Fri, Apr 3, 2026

NBA/ Oklahoma “thyen” Lakers, shkëlqen Alexander, Donçiç tremb kalifornianët

NBA/ Oklahoma “thyen” Lakers, shkëlqen Alexander, Donçiç tremb kalifornianët
  • PublishedApril 3, 2026

Oklahoma mposhti thellë 136-96 rivalët e Lakers, duke konsoliduar vendin e parë në Konferencën e Perëndimit, ndeshje ku vendimtar ishte Alexander Shai me 28 pikë. Kampionët në fuqi të NBA-së janë skuadra e vetme që ka kaluar shifrën e 60 fitoreve këtë sezon (61). Mbrëmja e kaluar ishte e mallkuar për Lakers, të cilët përveç superioritetit të dukshëm të Thunder duhet që të bënin llogaritë edhe me dëmtimin e yllit të ekipit, Luka Donçiç. Në periodën e tretë basketbollisti që mbërriti nga Dallas u ankua për një dhimbje në këmbën e majtë. Në momentin që tentoi t’i shmangej mbulimit të Jalen Williams duket se rëndoi edhe më shumë dëmtimin, i cili e detyroi që të braktiste parketin me 12 pikë të shënuara.

Me të njëjtin ritëm ecën edhe San Antonio, që mundi 118-99 Clippers, duke korrur suksesin e 11-të radhazi. Fox me 22 pikë e Castle me 20 pikë u dalluan për Spurs. Ekipi i Charlotte mundi 127-107 Phoenix, sfidë ku më i miri ishte Miles Bridges, autor i 25 pikëve.

Detroit mbron vendin e parë në Konferencën e Lindjes pas fitores 113-108 ndaj Minnesota, në një sfidë të ekuilibruar. Daniss Jenkins me 26 pikë ishte lider për Pistons. Zhgënjen Golden State, që u mund 118-111 në shtëpi nga Cleveland (dyshja Mitchell-Strus realizoi 49 pikë).