Sa para duhen për të blerë lirinë?
Imagjinoni Shqipërinë e vitit 1938. Dhjetor! Milosh Gjergj Nikolla, 27 vjeç, ishte ndarë nga jeta katër muaj më herët nga tuberkulozi, pasi pati bërtitur deri në fund në një protestë pa mbarim kundër skamjes dhe mungesës së progresit. Mbreti ishte martuar tetë muaj më herët. Nën pseudonimin Lumo Skëndo, Mit’hat Frashëri ishte duke shpërdoruar pasurinë e vet personale për të mbajtur një librari në Tiranë, ndërsa ndërtonte atë që më pas u bë fondi fillestar i Bibliotekës Kombëtare. “Jo vetëm barkun por edhe mëndjen, ushqeni!” shkruhej në reklamën e tij.
Vendi pati përjetuar krizë buke dy vjet më herët dhe qeveria censuronte shtypin.
Një grup intelektualësh, (që të gjithë me përjashtim të një, burra), ishin mbledhur përreth një reviste kulturore të quajtur Përpjekja shqiptare. Dhe e vetmja grua në grup, Ollga Plumbi, tregon se një shoqe e saj i pati thënë: “Sikur të kisha dy-tri nap. pasuri personale, nuk do të martohesha kurrë. Burrat janë egoistë; nuk dinë të çmojnë vleftën personale dhe vështrim i tyre është ne të hollat që mund t’u sjellë si prikë ajo që do të bëjnë shoqen e jetës!”
Pjesa tjetër e shkrimit të Plumbit shfaq një Shqipëri jo fort të kuptueshme nga koha jonë. Për zonjushën që kërkon 2-3 mijë napolona ari si parakusht për të drejtën për të zgjedhur të martohet apo jo, nuk ekziston opsioni i punësimit. Dhe qëndrimi i saj kundër martesës përshkruhet edhe nga vetë Plumbi (imagjino, personi që gjerësisht konsiderohet si feministja e hershme shqiptare) si “ekstremizëm”.
Plumbi flet për një shoqëri në të cilën familjet duhej të siguronin prikë nëse dëshironin të martonin vajzën (ose më saktë, ta hiqnin qafe). Ndërsa nëpunësit beqarë i nënshtroheshin një takse mbi beqarët, për të cilën, Plumbi mendon se ishte “e drejtë” dhe se duhej t’i vihej edhe të tjerëve, jo vetëm nëpunësve. Të krijohet përshtypja se taksa e beqarëve paska qenë një lloj mekanizmi shtrëngues për të rinjtë, që të ulnin hundën dhe të pranonin një grua me prikë më të ulët, ose i shkonin paratë taksë. Dhe në kontekstin në të cilën Plumbi shkroi artikullin e saj, çështja në diskutim shtrohet për familje në të cilat gruaja bën shtëpiaken dhe ka edhe një shërbyese.
Gjithsesi, diskutimi është që, sa para i janë dashur zonjushës pa emër të cituar nga Plumbi për të fituar lirinë dhe si mund ta aktualizojmë këtë shumë sot për t’i dhënë kuptim. E pra, në përfundim të disa llogaritjeve me logjikë të ndryshme ekonomike, mund të themi se nevojat e një vajze të vitit 1938 për pasuri personale kanë qenë goxha të larta.
Çështja e parave si parakusht për lirinë personale, jo vetëm për gratë por edhe për burrat, natyrisht që është diskutuar gjetkë nëpër botë. Për shembull, te eseja e vitit 1926 Një dhomë më vete, Virginia Woolf flet për 300 paundë në vit, të cilat, sipas saj, do të mund të ndihmonin Charlote Brontë të përmbushte ëndrrat e saj për të udhëtuar, për të parë jetë dhe rrjedhimisht, për të krijuar lëndë të parë për më shumë libra të mirë. Brontë ka qenë një nga tre motrat shkrimtare të shekullit të 19, personazhe të trishta që krijuan letërsi të madhe nga një shtëpi e varfër. Ndërsa vetë personazhi imagjinar i Woolf, rrëfimtarja e esesë në fjalë, thotë se asaj i doli fati kur një hallë vdiq në mënyrë aksidentale dhe i la një pasuri që i siguronte të ardhura prej 500 paundësh në vit. “Ndodhi afërsisht në të njëjtën kohë kur gratë fituan të drejtën e votës,” thotë Woolf, ndërsa thekson se nëse i duhet të zgjedhë mes parave dhe të drejtës së votës, natyrisht që zgjedh paratë.


