte dërguar numrin e tij personal. Të njëjtin vit, ata u takuan në një festë që zgjati gjatë gjithë natës, për të vazhduar më pas me shkëmbime mesazhesh që, sipas raportimeve, kishin tone flirtuese.
Në një prej tyre, gazetarja i drejtohet me “Përshëndetje, Z. Naughty… Çfarë fundjave e çmendur dhe argëtuese”, ndërsa Harry përgjigjet se kishte qenë “pa dyshim një nga fundjavat më të mira”. Në komunikime të tjera, ai e ftonte në evente të ndryshme, duke lënë të kuptohet për një afërsi më të madhe sesa ishte deklaruar publikisht.
Raportimet tregojnë se komunikimi mes tyre nuk përfundoi aty, por vijoi edhe gjatë vitit 2012, me mesazhe që përfshinin nota personale dhe përfundonin me tone intime.
Nga ana tjetër, Princi Harry ka këmbëngulur në versionin e tij, duke deklaruar se takimi kishte ndodhur në shtëpinë e producentit Arthur Landon dhe se në atë kohë nuk kishte dijeni që Griffiths ishte gazetare. Sipas tij, kontaktet u ndërprenë sapo e mësoi këtë fakt.
Kjo çështje është pjesë e një padie më të gjerë, ku Duka i Sussex, së bashku me disa paditës të tjerë, akuzojnë Associated Newspapers Limited për mbledhje të paligjshme informacioni ndër vite, përfshirë përgjime dhe ndërhyrje në komunikimet private. Kompania i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta.