Ca vite më vonë, George Orwell pati fatin që një shok i tij t’i dhuronte 300 paundë për të kaluar disa muaj të mirë pa kokëçarje. Ishte viti 1939 dhe Orwell ishte kthyer nga Lufta e Spanjës, i plagosur dhe në nevojë të dëshpëruar për “cigare të mira dhe ushqim të mirë”, siç shkroi te Lavdi Katalonisë. Të treqind paundët e ndihmuan Orwell që të shkonte në Marok dhe të jetonte pa kokëçarje për gjashtë muaj, periudhë gjatë së cilës shkroi romanin Dalje për ajër, atë që nga shumë kritikë vlerësohet si më i mirë, ndonëse kurrsesi jo aq popullor sa 1984 dhe Ferma e Kafshëve. Dhe nuk është çudi që të 300 paundët e bënë Orwell paksa borgjez. Kështu, Enciklopedia Britanike përshkruan këtë episod nga krijimtaria e Orwell si “shfaqje paradoksale e dellit konservator”.
Ne e kemi shumë kollaj që të dimë se sa vlejnë sot të 300 paundët e Orwell më 1939 apo të 500 paundët e Virginia Woolf më 1926. Studimet mbi historinë ekonomike kanë llogaritur me një hamendësim goxha të saktë se sa konvertohen këto shuma sot. Kështu, të 300 paundët e vitit ’39 konvertohen në rreth 25 mijë paundë sot, pra Orwell ka pasur rreth 4200 paund në muaj për gjashtë muaj me radhë për të shkruar romanin e tij “me dell konservator”. Ndërsa të 500 paundët që Woolf përfitonte çdo vit nga pasuria e lënë nga halla në Indi, vlejnë sot afërsisht 40 mijë.
Të 2-3 mijë napolonat pasuri që zonjusha e vitit 1938 kërkonte si çmim për lirinë e vet janë më të vështira që të ekuivalentohen. Napoloni është emri popullor me të cilin njihej atëhere dhe vijon të njihet edhe sot, monedha kryesore e arit të emetuar në vendet e Bashkimit Monetar Latin, një sistem i shekullit të nëntëmbëdhjetë, i cili në origjinë u krijua nga Napoleon Bonapardi. Vetë monedha në fjalë mban shënimin 20 frang kur është franceze apo belge (apo shqiptare) dhe 20 lira kur është italiane. Është një monedhë me peshë 6.42 gramë dhe me pastërti 900 për mijë ose 21.6 karat. Kjo ishte një monedhë që njerëzit e mbanin për thesar sepse për t’u përdorur në jetën e përditshme ishte aspak praktike. Për nga pesha e arit, sot një monedhë e tillë kushton rreth 728 euro dhe, nëse shkon të bësh pazar me një të tillë, ka gjasa do të mbetesh pa blerë asgjë sepse shitësit vështirë se do të kenë para mjaftueshëm për të të kthyer kusur.
Mënyra se si studiuesit në vendet e zhvilluara kanë gjetur vlerën e sotme të një monedhe të, fjala vjen, vitit 1938, është përmes shportës së mallrave. Gërmohet nëpër arkiva për çmimet e mallrave kryesore, llogaritet se sa mall blihet me një napolon ar dhe pastaj shikohet se sa para nevojiten sot për të blerë të njëjtat mallra. Në Shqipëri nuk është bërë ndonjë studim i tillë kështu që duhet t’i biem më shkurt për të zbuluar “çmimin e lirisë”. Napoloni i arit përmbante 20 frang ndërsa çdo frang përmbante pesë lekë. Rroga e një punëtori me mëditje në këtë kohë ka qenë rreth 5 lekë apo një frang në ditë, gjë që do të thotë që për një napolon bliheshin 20 ditë punë. Nëse marrim si çmim sot të ditës së punës së punëtorit pagën minimale zyrtare, që është rreth 2 mijë lekë në ditë, atëhere i bie që 1 napolon ar me çmimet e sotme është i barazvlefshëm me afërsisht 40 mijë lekë (ose rreth 400 euro). Kjo sugjeron që për një zonjushë në vitin 1939, nevojitej një pasuri personale prej 800 mijë deri në 1.2 milionë euro për të zgjedhur të mos martohej.
